Sindikata në Francë kërcënon se do t’ua ndalë rrymën deputetëve dhe miliarderëve - NACIONALE

Sindikata në Francë kërcënon se do t’ua ndalë rrymën deputetëve dhe miliarderëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sindikata CGT në Francë ka kërcënuar se do t’ua ndalë furnizimin me rrymë ligjvënësve dhe miliarderëve para fillimit të një greve gjithëkombëtare të enjten në atë që po bëhet një ballafaqim gjithnjë më i ashpër kundër planit të qeverisë për ta rritur moshën e daljes në pension.

Projektligji i propozuar, i paraqitur javën e kaluar, do ta rriste moshën e daljes në pension në Francë nga 62 në 64. Sipas anketave, kjo masë kundërshtohet nga shumica e punëtorëve, të cilët tashmë po ballafaqohen me krizën e kostos së jetesës.

Punëtorë të sektorëve të ndryshëm, përfshirë transportin, arsimin dhe energjinë, në mbarë Francën do të marrin pjesë në grevë të enjten. Protestat kryesore pritet të mbahen në Paris dhe në qytete të tjera, raporton agjencia “Reuters”.

Kjo grevë po shihet si testim nëse sindikatat, të cilat vjetëve të fundit kanë pasur vështirësi për t’i bindur njerëzit që të mbajnë greva, mund ta shndërrojnë zemërimin në protesta masive sociale.

“Unë sugjeroj që ata të shkojnë t’i shohin edhe pronat e bukura, kështjellat e bukura të miliarderëve”- tha Philippe Martinez, kryetar i sindikatës CGT, që është e dyta më e madhja në Francë.

“Do të ishte mirë, nëse do t’ia ndalnim rrymën në mënyrë që ata ta vendosin veten, për pak ditë, në këpucët e... popullit francez që s’mund t’i paguajë faturat e veta”- shtoi ai.

Ditëve të fundit, Sebastien Menesplier, pjesë e departamentit të energjisë dhe minierave në sindikatën CGT, gjithashtu kërcënoi me ndalje të rrymës në zyrat e deputetëve.

Zëdhënësi i Qeverisë së Francës, Olivier Veran, tha se kërcënimet për ndaljen e rrymës janë “të papranueshme”.

Më së shumti nga greva të enjten do të preket transporti publik. Shumica e linjave të trenave dhe disa fluturime janë anuluar. Pengesa të konsiderueshme priten edhe në sistemin e hekurudhës nëntokësore të Parisit.

Rreth 70 për qind e mësimdhënësve dhe shumë punëtorë të rafinerive do të marrin pjesë në grevë, thanë sindikatat dhe operatorët e transportit.

Ministri i Mbrojtjes i Francës, Gerald Darmanin, tha se mbi 10 mijë policë do të jenë në terren gjatë protestave, një e treta e të cilave do të mbahen në Paris.

Franca ka histori të gjatë të përpjekjeve për reformimin e sistemit pensional, që është njëri prej më dorëlirëve dhe më të kushtueshmëve në Evropë, dhe të protestave për t’i ndalur reformat.

Lajme të ngjashme