Skandali i korrupsionit në Ministrinë e Infrastrukturës trondit Qeverinë Kurti në Kosovë - NACIONALE

Skandali i korrupsionit në Ministrinë e Infrastrukturës trondit Qeverinë Kurti në Kosovë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një skandal i madh ka shpërthyer në Kosovë pas publikimeve të disa përgjimeve nga gazeta Nacionale. Në këto përgjime, i përfshirë është këshilltari financiar i ministrit Liburn Aliu dhe ku zbardhet mënyra se si kërkohej ryshfet edhe gjatë pushtetit të ri të Vetëvendosjes. Si ndodhi e çka ndodhi deri tash?

episodin e tretë të Ditarit të Buzhalës në Nacionale, u publikuan përgjime në të cilat dëgjohet punëtori i një kompanie të kontraktuar derisa kërkonte ryshfet prej 30 mijë eurove nga një kompani private në mënyrë që ta dërgonte një email për kryerjen e punëve në një rrugë që ka ngecur tash e shumë kohë.

Efektivisht, kompania Infratek po i kërkonte këto para ryshfet në mënyrë që t’i shkruante ministrisë se punët ishin kryer, e që më vonë drejt kompanisë tjetër të derdheshin paratë nga zyrtarët e kësaj kompanie.

Problemi u bë politik sepse kompania në fjalë, Infratek, për pronar kishte Halil Jahajn (i cili ishte pronar edhe i Alfa-I), dajën e këshilltarit financiar të ministrit Liburn Aliu. Po ashtu në përgjime përmendet edhe emri i Liburn Aliut.

“Liburnin e ka jaran,” tashmë është mes frazave të popullarizuara në rrjetet sociale, siç është edhe “Një herë njëzet (mijë), pastaj dhjetë (mijë)” për shkak të lirimit në ryshfet që po bëhej nga ryshfetkërkuesi për shkak të pandemisë.

Përgjimi zbuloi të dhëna të pabesueshme për pushtetin e ri të Vetëvendosjes. Në rend të parë, prania e Florent Ramqajt si këshilltar financiar në një ministri me të cilën bashkëpunonte kompania e dajës së tij përbënte konflikt të qartë interesi dhe ishte toleruar nga ministri Liburn Aliu.

Në këtë episod që ka skandalizuar vendin, jepen edhe fakte tjera të forta e të pakundërshtueshme që tregojnë për lidhjen e Ramqajt dhe ministrisë së Infrastrukturës me dajën e tij dhe kompaninë që kërkonte ryshfet.

Ky i fundit, madje quhej “Daja i Vetëvendosjes” edhe nga aktivistë të tjerë të partisë së z. Albin Kurti.

FOTO: Daja i VV-së, edhe sipas një prej aktivistëve më të afërt të Kurtit

Liburn Aliu

Liburn Aliu është njeriu i dytë më i pushtetshëm në Qeverinë e Kosovës, pas kryeministrit Albin Kurti. Ky pushtet i vjen edhe nga rëndësia financiare e ministrisë që drejton, Planifikimit Hapësinor, Mjedisit dhe Infrastrukturës, por më së shumti nga miqësia e tij me kryeministrin.

Në një intervistë të dhënë në Pressing pas skandalit, Aliu e ka kontestuar lidhjen mes këshilltarit të tij financiar dhe kompanisë që kërkon ryshfet përkundër që e ka pranuar afërsinë familjare.

Por, ai ka pranuar një nga një shumë prej fakteve të ofruara nga gazeta Nacionale.

Këshilltari i tij financiar quhej Florent Ramqaj;

Ramqaj e kishte dajë Halil Jahajn, kompaninë e cila ishte kishte kërkuar 30 mijë euro ryshfet;

Dhe, e njihte dhe ishte takuar me Halil Jahajn.

Ai nuk ia doli mbanë që të sqaronte distancën mes tij, këshilltarit dhe kompanisë Infratek që kërkonte ryshfetin në fjalë.

Ndikimi politik

Debatet politike në Kosovë janë dominuar plotësisht nga skandali i ryshfetit në ministrinë e Infrastrukturës.

Sidoqoftë, një pjesë e eksponentëve të Vetëvendosjes nuk po arrijnë të distancohen nga ky skandal korrupsioni, ashtu edhe siç edhe është pritur. Por megjithatë, shumë mbështetës të tjerë të partisë së Kurtit i janë kundërvënë partisë në pushtet duke kërkuar sqarime shtesë e madje edhe dorëheqjen e ministrit.

FOTO: Florent Ramqaj në fotografi me kryeministrin Albin Kurti

Prokuroria Speciale tashmë ka filluar hetimet për korrupsion pas përgjimeve të publikuara, derisa edhe Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka proceduar me hetimin e këshilltarit financiar të ministrit Liburn Aliu.

Tronditja që ka shkaktuar në skenën politike të vendit ky skandal i korrupsionit lidhet edhe me faktin se Vetëvendosje me Albin Kurtin kanë garuar për një kohë të gjatë që do ta luftonin këtë dukuri pasi të merrnin pushtetin.

Por, skandali – edhe pse më i madhi deri tash - vjen pas skandalesh tjera që përfshijnë punësime në baza familjare e partiake nga kjo parti politike.

Deri tash, kryeministri i Kosovës Kurti nuk ka dhënë asnjë deklaratë në lidhje me rastin dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.

Lajme të ngjashme