Skandalet që e rrethuan ministren Rozeta Hajdari më 2023
Rozeta Hajdari ishte mes emrave më të përmendur të Qeverisë Kurti gjatë vitit 2023. Pra, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në mënyrë “industriale” prodhoi lajme jo fort të këndshme për Qeverinë së cilës i shërbente.
Ministrja ishte në qendër të vëmendjes shkaku i skandaleve që ndodhnin rreth e rrotull saj.
Po i përmendim vetëm dy më kryesoret – të ministres që ishte dënuar edhe për mosdeklarim të pasurisë.
Të gjithëve ju kujtohet puna e aferës së vajit dhe grurit. Ministrja e Industrisë në vend se ta pranonte gabimin – që dukej sheshit – vazhdonte ngulmimin se s’kishte pasur asnjë shkelje ligjore e asnjë keqpërdorim. Por vaji e gruri mungonin.
Raportimet e shumta të Nacionales i vunë në pah keqpërdorimet që ishin bërë me Rezervat Shtetëtore. Problemi s’u adresua asnjëherë nga kryeministri Albin Kurti. E as nga vetë ministrja.
Për këtë rast ishin arrestuar tre persona, dy prej tyre zyrtarë të ministrisë që drejtohej nga ana e Rozetës dhe një tjetër një biznesmen i afërt me kryeministrin Kurti.
Dëmi që i është bërë buxhetit besohet të jetë rreth 600 mijë euro.
Një tjetër problem ishte edhe aksidenti që Hajdari e kishte shkaktuar. Ajo e kishte shkelur një fëmijë me veturë më 2022.
E për këtë gjë, gjatë vitit 2023, Hajdarit i ra koxha shumë të shkonte në gjykatë.
Për dorëheqje s’i shkoi mendja. Për këtë aksident e pas plot seancave gjyqësore, ministrja Hajdari ishte dënuar vetëm me 200 euro.
Një tjetër çështje për të cilën Rozeta Hajdari u bë lajm e përtej lajmit ishte përpjekja që ta mbyllte një medium. Më konkretisht “Klan Kosovën”. Kjo tendecë e saj shkoi huq.
Kush ishte sipas jush ministri më skandaloz i Qeverisë Kurti në vitin 2023?