"S'ka ndodhur kështu që prej 1999'ës": NATO konfirmon që 93 ushtarë u lënduan në Zveçan - NACIONALE

"S'ka ndodhur kështu që prej 1999'ës": NATO konfirmon që 93 ushtarë u lënduan në Zveçan

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dhuna masive që shpërtheu në Zveçan para ndërteses komunale në drejtim të trupave të misionit paqeruajtës të NATO's në Kosovë la të lënduar rreth 93 ushtarë ndërkombëtarë. Kjo shifër tejet e lartë dhe e frikshme, u konfirmua nga KFOR-i në një përgjigje për Nacionalen. Këto sulme, na tha KFOR-i, ishin të paprovokuara dhe të papranueshme, dhe për më tepër një numër i tillë lëndimesh s'ka ndodhur që nga përfundimi u luftës në qershor të 1999'ës.

"Mund t'ua konfirmojmë se gjatë sulmeve të paprovokuara dhe të papranueshme më 29 maj në Zveçan, 93 ushtarë të KFOR'it u lënduan - disa prej tyre tepër rëndë. Ky është numri më i madh ndonjëherë i të lënduarve në KFOR brenda një dite që nga viti 1999", na tha KFOR-i.

Se janë lënduar më shumë se 90 ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë gjatë protestave në veri në fund të muajit maj të këtij viti u tha dje edhe nga Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg. Megjithatë, para disa javëve, edhe një komandant i KFOR-it përmes një aksioni simbolik e kishte konfirmuar këtë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dje u takua me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Derisa njoftoi për takimin, ai tha se “dhuna në veri të Kosovës, la të plagosur 93 trupa të KFOR-it”.

“Mirë të takohem me presidentin e Serbisë për të diskutuar dhunën e fundit në veri të Kosovës, e cila la të plagosur 93 trupa të KFOR-it. NATO ka dislokuar trupa shtesë dhe zbaton mandatin e saj të OKB-së në mënyrë të paanshme. Prishtina dhe Beogradi duhet të parandalojnë përshkallëzimin dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE.” – deklaroi ai.

Aksioni simbolik i komandantit

Pak ditë pas tensioneve në veri, kur situata veçse kishte filluar të qetësohej, komandanti i KFOR-it për rajonin lindor kishte vendosur një pankartë në rrugë.

Në të, shkruante se nga protestat atje u lënduan më shumë se 90 ushtarë të KFOR-it.

“KFOR ka pësuar më shumë se 90 viktima (sulme) në angazhimin tonë për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet.” – shkruhej në banës, derisa “Kosovo-Online” kishte publikuar edhe pamje.

Ndërkohë, para disa ditësh një medium hungarez, “Telex” raportoi se disa prej ushtarëve hungarezë të plagosur u dërguan në këtë shtet me aeroplan të mbrojtjes kombëtare.

Madje, në një prej rasteve mjekët ishin obliguar që t’ia amputojnë këmbën ushtarit, derisa raportohej se gjendja e tij është stabile.

“Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po bëjnë gjithçka në maksimum. Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një nga rastet e kishte të obligueshme amputimin e një gjymtyre, e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor. Operacioni ka shkuar mirë, gjendja e pacientit është stabile.” – kishte raportuar ky medium.

Për fund, tensionet në veri filluan pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i vendosur kryetarët e zgjedhur në veri për të punuar në zyrë.

Ndërkaq, Kosova dhe Bashkimi Evropian janë dakorduar për një numër hapash drejt deeskalimit të situatës, ku një prej tyre, përbën edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

Hapat janë si vijon:

• Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm për 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

• Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

• Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.

• BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes.

Lajme të ngjashme