Skandali i radhës, dyshohet se edhe AKI është e përfshirë në rastin e Martin Berishajt
Skandali financiar i Martin Berishajt, ambasador i Kosovës në Kroaci, po vazhdon të jetë aktual, me raportime të reja në mediet kosovare e rajonale, përfshirë ato sllovene. Këtë të mërkure, gazeta Paparaci ka publikuar një shkrim në të cilin ka raportuar rreth dyshimeve mbi procesin e verifikimit të ambasadorit Berishaj nga ana e AKI-së.
Sipas raportimit të Paparacit, dyshohet se në këtë proces është përfshirë edhe Agjencia e Inteligjencës së Kosovës. Në këtë proces të verifikimit, përveç përgatitjes intelektuale e aktivitetit politik para emërimit, analizohen edhe marrëdhëniet financiare të subjektit të verifikuar, përfshirë borxhet apo detyrimet e kandidatit për ambasador.
“Në javën e dytë të shtatorit, 2021, saktësisht 51,913.80 euro ishin transferuar nga kompania energjetike GEN-i, me seli në Serbi, në xhirollogarinë e kompanisë “MB Consulting” Sh.P.K. në Kosovë.
Në po të njëjtën ditë, më 9 shtator të atij viti, pronari i kompanisë “MB Consulting” ishte pajisur me certifikatë të verifikimit të sigurisë nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, pasi i ishte nënshtruar lupës së AKI-së si i propozuar për Ambasador i Kosovës në Kroaci.” – fillon raportimi i Paparacit.
Duke u thirrur në burimet e saja, Paparaci shkruan se certifikata e sigurisë i është dhënë Berishajt me urdhër nga Qeveria e Kosovës, e cila udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
“Ka ardhur urdhër nga qeveria qe te pajiset me certifikatë. Asnjë procedure nuk është ndjekur”, ka thënë një burim brenda procesit.” – shkruan gazeta në fjalë.
Kujtojmë që për dyshimet rreth procesit të verifikimit të Berishajt është raportuar edhe më parë në mediet kosovare.
Skandali "Martingate"
Skandali financiar ku dyshohet të jetë përfshirë Martin Berishajt, ambasador i Kosovës në Kroaci, është kthyer përsëri në vëmendjen e opinionit kosovar. E gjithë vëmendja e kthyer erdhi pas një raportimit të medies sllovene “Prava”, ku përveç Berishajt, përmendej edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në fakt, në drejtim të këtij të fundit, është dërguar një kërkesë publike: shkarkimi i ambasadorit Berishaj.
Janë dy parti politike që kanë kërkuar dorëheqjen e Martin Berishajt nga posti i ambasadorit fuqiplotë të Kosovës në Kroaci. PDK dhe LDK, dy partitë më të mëdha opozitare, janë bashkuar në qëndrimin se Berishaj duhet të largohet nga posti që aktualisht e ka.
Ndryshe, siç ka raportuar Nacionale, tashmë Policia e Kosovës ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj Martin Berishajt për shmangie të tatimit.
Një burim i gazetës Nacionale brenda Prokurorisë Speciale i ka treguar gazetës se kallëzimi penal është ngritur për shmangie të tatimit.
“Para disa dite Policia e Kosovës i ka ngritur kallëzim penal ndaj ambasadorit Berishaj. Kallëzimi penal tashmë është dorëzuar në Prokurorinë Speciale”, ka thënë burimi i mirinformuar.


