'Tri kushte', 'Version të balancuar sekuencimi': Kurti dhe Bislimi nuk përputhen për Marrëveshjen e Ohrit
Marrëveshja e Ohrit e shndërruar tash e dy vjet në urë (nëse zbatohet) dhe digë (nëse jo) për të bërë çfarëdo lëvizje të Kosovës drejt institucioneve euro-atlantike – Albin Kurti tha se mbetet e pazbatueshme pa u përmbushur tri kushtet e hartuara nga ai në shtator të vitit të kaluar: Dorëzimin e Radojçiqit, Nënshkrimin Bilateral dhe tërheqjen e një letre të Ana Brnabiq dërguar në EEAS në dhjetor të 2023’ës.
Ndonëse në komunikata të tij vetë shprehet për “zbatim të sekuencuar, të plotë dhe të balancuar”, Kurti riktheu sërish kushtet e shtatorit. Ditë më parë zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, i pamandatuar ishte në Bruksel ku tha se u pajtua “me të gjitha propozimet” e ndërmjetësuesit të ri, Peter Sorensen, për zbatimin e po asaj marrëveshje.
Dialogu i pezulluar që kohë s’ka qenë as në rend të ditës – derisa Besnik Bislimi shkoi në Bruksel në cilësinë e tij të vjetër, tash të skaduar, të kryenegociatorit. Për gazetarë dha mbresat e tij për ndërmjetësin e ri. Tha se i pëlqeu “stili” i tij – ndryshe nga ai i Miroslav Lajçakut, të cilin për gati se një vit e kanë akuzuar për të njëanshëm dhe si synues të jetësimit të vetëm gjysmës së Marrëveshjes së Ohrit, përkatësisht Asociacionin.
“Në pjesën e parë kemi dakorduar principet për ecjen përpara në këto takime dhe mendoj se kjo ka reflektuar edhe stilin tjetër të ndërmjetësimit të z. Sorensen. Ne jemi dakord me të gjitha propozimet e tij dhe i mbështesim të njëjtat.
Mendojmë që ato sigurojnë edhe një raportim më të mirë tek vendet anëtare për atë se çfarë ndodh brenda, por edhe qartësi te palët që pastaj të mos keqpërdorin bisedat brenda për interpretime mediatike jashtë takimit, që mendoj që në këtë drejtim z. Sorensen është duke bërë një punë shumë të mirë”, tha Bislimi për emisarin e ri.
Se si do të vijojë dialogu – Bislimi tha se tash po harmonizohet çështja e versionit përfundimtar “të sekuencimit” – do të thotë të renditjes së gjërave për t’u zbatuar nga palët.
“Natyrshëm ka patur dakordim të plotë mes palëve andaj edhe neve na është dhënë kohë që në takimin e radhës të sjellim në mënyrë të shkruar idetë se si mund të sigurohemi që versioni i sekuencimit të cilin kemi përfunduar me z. Lajçak duhet të bëhet i pranueshëm për palët dhe të ecim tutje”.
Por, ndryshe nga Bislimi u shpreh sot Albin Kurti. Para gazetarëve Kurti s’foli për zbatim të sekuencuar të Marrëveshjes së Ohrit, por tri kushtet e tij.
“Ne kemi një marrëveshje bazike me Serbinë, e cila po shkelet nga Serbia dhe natyrisht që për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikw së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë, Milan Radojçiqin, kryekriminelin që na vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku.
Më pastaj të pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen bazike me aneksin e zbatimit dhe njëkohësisht ta tërheqin letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja Brnabiq pati thënë që nuk respekton integritetin territorial të Kosovës”, tha Kurti.