Skandali i Martin Berishajt, raportohet për dyshime të përfshirjes së Inteligjencës Sllovene - NACIONALE

Skandali i Martin Berishajt, raportohet për dyshime të përfshirjes së Inteligjencës Sllovene

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është rikthyer sërish në vëmendje të mediave, pasi Komisioni Parlamentar për Kontrollin e Shërbimeve të Inteligjencës dhe Sigurisë, i udhëhequr nga partia Nova Slovenija, ka vizituar pa paralajmërim Shërbimin Slloven të Inteligjencës dhe Sigurisë (Sova).

Ajo çka e lidhë Berishajn më këtë çështje, është fakti që, sipas medias sllovene 24ur, ky komision ishte i interesuar për funksionimin e shërbimeve të inteligjencës, si dhe për operacionet e Gen-I në Ballkan.

Është bërë e ditur se në orët e mëngjesit, pesë anëtarë të këtij komisioni kishin shkuar jozyrtarisht në 'Sova' për të marrë informacione për aktivitetet e shërbimeve të inteligjencës. Më tej thuhet se ata kanë qenë të interesuar për rastin e dy agjentëve rusë që vepronin në Slloveni me pasaporta argjentinase - tashmë të arrestuar. Por, çështja tjetër me interes për Komisionin Parlamentar për Kontrollin e Shërbimeve të Inteligjencës dhe Sigurisë, raportohet se kanë qenë edhe operacionet e GEN-I në Ballkan.

Mësohet se grupi i parlamentarëve, i udhëhequr nga deputeti i partisë, NSi, Janez Zakelj, ishte interesuar për aktivitetet e mundshme të 'Sova' në lidhje me pasojat potencialisht të dëmshme të funksionimit të kompanisë GEN-I, që nga koha kur ajo drejtohej ende nga kryeministri Robert Golob.

Interesi për këtë çështje ka ardhur pas raportimeve të mediave për transferimin e miliona eurove nga kompania GEN-I, që janë tërhequr nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe dyshimet se këto para janë tërhequr në mënyrë që të financohej në mënyrë indirekte fushata politike e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ndërkohë, mediat sllovene kanë raportuar se policët nën udhëheqjen e prokurorisë së specializuar të shtetit është dashur të mbledhin informacione në lidhje me operacionet e supozuara të diskutueshme të kompanisë filiale të Gen-I nga Beogradi, ku sipas tyre, në bazë të kontratave të konsulencës paratë është dashur të transferohen në një kompani në Mal të Zi.

Këto raportime, kryeministri Golob i ka cilësuar “fabrikim të pastër”, duke thënë se në atë kohë fushata në Kosovë ishte nisur para zgjedhjeve sllovene dhe se më vonë është marrë vesh që Martin Berishaj ka qenë shok i vërtetë i Janez Janshës.

Sipas 24ur, anëtarët e këtij komisioni kanë qëndruar për një orë në 'Sova'.

Skandali Martin Berishaj

Mediat sllovene e kishin zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Më pas edhe gazeta sllovene “Demokracija.si”, ka publikuar një artikull, ku raportonte mbi lidhjet e kryeministrit Robert Golob me paratë e kompanisë GEN-I, përfshirë transferet e mëdha të të hollave, që dyshohet të jenë përdorur edhe për financimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Pas vitit të ri, mediat në Ballkan raportuan gjerësisht për transferime të disa miliona eurove nga Gen-I në Beograd për në Prishtinë. Ata deklarojnë se Robert Golob ka përdorur paratë e shtetit nga GEN-I për të financuar fushatën zgjedhore të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti,"- ka theksuar kjo gazetë.

Kujtojmë se edhe pse ka dyshime se Berishaj mori qindra mijëra euro nga GEN-I serb, përkundër kësaj ai akoma vazhdon ta mbajë postin e ambasadorit.

Skandali i Martin Berishajt, ambasador i Kosovës në Kroaci, është padyshim afera më e madhe korruptive që ka përfshirë diplomacinë kosovare.

Lajme të ngjashme