Lajçak e takon Bislimin: Bien dakord për hapat e parë për deeskalim në veri
Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se e ka takuar në Bratislavë zv/kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi ku edhe kanë rënë dakord për hapat e parë drejt deeskalimit të situatës në veri të Kosovës.
Në rrjetin social Twitter, Lajçak ka shkruar se kanë rënë dakord për hapat e parë për qetësimin e situatës në veri
“Sot në Bratislavë zhvillova diskutime intenzive dypalëshe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, në përputhje me deklaratën e 27 vendeve të BE-së të 3 qershorit dhe rrugën përpara në zbatimin e të gjitha Marrëveshjeve të Dialogut. Ne ramë dakord për hapat e parë drejt këtij qëllimi,” ka shkruar Lajçak.
Held intense bilateral discussions today in Bratislava with DPM @BislimiBesnik on de-escalation of the situation in north Kosovo, in line with the EU27 statement from 3 June, and the way forward in implementing all Dialogue Agreements. We agreed on first steps towards this goal. pic.twitter.com/spPWEf1EEL
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) July 10, 2023
Deklarata e 27 vendeve të BE-së për çështjen e deeskalimit të situatës në veri të Kosovës kërkonte që të tërhiqeshin njësitë speciale nga komunat në veri të vendit dhe të shpalleshin zgjedhjet e reja.
Qeveria e Kosovës në anën tjetër ka propozuar njëherë një plan pesë-pikësh dhe njëherë tjetër një plan tetë-pikësh për tejkalimin e situatës. Qeveria vazhdimisht e ka bërë fajtore Serbinë dhe bandat e saj në veri të vendit ndërkohë që e ka konsideruar edhe BE-në se po e udhëhiqte dialogun në mënyrë asimetrike.
Kosova në anën tjetër e ka pësuar me një varg ndëshkimesh nga ana e Bashkimit Evropian ndërkohë që ndëshkime tjera janë paralajmëruar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qeveria e vendit ende nuk ka informuar në lidhje me këto hapa të dakorduar drejt shtensionimit të situatës.
Kujtojmë se situata në veri të Kosovës ishte tensionuar prej 26 majit, kur Qeveria e Kosovës kishte vendosur t'i fuste në zyrë katër komunat shqiptarë të zgjedhur. Kjo kishte prodhuar një protestë nga ana e serbëve lokalë që më vonë ishte bërë e dhunshme.
Prej atëherë, ka pasur një varg diskutimesh në lidhje me mënyrën se si do të depërshkallëzohej situata. Ndërkohë, tash e disa javë vazhdon të jetë i ngujuar në zyren e tij Lulzim Hetemi, kryetari i Leposaviqit që vjen nga radhët e Vetëvendosjes tash e katëdhjetë e dy ditë.
Ndërkohë, sa i përket çështjes së dialogut, nuk ka pasur takim të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq prej atij të 2 majit ku ishte prezantuar drafti i Asociacionit nga Ekipi Menaxhues që kryesohej nga një deputete e Asamblesë së Serbisë.
