Lumir Abdixhiku e Memli Krasniqi deri tash nuk kanë shtyrë vizitat në ShBA, udhëtojnë javën tjetër
Lumir Abdixhiku e Memli Krasniqi do të udhëtojnë për në ShBA, konform planit dhe ftesës që veçse e kanë pranuar.
Duke parë zhvillimet e fundit të ditës, ku Ambasada Amerikane ua ndaloi vizitën ministres Haxhiu e ministrit Sveçla, u mendua se njëjtë do të jetë edhe për dyshen opozitare. Por jo.
Siç ka mësuar Nacionale nga burime të afërta pranë tyre, si Lumir Abdixhiku, ashtu edhe Memli Krasniqi do të udhëtojnë drejt ShBA-së.
Të paktën deri më tani, ata nuk kanë pranuar ndonjë refuzim, ose diçka e tillë.
Refuzimi
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ai i brendshëm, Xhelal Sveçla dhe zyrtari i lartë i partisë në pushtet, respektivisht kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi do ta kenë të pamundur udhëtimin në ShBA.
Kështu ka mësuar Gazeta Nacionale nga burimet e saj pranë Ambasadës Amerikane në Kosovë. Arsyeja për këtë është situata momentale në vendin tonë.
"Ministrja Haxhiu tashmë është njoftuar nga ne për pamundësinë që ajo të udhëtojë. Kjo është bërë vetëm para pak çastesh", tha një burim pranë Ambasadës Amerikane për Nacionalen.
Ky refuzim duket të ketë ardhur si shkak i zhvillimeve në veri të Kosovës.
Për një çështje të tillë ka folur edhe ambasadori Hovenier që ka thënë këto fjalë:
“Kjo këtu është enigmatike. Janë dy çështje. Nuk shoh asnjë rrethanë në të cilën do të ishte e vështirë për qeverinë e ShBA’së të lëshonte vizë për një ministër të Qeverisë së Kosovës. S’mund të flas për rastet specifike ose individuale të vizave, por nuk jam në dijeni për ndonjë rrethanë ku një ministër i qeverisë nuk do të kualifikohej për marrjen e vizës për punë zyrtare”.
Zhgënjimi i SHBA-së me Qeverinë Kurti II
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ditë më parë u shprehën të zhgënjyera që Qeveria e Kosovës nuk dëgjoi kërkesat e tyre, dhe të Bashkimit Evropian, që vendimi për targat të shtyhet për 10 muaj.
Veç kësaj, SHBA-ja shprehej edhe e shqetësuar me një vendim të tillë, pasi Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti vendosi që ta përshkallzojë zbatimin e vendimit për targa.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, thuhej në këtë komunikatë.
Ndërkaq, pas zhvillimeve në veri të vendit dhe dorëheqjes së zyrtarëve serbë nga të gjitha istitucionet e Kosovës, kërkesë kryesore drejtuar kryeministrit Albin Kurti, ka qenë themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.
Në një përgjigje dhënë "thepavlovictoday", zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, të martën theksoi faktin se Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken kërkon ta shohë implementimin e Asociacionit, gjithmonë konform marrëveshjeve të arritura.
"Kosova dhe Serbia duhet t'i zbatojnë detyrimet e nënshkruara në negociatat e lehtësuara nga Brukseli. Vetëm në këtë mënyrë shmanget përshkallëzimi. Veprimet dhe retorikat që rrisin mundësinë e dhunës, vendosin jetë të pafajshme në rreziqe të panevojshme. Jo veç ata, edhe forcat paqeruajtëse rrezikohen në situata të tilla", ka thënë ai.

