KGJK e pakënaqur me Ligjin e Pagave: Ndërhyrje e dëmshme në pavarësinë e sistemit gjyqësor - NACIONALE

KGJK e pakënaqur me Ligjin e Pagave: Ndërhyrje e dëmshme në pavarësinë e sistemit gjyqësor

1 vit më parë

nga NACIONALE

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen që e kanë mbajtur sot kanë shprehur pakënaqësinë me Ligjin e Pagave, vetëm një ditë pas publikimit të vlerës së koficientit.

Vlera e koficientit do të jetë 105 euro, e sistemi i drejtësisë doli se do të jetë më i prekuri nga ky ligj, pasi për ta parashihet ulje e pagave, anipse formalisht nuk do të ndjehet në dy vitet e para.

Por, KGJK e kundërshtoi ashpër këtë ligj, si dhe paralajmëroi ndërrmarjen e të gjitha veprimeve ligjore e kushtetuese.

Reagimi:

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në mbledhjen e mbajtur më datë 2 shkurt 2023, së bashku me Asamblenë e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, ka diskutuar dhe analizuar Ligjin Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik dhe Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vlerën e koeficientit, si dhe efektin e këtyre akteve në sistemin gjyqësor.

Këshilli Gjyqësor konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vlerën e koeficienteve, paraqet një ndërhyrje të dëmshme në pavarësinë, integritetin dhe mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor.

Një ndërhyrje e tillë në sistemin gjyqësor, është në kundërshtim të plotë me dispozitat kushtetuese, ligjore si dhe standardet evropiane që u garantojnë gjyqtarëve një sistem të pagave të parashikueshëm dhe nuk lejojnë uljen e pagave. Për më tepër, një qasje e tillë ndaj gjyqësorit është në kundërshtim edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Ligjin për Gjykatat, Qëndrimet e Komisionit të Venecias dhe Rekomandimet e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe gjithë administrata gjyqësore, shprehin shqetësim që as Kuvendi dhe as Qeveria nuk kanë respektuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për sigurimin e pacenueshmërisë së pagave të sistemit gjyqësor, prandaj ftojmë Avokatin e Popullit që të veproj në kuadër të kompetencave ligjore duke kundërshtuar këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese.

KGJK është e vendosur që të ndërmerr të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore për të mbrojtur dhe promovuar pavarësinë institucionale dhe funksionale të sistemit gjyqësor.

Lajme të ngjashme