Abdixhiku: Moskoordinimi me aleatët - akt antishtetar që dëmton interesat e shtetit të Kosovës - NACIONALE

Abdixhiku: Moskoordinimi me aleatët - akt antishtetar që dëmton interesat e shtetit të Kosovës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lumir Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar kryeministrin Kurti pas zhvillimeve të fundit, të cilat rezultuan në një reagim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që dënon veprimet e Qeverisë së Kosovës. Abdixhiku në reagimin e tij akuzoi Kurtin për mungesë koordinimi me aleatët, veçanërisht me ShBA-të, duke e quajtur këtë veprim një "akt antishtetar".

Abdixhiku ka bërë thirrje për të analizuar përfitimet e kësaj politike dhe për të ndëshkuar këtë sjellje, e cila sipas tij dëmton interesat kombëtare të Kosovës. "Në moskoordinim me aleatët, veçanërisht me SHBA-të, kush përfiton? Cili është qëllimi i një Kryeministri të tillë?" - është pyetja që Abdixhiku ka ngritur, duke u përqendruar në impaktin e këtyre veprimeve në interesat e Kosovës.

Në këtë kontekst, ai ka shtuar se është i shqetësuar për faktin se Kosova po humbet aleatët e saj duke ia dhuruar Serbisë. "A mund të tolerohet ky tregtim me interesat tona?" - ka thënë Abdixhiku, duke theksuar rëndësinë e një politike të matur dhe miqësore për të siguruar përparimin e Kosovës.

Ai tha se pasojat e një politike të tillë janë të dëmshme për Kosovën dhe për interesat e saj. "Kush përfiton kur Kosova i dhuron Serbisë të gjithë aleatët e saj? Ky s’mund të jetë çmimi ynë", shton Abdixhiku, duke shprehur shqetësimin e tij për zhvillimet aktuale.

Kryetari i LDK-së theksoi më tej se një koordinim i ngushtë me aleatët është i nevojshem dhe thelbësor. Ai vlerëson se politika e matur dhe e koordinuar me miqtë ndërkombëtarë është rruga e vetme për të siguruar zhvillimin dhe mirëqenien e Kosovës, duke bërë thirrje për ndryshim të menjëhershëm në drejtim të kësaj politike. "Në kërkesë të paalternativë për koordinim të ngushtë me aleatë. Politika e matur, politika me miq, është rruga e vetme e Kosovës", tha kreu i LDK-së.

Lumir Abdixhiku përmbyll postimin e tij duke e kritikuar Kryeministrin aktual dhe duke e cilësuar atë si pengesën kryesore në përparimin e vendit. "Gjithçka tjetër çon në theqafje; ku dhe jemi nisur me një Kryeministër si ky!", thotë Abdixhiku tutje.

Reagimi i plotë:

Kontekst:

Situata në veri

Të premten, në përpjekjeve për t’u futur në objektet komunale, kryetarët e komunave në Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan kanë hasur në rezistencë të qytetarëve serbë të cilët kanë bllokuar hyrjet. Kjo situatë ka sjellë përleshje mes Policisë së Kosovës dhe protestuesve në atë zonë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se nga përleshjet në veri janë lënduar pesë policë. Përmes një komunikate për medie, është bërë po ashtu me dije se janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare.

Ngjarjet e sotme kanë shkaktuar tensione në raport me Qeverinë e Kosovës dhe SHBA-të. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i ka dënuar ashpër aksionet e policisë për t`i vendosur kryetarët e rinj të komunave verior në zyrat e komunave.

Reagim të ashpër pati edhe nga Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke u shprehur se “dënojnë fuqishëm” veprimet e Qeverisë së Kosovës.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ai e ka etiketuar kryeministrin Albin Kurti, duke i bërë thirrje t’i ndalojë menjëherë “masat e dhunshme”.

“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE.” – u shpreh ai.

Lajme të ngjashme