VV-ja refuzon në Kuvend, por flet në Facebook për raportin e DASh-it: Qytetarët i kthehen ashpër për “korrupsionin serioz” - NACIONALE

VV-ja refuzon në Kuvend, por flet në Facebook për raportin e DASh-it: Qytetarët i kthehen ashpër për “korrupsionin serioz”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qysh në fillim të raportit të Departmaneti të Shtetit amerikan për Të Drejtat e Njeriut theksohet se ndër sfidat kryesore të Kosovës, është edhe korrupsioni serioz qeveritar. Ndonëse Lëvizja Vetëvendosje refuzoi që për këtë të diskutohet në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, vendosën të dalin me një postim. Megjithatë, përdoruesve të rrjetit social Facebook, duket se nuk u kanë bërë përshtypje fjalët e shkruara aty.

Çka shkroi VV-ja?

Në postimin e tyre në llogarinë zyrtare, VV-ja si zakonisht, lë fajtore qeveritë paraprake. Sipas tyre, të gjitha raportet kanë theksuar “korrupsionin afatgjatë të ngulitur si rezultat i qeverisjeve të kaluara.

Më tej, partia në pushtet u bën thirrje ndjekësve të saj t’i shohin “pohimet e DASH-it” për vitet paraprake, por jo edhe për ato sa ata janë në pushtet.

Katër fraza shihen në fotografinë e publikuar nga VV-ja: “Korrupsion i përhapur qeveritar”, “korrupsion i nivelit të lartë në Qeveri”, “korrupsion endemik i qeverisë”, “korrupsion endemik i qeverisë”.

Risjellim në vëmendje, meqë në postimin e VV-së kjo nuk shihet, për vitin 2023, fraza është “korrupsion serioz qeveritar”.

Qysh iu përgjigjen qytetarët?

Shumica e komenteve poshtë postimit të VV-së janë të qytetarëve që duket se nuk janë ndikuar nga ky postim.

“Tash KORRUPSION SERIOZ QEVERITAR…” – ka thënë një komentues, pasuar nga një tjetër, i cili quan VV-në “hajna”.

“Edhe! Ju memdoni se tu tregu per te kaluaren edhe ju mund te vazhdoni njejt!? Jo per gjë tjeter jeni votu. Sjeni perfekt as ju kimi çalime ne gjëra por kur bono ksi krahasime me vjen per te vjell sjeni votu me fol per te kaluaren.” – ka shkruar një tjetër përdorues i Facebook-ut.

Dikush tjetër i ka bërë thirrje V-së që “mos ta marrë për bazë të kaluarën”.

Një tjetër person që duket se ka qenë votues i VV-së ka thënë se “nuk e kanë besuar që do të vazhdonin njëjtë me korrupsion”.

Raporti i DASh-it

Një nga pikat kryesore të raportit që u publikua këtë javë, është çështja e korrupsionit brenda qeverisë, ndërsa nënvizon raportimet e shumta mbi këtë. Raporti thekson se zyrtarët e nivelit të lartë shpesh i shpëtojnë ndëshkimit dhe rastet e korrupsionit përballen me vonesa dhe mbikëqyrje të pamjaftueshme gjyqësore.

"Ligji ofron dënime penale për korrupsion nga zyrtarët, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive. Pati raportime të shumta për korrupsion në qeveri. Zyrtarët ndonjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit kontribuan në këtë problem. Rastet e korrupsionit i nënshtroheshin rregullisht apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejonte skadimin e parashkrimit.”thuhej në raport.

Ndryshe, opozita e Kuvendit të Kosovës kërkoi debat parlamentar mbi këtë raport në seancën e sotme të Kuvendit, megjithatë, VV-ja refuzoi.

40 vota kundër, shumica nga deputetët e pushtetit, ishin për vendosjen në rendin e ditës të kësaj pike.

Lajme të ngjashme