Shtetet e Eurozonës goditen nga niveli rekord i inflacionit - NACIONALE

Shtetet e Eurozonës goditen nga niveli rekord i inflacionit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Inflacioni në shtetet evropiane që e përdorin euro, ka shkuar në numra dyshifrorë, kur po rriten çmimet e rrymës dhe gazit, duke dhënë shenj për recesion të mundshëm në dimër për njërën ndër zonat kryesore ekonomike të botës, pasi çmimet e larta po e minojnë fuqinë blerëse të konsumatorëve.

Çmimet e konsumit në zonën me 19 shtete u rritën për shifër rekorde prej 10 për qind në shtator në krahasim me një vit më parë, edhe më shumë se shifra prej 9.1 për qind në gusht, raportoi të premten agjencia e statistikave e BE-së, “Eurostat”. Vetëm para një viti, inflacioni ishte vetëm 3.4 për qind, raporton agjencia “Associated Press”.

Rritja e çmimeve është në nivelin më të lartë që nga fillimi i grumbullimit të të dhënave për euron më 1997.

Në krye të shtrenjtimit qëndron energjia me 40.8 për qind për një vit. Çmimet e ushqimit, alkoolit dhe duhanit u rritën për 11.8 për qind.

Inflacioni është nxitur nga pakësimi i vazhdueshëm i furnizimit me gaz natyror nga Rusia dhe nga pengesat për furnizim me lëndë të parë si pjesë përderisa ekonomia globale po rimëkëmbet pas pandemisë së koronavirusit.

Ndërkohë çmimet më të larta të faturave, ushqimit e karburanteve po i lënë konsumatorët me më pak para për të harxhuar për gjëra të tjera. Kjo është arsyeja kryesore pse ekonomistët po parashikojnë recesion ose rënie të gjatë të aktivitetit ekonomik për fundin e këtij viti dhe për fillimin e vitit të ardhshëm.

Zyrtarët evropianë thonë se pakësimi i gazit nga kompania shtetërore ruse e gazit, “Gazprom”, janë shantazh me energji me qëllim të bërjes së presionit dhe përçarjes së qeverive evropiane për sanksionet perëndimore kundër Rusisë dhe përkrahjes së tyre për Ukrainën, përfshirë dhurimin e armëve.

Në ekonominë më të madhe të Eurozonës, në Gjermani, çmimet u rritën për 10.9 për qind, duke e arritur përqindjen dyshifrore për herë të parë në disa dekada. Gjermania planifikon që të shpenzojë deri në 200 miliardë euro për t’i ndihmuar konsumatorët dhe bizneset që të ballafaqohen me shtrenjtimin e faturave të energjisë./Nacionale

Lajme të ngjashme