Skandal: Detaje nga takimi i kryetares së gjykatës në Veri me presidentin e Serbisë
Një ditë më parë, i madh e i vogël nga Beogradi zyrtar, por edhe përfaqësuesit politikë të Listës Serbe, patën takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Shkak për këtë, ishte dakordimi i veprimeve pasi Qeveria e Kosovës deri më tash, nuk po e lejon mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Megjithatë, përveç përfaqësuesve politikë, në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte edhe kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Lilijana Stefanoviq.
Gazeta Nacionale ka mësuar se arsyeja e pjesëmarrjes së kryetares së gjykatës në këtë takim, ishte orkestrimi bashkë me liderët politikë serbë, për veprimet e radhës pasi nuk po lejohet mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë më 3 prill. Si mundësi e përmendur në takim, ka qenë edhe largimi nga puna i të gjithë gjyqtarëve dhe punëtorëve të administratës që janë serbë.

Një gjë të tillë e ka thënë publikisht edhe vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq: “Zagrebi mendonte se pas dëbimit të serbëve, e më pas anëtarësimit në BE, ata u bënë fuqia dominuese në Ballkan. Për t'iu kthyer Kosovës. Populli ynë ka të drejtë dhe gjithçka që kanë thënë përfaqësuesit e Kosovës është e drejtë. Unë nuk e kam mohuar këtë dhe mendoj se çdo gjë po shkon në atë drejtim dhe se është e pamundur të ndalet”, tha Vuçiq për daljen e mundshme të serbëve nga institucionet.
Përveç gjykatave, Nacionale ka mësuar se liderët e Listës Serbe e kanë diskutuar edhe mundësinë që të largohen edhe nga Policia e Kosovës, dhe institucionet e tjera ku ka punonjës të komunitetit serb. Megjithatë, një gjë e tillë ende nuk është vendosur përfundimisht.
Reagojnë Këshilli Gjyqësor dhe ministrja Haxhiu
Për takimin e kryetares së gjykatës nga Mitrovica në takim me presidentin e Serbisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka bërë të ditur se kanë nisur hetime.
“Ju njoftojmë se Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, si autoritet kompetent për të gjithë kryetarët e gjykatave, e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), se është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanović në takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciq”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së për gazetën Nacionale.
Reagim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka kërkuar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Sipas saj, pjesëmarrja e kryetares serbe në atë takim, është e papranueshme.
“Më vjen keq për këtë sepse besoj që gjyqtarët dhe kryetarët duhet të sillen me integritetin më të lartë moral dhe profesional. Dhe çfarëdo takimi apo marrje pjesë në një takim të tillë cenon këtë integritet. Thërras Këshillin Gjyqësor që të marrë masa, sepse në dyshimet mbi shkelje të gjyqtarëve, përgjegjësia bie mbi Këshilin Gjyqësor të Kosovës”, ka thënë Haxhiu në konferencë për media.
Sipas Kodit të Etikës që është në fuqi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, takimet e tilla janë të ndaluara rreptësisht.
Në nenin 2 të kësaj rregulloreje, thuhet se: “gjyqtari nuk mund të jetë anëtar i ndonjë subjekti politik, nuk mund të merr pjesë në tubime politike. Gjyqtari përmahet nga sjelljet që mund të japin përshtypje se janë aktiv, ose në forma të ndryshme marrin pjesë në aktivitetet politike”.
“Gjyqtari përmbahet nga anëtaresia në grupime dhe organizata ose pjesëmarrje në diskutime publike në të cilat, sipas opinionit të publikut, nxit dyshime në paanshmërinë e gjyqtarit ose gjyqësorit në përgjithësi”, thuhet në rregullore.
Në takimin e djeshëm me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, mori pjesë edhe Milan Radojiçiq, që është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Aktualisht, Qeveria e Kosovës nuk po heq dorë nga vendimi që zgjedhjet serbe presidenciale të 3 prillit, të mos mbahen në Kosovë. Kjo ka shkaktuar edhe reagim nga bashkësia ndërkombëtare.
