Situatë e rrezikshme për Kosovën, Albini ecën vetëm ‘në veri’ - NACIONALE

Situatë e rrezikshme për Kosovën, Albini ecën vetëm ‘në veri’

10 muaj më parë

nga Leonitë Demaku

Aleatët e Kosovës, duke nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po dënojnë ashpër zhvillimet në veri të vendit, duke konsideruar se veprimet e Qeverisë së Kosovës po përshkallëzojnë situatën atje. Kryeministri Albin Kurti ndërkohë, ecën vetëm me zgjidhjen e tij për veriun – parnerët s’e përkrahën, e po ashtu e kritikoi edhe opozita në vend.

Komunat janë pronë e Republikës.” – me këtë fjalë përmblidhet reagimi i Kurtit, i cili gjendet krejt në fund të një komunikate ku njoftohet për takimin e tij me komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia.

Ky i fundit i shkoi në vizitë pas zhvillimeve në veri të vendit, dhe situatës tejet të tensionuar atje.

Si nisi gjithçka?

E kishte thënë edhe kryeministrit Kurti se kryetarët e rinj në veri do të jenë “udhëheqës” me “u” të vogël, ShBA ndërkohë, kishte kërkuar që roli tyre të jetë teknik, BE në anën tjetër, kishte deklaruar se zgjedhjet nuk do të sjellin zgjidhje afatgjatë.

Por ajo që ndodhi sot, do të shkaktonte shumë tensione në veri, e madje edhe lendimin e pesë zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

Që në paraditen e sotme, kryetarët e rinj të Zveçanit e Zubin Potokut tentuan që të hyjnë në objektet e komunave, derisa në veri u lëshua alarmi dhe ndërhyri Policia e Kosovës.

Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore. Po ashtu janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare, njërës prej tyre ia kanë vënë zjarrin. Dyshohet se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por që ende nuk dihet lokacioni i saktë." - është thënë në komunikatën e policisë.

Kryeministri nuk reagoi. Në një deklaratë të tij nga një aktivitet ku merrte pjesë, ai bëri të ditur se “fjalën e tij do ta thotë nga Prishtina”.

Kurti ecën vetëm, veprimet e tij “në kundërshtim” me këshillat e aleatëve

Në krejt këtë situatë, reagimin më të ashpër do ta kishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat realisht treguan se kryeministri eci vetëm në këtë zhvillim.

Përmes një deklarate të sekretarit Antony Blinken, të publikuar edhe në faqen e Departamentit të Shtetit, ShBA dënoi veprimet e Kosovës, duke përmendur se ishin “në kundërshtim me këshillat e ShBA-së dhe partnerëve evropianë".

Madje, shteti që konsiderohet si aleati më i madh i Kosovës, theksoi qartë se këto zhvillime do të ndikojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve, e madje përmendet edhe fjala “pasojë”.

“Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin.” – thuhet në reagim.

Paraprakisht, Blinken kishte bërë një shkrim edhe në llogarinë e tij në Tëitter, duke e etiketuar kryeministrin Kurti, e duke i bërë thirrje t’i ndalojë menjëherë “masat e dhunshme”.

“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE.” – u shpreh ai.

Disa minuta më vonë, me reagim doli edhe Bashkimi Evropian, duke thënë se nuk do të pranojë asnjë veprim të njënashëm, apo provokues.

“Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të de-përshkallëzuar situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë. BE-ja nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë prioritet.” – bëhet e ditur në komunikatë.

Në fund, BE ka deklaruar si vijon: “Siç ka deklaruar vazhdimisht BE-ja, zgjedhjet e fundit të pjesshme në veri të Kosovës nuk do të ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për komunat e përfshira. Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve kryesore të interesit, që përfshin Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës – nën lehtësimin e BE-së.”

Më pas, reagoi edhe QUINT-i, duke i bërë po ashtu thirrje autoriteteve të Kosovës që “të tërhiqen menjëherë”.

Ndërkohë, opozita në Kosovë ka shprehur qëndrimin e saj. Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, doli me një reagim të ashpër, duke theksuar se nuk ka pasur koordinim me ndërkombëtarët.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në anën tjetër, i tha Nacionales se “distancohet nga eksperimentet e Kurtit”.

Lajme të ngjashme