S’ka arratisje: Zv.ministri e drejtori i ShKK-së i shmangen termit, thonë se pati veç dy largime nga burgu - NACIONALE

S’ka arratisje: Zv.ministri e drejtori i ShKK-së i shmangen termit, thonë se pati veç dy largime nga burgu

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sipas Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës nuk ka pasur arratisje nga burgjet e Kosovës, por vetëm largime. Këtë, ata e arsyetuan me faktin se të dënuarit, janë mbajtur në qendra korrektuese të tipit të hapur.

Në një konferencë për media, zëvendësministri Blerim Sallahu foli për “tipet” e institucioneve korrektuese.

“Përkundër të arriturave dhe punës së vazhdueshme, këto ditë në njësi të tipit të hapur janë larguar dy të burgosur, të njëjtit kanë qenë shfrytëzues të vikendit, më lini të theksoj se në Republikën e Kosovës kemi dy tipe të institucioneve korrektuese, tipe të mbyllura me siguri të lartë, si dhe tipe të hapura ku të burgosurit kanë të drejta dhe privilegje të shumta.

Pra për këtë arsye, largimi nga institucioni i mbyllur konsiderohet arratisje, ndërsa largimi nga institucioni i hapur nënkupton largim.” – tha ai, transmeton Nacionale.

Në fund, ai tha se largime të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, dhe se mund të ketë sërish.

“Është me rëndësi se largime nga qëndrat e tipit të hapur ka pasur edhe në të kaluarën, e mund të ketë edhe në vazhdimësi pasi këto institucione nuk u nënshtrohen masave të larta të sigurisë pasi është realizimi i programeve avancuese ndaj të të burgosurve.” – u shpreh Sallahu.

Në anën tjetër, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues i Kosovës, Ismail Dibrani foli për dy rastet e fundit, që sipas tij, “janë larguar nga institucionet e vendit”.

“I dënuari Faton Hajrizi ka qenë i dënuari me vendim prej 25 viteve, siç e keni kuptu në njoftimin tonë. Ai ka përfunduar ½ të dënimit në vitin 2019. Me legjislacionin në fuqi, të dënuarve që përfundojnë ½ e vuajtjes së dënimit u jep edrejta për vikend në shtëpi nëse ka respektuar rregullat e brendshme, është sjellur mirë. Ky i dënuar ka përfunduar edhe 2/3 e dënimit në shtator, si rezultat, qendra korrektuese Dubravë ka mundësuar shfrytëzimin e vikendit në shtëpi, së paku katër herë vizitë në familje, si rezultat i sjelljeve të mira, i njëjti ka kaluar në tipin e hapur.” – tha ai duke folur për rastin e parë.

Sa i përket të dënuarit tjetër, sipas Dibranit, edhe ky ka qenë shfrytëzues i vikendit.

“Po ashtu, i dënuari tjetër, për të cilin keni raportuar mbrëmë në media, ka qenë i dënuar me 11 vite burgim. I njëjti në janar 2024 ka fituar të drjetën për shfrytëzim të vikendit në shtëpi. Herën e parë vlerësohet nga ekipet multidiciplinare. Paneli i rekomandon drejtorit të institucionit dhe ai vendos që ky të shkojë në shtëpi. Ky ka qenë shfrytëzues i vikendit, deri kur ka vendosur të largohet nga institucioni i tipit të hapur.” tha ai, transmeton Nacionale.

Vlen të theksohet, se Drejtësisë i kanë ikur edhe Enver Sekiraqa dhe Marko Roshiq.

Lëvizja Vetëvendosje ka refuzuar që në seancën e të enjtes në Kuvendin e Kosovës të diskutohet për ikjet e fundit nga burgjet e Kosovës dhe arratisjet e personave të dënuar.

Partitë opozitare kanë kërkuar përgjegjësi prej zyrtarëve të Ministrisë së Dritësisë për këtë çështje.

Ata kanë kërkuar që të mbahet një debat parlamentar në lidhje me këtë çështje, por deputetët e VV-së me shumicë votash kanë refuzuar mocionin e opozitës.

Lajme të ngjashme