E çuditshme: Rusia po djeg sasi të madhe të gazit, hutohen ekspertët - NACIONALE

E çuditshme: Rusia po djeg sasi të madhe të gazit, hutohen ekspertët

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Përderisa çmimet e energjisë në Evropë po shkojnë “në qiell”, Rusia është duke djegur sasi të madhe të gazit natyror, sipas një analize të publikuar në televizionin britanik, BBC. Ekspertët thonë se ky gaz më parë do të ishte eksportuar për në Gjermani.

Sipas tyre, në një fabrikë afër kufirit me Finlandën po digjet gazë me vlerë të rreth 10 milionë dollarëve çdo ditë.

Shkencëtarët janë të shqetësuar për vëllimin e madh të dyoksidit të karbonit dhe blozës që po e shkakton kjo djegie e gazit. Djegia mund ta përkeqësojë situatën e shkrirjes së akullit në Arktik.

Në bazë të analizës nga “Rystad Energy”, dyshohet se rreth 4.34 milionë kubik metra gaz po digjen çdo ditë. Kjo gjë po ndodh në një qendër të re të gazit natyror në Portovaya, në veriperëndim të Shën Petersburgut.

Shenjat e para se diçka nuk ishte në rregull erdhën nga qytetarët finlandezë matanë kufirit, të cilët kishin vërejtur një flakë të madhe në horizont këtë verë.

Portovaya ndodhet afër një stacioni kompresorësh në fillim të gazsjellësit “Rrjedha Veriore 1”, me të cilin i çohet gaz Gjermanisë.

Furnizimi përmes këtij gazsjellësi është kufizuar që nga mesi i korrikut. Rusët i kanë fajësuar problemet teknike për kufizimet. Gjermania thotë se ky ka qenë veprim i pastër politik pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.

Megjithatë, nga qershori, hulumtuesit kanë vërejtur rritje të konsiderueshme të lirimit të nxehtësisë nga qendra e gazit, që mendohet se po shkaktohet nga djegia e gazit natyror.

Përderisa djegia e gazit është e zakonshme në qendrat e trajtimit të tij – zakonisht e bërë për arsye teknike ose të sigurisë – shkalla e kësaj djegie i ka habitur ekspertët.

“Kurrë nuk kam parë një qendër të gazit natyror duke lëshuar flakë kaq shumë”, tha Dr. Jessica McCarty, eksperte e të dhënave satelitore në Universitetin e Miamit në Ohio.

“Duke filluar rreth qershorit, ne pamë këtë majë të madhe dhe ajo thjesht nuk zhdukej. Ka qëndruar e lartë në mënyrë shumë anormale”, tha ajo.

Mark Davis është shef ekzekutiv i kompanisë “Capterio”, e cila është e përfshirë në gjetjen e zgjidhjeve për djegien e gazit. Ai thotë se kjo flakë nuk është aksidentale dhe ka më shumë gjasa që është vendim i qëllimshëm, i marrë për arsye operacionale.

“Operatorët shpesh ngurrojnë shumë që t’i mbyllin qendrat nga frika se rihapja e tyre mund të jetë teknikisht e vështirë ose e kushtueshme dhe ndoshta kështu është puna këtu”, tha ai.

Disa të tjerë besojnë se mund të ketë sfida teknike për menaxhimin e vëllimit të madh të gazit me të cilin po furnizohet gazsjellësi “Rrjedha Veriore”.

Kompania ruse e energjisë, “Gazprom”, mund të ketë pasur për qëllim që ta përdorë këtë gaz për të prodhuar gaz të lëngëzuar natyror, por mund të jetë ballafaquar me probleme për menaxhimin e tij dhe opsioni më i sigurt ka qenë djegia.

Veprimi i djegies mund të jetë edhe rezultat i embargos tregtare që Evropa ia ka vendosur Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

“Ky lloj i djegies afatgjate mund të thotë se atyre po u mungojnë disa pajisje. Prandaj, për shkak të embargos tregtare me Rusinë, ata nuk mund të prodhojnë valvula të cilësisë së lartë, që janë të nevojshme për përpunimin e naftës dhe të gazit. Pra, ndoshta janë disa valvula të thyera dhe ata nuk mund t’i zëvendësojnë ato”, tha Esa Vakkilainen, profesor i inxhinierisë energjetike në Universitetin LUT të Finlandës.

Kompania “Gazprom” nuk i është përgjigjur kërkesës për koment.

Shkencëtarët thonë se kostot financiare e mjedisore rriten secilën ditë që flaka vazhdon të qëndrojë aktive në qendrën e përpunimit të gazit.

“Përderisa arsyet e sakta për flakën janë të panjohura, vëllimi, lirimi dhe vendndodhja e flakës janë përkujtim i dukshëm i mbizotërimit të Rusisë në tregjet energjetike të Evropës”, tha Sindre Knutsson nga kompania “Rystad Energy”.

“Nuk ka mundur të ketë sinjal më të qartë – Rusia mund t’i ulë çmimet e energjisë që nesër. Ky është gaz që ndryshe do të ishte eksportuar përmes Rrjedhës Veriore 1 ose përmes rrugëve alternative”, shtoi ai.

Çmimet e energjisë u rritën në masë të konsiderueshme pas largimit të kufizimeve në pandemi dhe pas kthimit të ekonomisë në gjendje normale. Shumë vende pune e qendra industriale patën papritmas nevojë për më shumë energji në të njëjtën kohë, duke vënë presion të pashembullt mbi furnizuesit.

Çmimet u rritën përsëri në shkurt të këtij viti, pas fillimit të sulmit ushtarak rus në Ukrainë. Qeveritë e vendeve evropiane kanë kërkuar mënyra për të importuar më pak gaz e naftë nga Rusia, e cila më parë ofronte 40 për qind të gazit të shfrytëzuar në vendet e BE-së. Ky veprim shkaktoi rritje të re të çmimeve.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme