“S’merr Atiqi vendime, por nivelet e larta të qeverisë”: Ugljanin distancohet nga vendimet që “mund të çojnë në përshkallëzim”
“Vendimet merren nga nivele të larta të qeverisjes” e jo nga Kryetari Erden Atiq, ka thënë Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, duke folur për të përditshmen opozitare serbe “Danas”.
E krejt kjo, pretendon Ugljanin, “sa për të mirëmbajtur status quo-n”.
Për atë që është thënë se kryetarët e rinj legalë shqiptarë në veri të mos ushtrojnë funksione përtej administrative dhe shërbime bazike komunale, në veçanti nga QUINT-i dhe deklarativisht edhe nga vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ugljanin lë të kuptojë se ka pasur vendime që mund të perceptohen si përshkallëzuese, dhe se ai, si kryetar i Kuvendit Komunal, distancohet prej tyre.
“Distancohemi nga çfarëdo vendimi që mund të çojë në përshkallëzim të konfliktit”, u shpreh ai, duke iu referuar në rend të parë vendimit të parë që e kaluan me t’u konstituuar kuvendi komunal, që ishte për hapjen e urës së Ibrët, që për mëse 20 vite mbetet e mbyllur, asisoji duke bërë që qytetari i Mitrovicës të jetë etnikisht i ndarë.
“Do të donim që ura të ishte e lirë dhe e kalueshme”, u shpreh zyrtari, por shton se nga shumë kjo gjë u pa si vendim që në fakt çon në përshkallëzim.
Në lidhje me prospektin për shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, Ugljanin thotë se janë në pritje të finalizimit të Udhëzimit Administrativ nga MAPL, proces ky i cili do të kërkojë që 20 përqind të votuesve të regjistruat në ato komuna të kërkojnë përmes peticionit largimin e kryetarëve.
“Dështimi për të marrë pjesë në mbledhjen e peticioneve ose bojkot do të gjenerojë presion nga komuniteti ndërkombëtar për t’i dhënë fund këtij procesi dhe shpalljen e zgjedhjeve në komunat Veriore”.