“Zgjedhjet pas verës”: Qeveria Kurti tregon detaje për marrëveshjen me Lajçakun për shtensionimin e veriut - NACIONALE

“Zgjedhjet pas verës”: Qeveria Kurti tregon detaje për marrëveshjen me Lajçakun për shtensionimin e veriut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, ka lëshuar një komunikatë për media në uebfaqen e Kryeministrisë. Në këtë komunikatë, Qeveria Kurti ka treguar më shumë detaje, si asnjëherë më parë, për marrëveshjen për shtensionimin që u arrit në Bratisllavë, mes Besnik Bislimit, dyshi i Qeverisë Kurti, dhe Miroslav Lajçak, pёrfaqёsuesin e Lartё i Bashkimit Evropian.

Në këtë komunikatë, theksohet se Qeveria e Kosovës tregon gatishmërinë për të kontribuar në shtensionimin e situatës në katër komunat në veri të vendit.

“Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.” – theksohet aty.

Tutje, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se e mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakoshme në katër komunat në veri të vendit dhe atë pas stinës së verës.

“Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.” – theksohet aty.

Në komunikatë përmendet edhe mundësia e zvogëlimit të prezencës së policisë në veri.

"Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale." - shkruhet aty.

Të njëjtën marrëveshje e ka publikuar në profilin e tij edhe Bislimi, vartësi i Kurtit dhe njeriu që e arriti këtë marrëveshje.

"Veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore. Vullneti i jonë dhe konstruktiviteti si palë në këtë proces, asnjëherë nuk ka munguar. E këtë po e dëshmojmë në vazhdimësi. Asnjëherë nuk kemi vepruar apo kontribuar në eskalimin e situatës në veri, por vetëm në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Në këtë frymë i marrim të gjitha vendimet e hapat tonë." - shkroi Bislimi.

Çka ndodhi në Bratisllavë të Sllovakisë?

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur dje se e ka takuar në Bratislavë zv/kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi ku edhe kanë rënë dakord për hapat e parë drejt deeskalimit të situatës në veri të Kosovës.

Në rrjetin social Twitter, Lajçak shkroi se kanë rënë dakord për hapat e parë për qetësimin e situatës në veri

“Sot në Bratislavë zhvillova diskutime intenzive dypalëshe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, në përputhje me deklaratën e 27 vendeve të BE-së të 3 qershorit dhe rrugën përpara në zbatimin e të gjitha Marrëveshjeve të Dialogut. Ne ramë dakord për hapat e parë drejt këtij qëllimi,” ka shkruar Lajçak.

Ndërsa Bislimi njoftoi po ashtu se është arritur dakordim për "hapat e nevojshëm për të siguruar uljen e përshkallëzimit efektiv" të përcaktuar me ligj dhe fokusimin në normalizimin dhe zbatimin e sundimit të ligjit në takim me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.

“U takova me EUSR Miroslav Lajçak për të diskutuar hapat e ardhshëm për zbatimin e plotë dhe të drejtë të Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit të saj. U dakorduam për hapat e nevojshëm për të siguruar uljen e përshkallëzimit efektiv & të përcaktuar me ligj, fokusimin në normalizimin dhe zbatimin e sundimit të ligjit”, - njoftoi Bislimi në Twitter.

Deklarata e 27 vendeve të BE-së për çështjen e deeskalimit të situatës në veri të Kosovës kërkonte që të tërhiqeshin njësitë speciale nga komunat në veri të vendit dhe të shpalleshin zgjedhjet e reja.

Qeveria e Kosovës në anën tjetër ka propozuar njëherë një plan pesë-pikësh dhe njëherë tjetër një plan tetë-pikësh për tejkalimin e situatës. Qeveria vazhdimisht e ka bërë fajtore Serbinë dhe bandat e saj në veri të vendit ndërkohë që e ka konsideruar edhe BE-në se po e udhëhiqte dialogun në mënyrë asimetrike.

Kosova në anën tjetër e ka pësuar me një varg ndëshkimesh nga ana e Bashkimit Evropian ndërkohë që ndëshkime tjera janë paralajmëruar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kujtojmë se situata në veri të Kosovës ishte tensionuar prej 26 majit, kur Qeveria e Kosovës kishte vendosur t'i fuste në zyrë katër komunat shqiptarë të zgjedhur. Kjo kishte prodhuar një protestë nga ana e serbëve lokalë që më vonë ishte bërë e dhunshme.

Prej atëherë, ka pasur një varg diskutimesh në lidhje me mënyrën se si do të depërshkallëzohej situata. Ndërkohë, tash e disa javë vazhdon të jetë i ngujuar në zyren e tij Lulzim Hetemi, kryetari i Leposaviqit që vjen nga radhët e Vetëvendosjes tash e katëdhjetë e dy ditë.

Lajme të ngjashme