Sindikatat e Shëndetësisë të dëshpëruara me koeficientin, zhgënjehen edhe nga Rrahman Jasharaj
Qeveria e Kosovës tashmë ka bërë të ditur vlerën e koeficientit. Kjo vlerë është 105 për të gjitha kategoritë e sektorit publik në Kosovë. Por jo të gjithë janë të kënaqur me këtë vlerë. Si rrjedhojë Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), është shprehur e zhgënjyer nga Qeveria. Por prej aty deklarojnë se Ligjin nuk do ta dërgojnë në Kushtetuese.
Të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës po shprehen nga Sindikatat e Shëndetësisë së Kosovës. Ata kanë thënë se kanë pritur që vlera e koeficientit të jetë 132 e jo 105.
Nënkryetari i kësaj Sindikate , Blerim Delija për Nacionalen shpjegon për zhgënjimin që e kanë përjetuar kësaj radhe.
“Qeveria ka gjetë hapësirë dhe e ka ba këtë vlerë të koeficientit 105 që është shumë zhgënjyes për ne. Ne duhet të mendojmë në ditën në vijim, ti bëjmë kalkulimet dhe ta shohim se sa janë të kënaqur të gjitha shtresat duke u nisur nga mjekët, infermierët e tutje,”- i tha Nacionales Delija.
Nga kjo Federatë janë shprehur se i kanë disa kërkesa për Ministrinë e Shëndetësisë dhe për Qeverinë.
“Ne si Federatë e Sindikatave kemi nxjerrë disa kërkesa që nëse realizohen, atëherë do ta kemi një përmirësim të dukshëm të pagës së punëtorëve shëndetësor. Kërkesa e parë është që me urgjencë të fillohet negocimi i Kontratës Kolektive Sektoriale. Kërkesa e dytë është që shtesa prej 60-euro e paraparë me Pakon e Ringjalljes Ekonomike pika 4.1. Mbështetje për Shëndetësinë të mbetet në fuqi deri në shpalljen e Pandemisë COVID-19 të mbyllur. Kërkesa e tretë është miratimi i shujtës prej 60 euro për të gjithë të punësuarit në sektorin e shëndetësisë duke përfshirë edhe stafin mbështetës,”- deklaron tutje nënkryetari i Sindikatës së Shëndetësisë.
Megjthëkëtë, Ligjin, kjo Sindikatë nuk planifikon që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Nëse shkojmë me kujdestari siç shkojmë tani, përvoja e punës, rrezikshmëria nëse hyn. Ne e kemi llogaritë që paga e punëtorit shëndetësor të infermierit nuk do të bjerë nën 600 euro. Kjo nuk është e kënaqshme, nuk është për tu gjujtë, nuk është që kjo do ta na detyrojë neve që ta dërgojmë Ligjin tek avokati i Popullit e pastaj në Kushtetuese. Pse e them këtë?, sepse e kemi pasë një përvojë e kemi dërgu njëherë në Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese e ka anulu Ligjin, kanë shku 2 vite e gjysmë, kemi humbur të gjithë. Ne Këshilli drejtues dje ka marrë vendim që nuk do ta dërgojë,”- thotë tutje ai.
Zhgënjehen edhe nga qëndrimet e SBASHK-ut
E nga kjo Federatë shprehen të zhgënjyer edhe me SBASHK-un- si njërën nga sindikatat më të zëshme në Kosovë.
Delija thotë se kanë pritur që edhe SBASHK t’i ketë disa kërkesa për Qeverinë pas publikimit të koeficientit.
“Unë si nënkryetar i Federatave të Sindikatave Shëndetësore të Kosovës kam qenë shumë i befasuar me gatishmërinë dhe me vendimin e tyre. Nuk e di cilat kanë qenë arsyet. Por ky vendim më është dukur i çuditshëm me thjeshtë e pranojmë, pa e ba asnjë kalkulim, pa e vu në pah së pari interesin e anëtarit. Por ne prapë se prapë e kemi shiku mundësinë sindikaliste.
E të gjitha këto konkluzione kanë dalë pas mbledhjes së jashtëzakonshme të mbajtur të enjten nga Këshilli Drejtues i Federatës, ku pikë e vetme e rendit të ditës ishte “Shqyrtimi i vlerës së koeficientit të miratuar nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës në shumën prej 105 euro”./Nacionale.com/