Siç edhe pritej - Sali Berisha kërkon dorëheqjen e Ramës për skandalin McGonigal
Vazhdon edhe më tutje të jetë në qendër të vëmendjes dyshimi i përfshirjes së kryeministrit shqiptar, Edi Rama në skandalin e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal.
Në një konferencë për media, ish-kryeministri shqiptar tha se kreu socialist duhet të japë dorëheqje, duke e etiketuar si armik të egës të lirisë, identitetit e interesit të shqiptarëve.
Gjithashtu, ai u bëri thirrje demokratëve shqiptarë që të bëhen bashkë përballë siç e quajti ai, demon të pushtetit.
“Jam këtu për të kërkuar, largimin e menjëhershëm, dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës nga detyra e kryeministrit. Jam këtu për të deklaruar se për PD-në, popullin opozitar, është absolut dhe i panegociueshëm.
Prevalon, mbizotëron mbi çdo gjë tjetër. Pa largimin e këtij armiku të egër, të lirisë, identitetit dhe interesit të shqiptarëve, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë zhvillim tjetër. Demokrate dhe demokratë kudo që janë, në Shqipëri dhe jashtë saj, duhet të mobilizohen për betejën finale me këtë kalbësirë, monstër, demon të pushtetit”, tha Berisha.
