Skandali 100-milionësh: opozita e analistët kërkojnë dorëheqjen e Martin Berishajt, Kurti i shurdhër - NACIONALE

Skandali 100-milionësh: opozita e analistët kërkojnë dorëheqjen e Martin Berishajt, Kurti i shurdhër

1 vit më parë

nga NACIONALE

Skandali financiar ku dyshohet të jetë përfshirë Martin Berishajt, ambasador i Kosovës në Kroaci, është kthyer përsëri në vëmendjen e opinionit kosovar. E gjithë vëmendja e kthyer erdhi pas një raportimit të medies sllovene “Prava”, ku përveç Berishajt, përmendej edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në fakt, në drejtim të këtij të fundit, është dërguar një kërkesë publike: shkarkimi i ambasadorit Berishaj.

Politikanë të ndryshëm, të gjithë nga opozita, analistë e madje edhe përkrahës të Kurtit tashmë kanë kërkuar dorëheqjen e Berishajt ose shkarkimin e tij nga shefi i ekzekutivit.

Por deri më tani nuk ka asnjë lëvizje në drejtim të dorëheqjes ose shkarkimit të Berishajt. Pra Kurti, por edhe anëtarë të tjerë të pushtetit, kanë qëndruar indiferentë ndaj krejt kërkesës për largimin e ambasadorit Berishaj.

Kërkesa

Tashmë janë dy parti politike që kanë kërkuar dorëheqjen e Martin Berishajt nga posti i ambasadorit fuqiplotë të Kosovës në Kroaci. PDK dhe LDK, dy partitë më të mëdha opozitare, janë bashkuar në qëndrimin se Berishaj duhet të largohet nga posti që aktualisht e ka.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, përmes një konference për medie, akuzoi Kurtin se po bëhet pengesë për t’iu hapur rrugë përgjegjësisë dhe të vërtetës.

“Prapa ambasadorit Berishaj, fshihet një lidhje shumë më e thellë e pushtetit me mafinë energjetike të vendeve të rajonit. Martin Berishaj është mik i kryeministrit Kurti, i emëruar ambasador nga Kryeministri Kurti dhe përballë këtij skandali, i marrë në mbrojte direkte nga Kryeministri Kurti. Por, përkundër se qeveria është përpjekur me çdo kusht që ta amnistojë këtë aferë, skandali po thellohet çdo herë e më shumë dhe ka marrë rrugë drejt shpalosjes së fakteve tepër shqetësuese, të cilat jo vetëm që tejkalojnë çështjet e integritetit diplomatik e personal, apo edhe ndjekjes penale, por të cilat sot, shtrihen deri tek Zyra e Kryeministrit Albin Kurti dhe implikojnë vetë shtetin e Kosovës”, ka thënë Çitaku.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, e tregoi qëndrimin e partisë së udhëhequr nga Lumir Abdixhikut në temën e Berishajt. Në një konferencë për media, ajo tha se LDK vazhdon të kërkojë dorëheqjen e ambasadorit Berishaj.

“Prej kur ka dalë skandali në medie kemi kërkuar dorëheqjen e tij, mirëpo fatkeqësisht edhe përkundër që mediat sllovene dhe kroate faktikisht postojnë dhe bëjnë publike skandalin me Martin Berishajn, ndërkaq nga ana e partisë në pushtet ende nuk kemi dorëheqje. Prandaj, edhe përkundër që kallëzimi penal i është ngritur Berishaj, ende nuk kemi dorëheqje, rekomandimi dhe propozimi ynë konkret ka qenë për shkak të mos dëmtimit të imazhit të Republikës së Kosovës të dorëhiqet Martin Berishaj.” - deklaroi Halimi.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, dje e cilësoi si skandal të përmasave botërore çështjen ku është përfshirë Berishaj.

“Nëse këto të dhëna që po qarkullojnë, që janë 14 milionë, dhe që vetë po aludon shkruesi që kanë përfundu te Guxo dhe Vetëvendosje, nëse janë të vërteta, ky është skandal global, i përmasave globale. Nuk është më i madhi në Kosovës e në Ballkan.” - tha Haradinaj dje në T7.

Edhe analistët

Përveç partive politike, edhe analistët kanë kërkuar dorëheqjen e Martin Berishajt. Imer Mushkolaj, analist i njohur, dje shkroi se Qeveria Kurti është bërë horë duke mos e shkarkuar ambasadorin Berishaj.

“Shkarkojeni more Martin Berishajn se u bëtë horë. S'kini zgjidhje tjetër, herët a vonë. Veç sa po fundoseni - bashkë me të.” – shkroi z. Mushkolaj.

Madje edhe përkrahësit e Kurtit në universin e analistëve tashmë e kanë ndarë mendjen rreth çështjes së Berishajt. Xhevdet Pozhari, analist pro pushtetit, shkroi rreth dorëheqjes së Berishajt.

“Është e pakuptueshme pse një Qeveri harxhon kaq shumë energji për ta mbrojtur një ambasador që nuk ka asnjë peshë politike. Veçanërisht në rrethana kur njerëzit preokupohen me të drejtë se sa do të jetë vlera e koeficientit të pagës, nëse do ta kalojnë këtë dimër më lehtë sesa ai i kaluari. Kur do të normalizohet shporta e produkteve bazike... etj, etj.

Por nga ta dish, ndoshta pesha e xhepit e bën të vetën! Dhe për këtë arsye Martin Berishaj mbetet më i rëndësishëm!” – shkroi ai.

Ndërsa Shkëlzen Gashi, analist që dikur ishte edhe këshilltar i Kurtit në Qeverinë Kurti I, e quajti Berishajn “hajduk”.

“Presidentja e Kosovës, Kryeministri i Kosovës dhe Ministrja e Jashtme e Kosovës, duke e mbrojtë këtë hajduk, po i vërtetojnë pretendimet se mund të jenë financuar prej tij.

DORËHEQJA NUK MJAFTON!” – shkroi ai.

Ndryshe, siç ka raportuar Nacionale, tashmë Policia e Kosovës ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj Martin Berishajt për shmangie të tatimit.

Lajme të ngjashme