“Situatë alarmante...”: Opozita me reagime të ashpra pas faturave të larta të rrymës - NACIONALE

“Situatë alarmante...”: Opozita me reagime të ashpra pas faturave të larta të rrymës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një numër i madh i qytetarëve janë ankuar gjatë ditëve të fundit se kanë marrë fatura të energjisë elektrike me çmime tepër të larta në krahasim me muajt e kaluar. Kjo ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, duke përfshirë këtu edhe nga partitë opozitare në vend. Çka deklaruan ata?

Qytetarët i janë drejtuar KEDS-it për faturat e larta të energjisë elektrike për këtë muaj, derisa më vonë, ky institucion doli me një reagim.

“Rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë te konsumatorëve. Shih Vendimin e ZRrE-së.” – thuhej mes tjerash në reagimin që po ashtu mori komente shumë të ashpra.

Çka tha opozita?

Fillimisht, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi në një shkrim në rrjetin social Facebook përmendi që ka pasur 70 deri në 80 për qind më shumë shpenzim te faturat mujore gjatë sezonës dimërore.

“Nje hulumtim i thjeshte ne treg per artikujt bazik, na tregon kete pasqyre: - 30-40 %, me shume shpenzime per vaj, miell dhe sheqer - 70- 80 %, me shume te faturat mujore te energjise elektrike (sidomos gjate sezones dimerore)” – u shpreh ai mes tjerash.

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se kjo është “goditja e radhës” për familjet kosovare.

“Në vitin e tretë të Qeverisë Kurti, qytetarët po ndjejnë në xhep efektet "e fuqishme" të kësaj qeverie. Faturat e larta të energjisë janë goditja e radhës për familjet kosovare. Në këtë kohë inflacioni e varfërie, duhet të mendojmë për policët, mësuesit, të gjithë punëtorët e sektorit publik dhe posaçërisht për ata të sektorit privat, të cilët, edhe pa këto fatura, me shumë vështirësi e mbyllnin muajin. Kosova meriton më mirë!” – shkroi ai në Facebook.

Një reagim e ka bërë edhe Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai u shpreh se vendi po shkon në një situatë alarmante, dhe për këtë, ia la fajin Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti.

“Në vendin me të ardhurat më të ulëta për kokë banori në rajon dhe Evropë, qytetarët e Republikës së Kosovës paguajnë fatura ekuivalente me shpenzimet që paguajnë qytetarët e vendeve më të pasura si Belgjika e Luksemburgu. Po shkojmë drejt një situate alarmante ku faturat mesatare të familjeve me pak anëtarë, të jenë mes 250 - 350 euro.”tha ai.

Sa kushton energjia elektrike në Kosovë?

Në muajin prill të vitit 2023, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) kishte miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike.

Këto tarifa janë shtrenjtuar për 15.4 për qind.

Në bllokun nën 800 kilovat, tarifa e lartë e rrymës kushton 7.79 centë (vit 2022: 6.75 centë) ndërsa e ulëta 3.34 centë (vit 2022: 2.89 centë).

Ndërsa në bollokun mbi 800 kilovat, tarifa e lartë kushton 14.45 centë (viti 2022: 12.52 centë) ndërsa tarifa e ulët 6.81 centë (viti 2022: 5.90 centë).

Sipas ZRrE-së, nëse shpenzoni 300 kilovat atëherë rritja është 2 euro e 88 centë më shumë se fatura e vitit të kaluar.

Pra nëse keni paguar faturën 18 euro e 75 centë në vitin e kaluar atëherë këtë vit është 21.63

Për qytetarët që shpenzojnë 450 kilovat, fatura mujore është 4 euro e 18 centë më shumë se vitin e kaluar.

Lajme të ngjashme