'Slobodna Bosna' me shumë dënime për shpifje: Si e sulmoi pushteti Nacionalen me këtë gazetë boshnjake
Gazeta boshnjake Slobodna Posta është kthyer në emrin më të diskutuar orëve të fundit në Kosovë. Kjo jo për ndonjë të arritur të madhe, por për propaganda ndaj dy mediave në Kosovë: gazetës Nacionale dhe Periskopit.
Publikimi i Slobodna Bosna, pa asnjë dëshmi, pa asnjë burim, pa asnjë dokument, akuzonte Nacionalen dhe Periskopin se marin financa nga Serbia dhe presidenti Aleksandar Vuçiq. Krejt artikulli ishte ndërtuar mbi deklarimet e një politikani kontrovers serb, Boban Bogdanovic.
Sikur të mos mjaftonte, raportimin e kësaj reviste e publikoi Radiotelevizioni i Kosovës. Përveç si artikull në portal, RTK e publikoi edhe në minutat e parë të edicionit qendror të lajmeve.
Por raportimi i Slobodna Bosnës u shfrytëzua edhe nga zyrtarët e pushtetit, deputetë, e ‘komisarja’ Dejona Mihali, e cila kërkoi hetim ndaj Nacionales.
Me një kërkim të thjeshtë në internet del se Slobodna Bosna nuk është gazetë e panjohur me skandalet. Ajo ka me dhjetëra gjoba nga gjykatat në Bosnje dhe Hercegovinë për shpifje. Gjykatat atje kishin shqiptuar gjoba të ndryshme për shkelje profesionale dhe etike.
Kjo verifikohet me një kërim të thjeshtë nga monitorimi i pronësisë që e bën Rrjeti BIRN. Në faqen e këtij rrjeti del se dallaveret kanë nisur qysh vite më parë, kur biznesi nuk ishte regjistruar me pronar të ri, pavarësisht se ai i vjetri kishte vdekur.
“Mirha Mujoviq së bashku me Mario Iliçiqin dhe Mirsad Fazliqin bashkëthemeluan Slobodna.ba, botuesin e Slobodna-bosna.ba. Mirsad Fazliq, ndërroi jetë në vitin 2017, por ai ende është i listuar si aksionar, pasi kompania nuk ishte riregjistruar ligjërisht, sipas të dhënave publike, të cilat u konfirmuan nga Slobodna Bosna”, thuhet në rrjetin BIRN.
Vetëm pak më poshtë, i njëjti Rrjet, ka evidentuar raportime të ndryshme se si kësaj gazete i janë shqiptuar gjoba të shumta për shpifje. Nacionale do të listojë disa nga to.
Në vitin 2009, Slobodna Bosna ishte dënuar me 9 mijë KM (valuta zyrtare në Bosnje) për një rast të shpifjes ndaj tre politikanëve boshnjak. Në dokumentin i cili lehtësisht gjendet në publik, del se tre zyrtartë të lartë kishin paditur për shpifje gazetën, dhe në fund Gjykata iu kishte dhënë të drejtë.
Padia ishte bërë nga Zlatko Lagumdizja, Zheljko Komsiq dhe Damir Haxhiq. Gjykata kishte arritur në konkluzion se gazeta Slobodna Bosna kishte publikuar informacione të pavaerifikuara, me burime të panjohura, kishin përdorur fotografi pa leje, dhe kishin bërë akuza për skandale të korrupsionit pa i mbështetur ato.
Vazhdojmë me dënimet e tjera.Në vitin 2022, Gjykata Komunale në Sarajevë e kishte dënuar Slobodna Bosnan me 6 mijë KM (valuta zyrtare) për shpifje ndaj biznesmenit Gordan Memija. Dënimi ishte për shpifje.
Gazeta kishte ngritur akuza se ky biznesmen është i përfshirë në akuza për narkotikë e pastrim të parave. Megjithatë, nuk kishin ofruar asnjë argument. Andaj, Gjykata e kishte dënuar gazetën.
Gjykata e Sarajevës kishte konstatuar se teksti përmbante përmbajtje shpifëse, si rezultat gazeta ishte dënuar.
Slobodna Bosna ishte dënuar me 2 mijë KM (valutë zyrtare) për shkak të një artikulli kundër zv/presidentit të SNSD, Nikola Spiriq. Gjykata kishte konstatuar se këtij zyrtari i ishin shkaktuar pasoja emocionale e mendore.
Pra, Slobodna Bosna për të cilën Dejona Mihali po thotë se është gazetë profesionale, ka me dhjetëra dënime për shpifje. Njëjtë mendon edhe Salih Zyba, patrioti i përbetuar i VV-së.
Skandalet e tjera të Slobodna Bosna
“Raskrinkavanje” është platforma më serioze në Bosnje-Hercegovinë, e verifikuar edhe nga “Meta”, për identifikimin dhe çmaskimin e lajmeve të rreme atje që udhëhiqet nga profesionistë të dorës së parë.
Saktësisht “Raskrinkavanje” e identifikonte “Slobodna Bosna”-n dhe “Alo”-n serbe si “prijësit e lajmeve të rreme në rajon” qysh në vitin 2020.
Nacionale ka lundruar në arkivat e platformës së kontrollimit të fakteve dhe bazueshmërisë së informacioneve dhe aty gjeti tabloidin “Slobodna Bosna” të vëzhguar mikroskopisht nga kjo platformë.
Në viti 2024 “Slobodna Bosna” numëron 63 artikuj “dezinformim”, 44 artikuj “manipulim të fakteve”, dhe 15 artikuj “lajme të rreme” – për të vazhduar edhe me mbi 100 emërtime tjera si “raportim të anshëm, teori konspirative, informacione të paverifikuara (etj).
Më 12 mars të vitit 2020 kjo platformë do të dilte me një artikull ku përfundonte se në rajon “Slobodna Bosna”, “Alo”-ja famëkeqe dhe “Originalno”, prijnë në rajon për lajme të rreme dhe shënohin nën rubikrun “Flamur i kuq”.
Më 2020 “Slobodna Bosna” numëron 23 artikuj si “shpërndarje e lajmeve të rreme”, 36 artikuj si “dezinformim”, dhe 12 artikuj si “manipulim të fakteve”, përtej artikujve të tjerë si “pseudoshkencë, teori konspirative”.
Këto të dhëna Nacionale i nxjerri në dritën e një lajmi të rreme, pa autor, të pabazuar, të pafaktuar – pa asgjë – ku kjo media shkroi duke pretenduar “të kenë mësuar...nga bashkëbisedues nga Kosova” se gjoja media Nacionale dhe Periskopi është ofruar në shërbim të regjim serb.
Një lajm i tillë – i një mediumi krejtësisht kontraverz dhe të dëshmuar nga studiues e vëzhgues të pavarur si maçineri lajmesh të rreme – arriti të gjejë hapësirë edhe në Radio Televizionin Publik dhe u shpërnda dhe mbështet nga akterë të pushtetit.
Raportimi si i tillë u denoncua poashtu në masë të madhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe një numër opinionistësh dhe gazetarësh.