Sibel Halimi për videon e VV-së: 100 sekonda propagandë për të mbuluar paaftësinë qeverisëse - NACIONALE

Sibel Halimi për videon e VV-së: 100 sekonda propagandë për të mbuluar paaftësinë qeverisëse

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ndaj videos së publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar edhe zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.

Duke e quajtur qeverinë Kurti, ‘kinostudio’, përmes një postimi në rrjetet sociale, Halimi ka thënë se ata kanë publikuar një ‘tjetër produkt të dështuar të propagandës së vet’.

Duke përmendur shkrimin e gazetës sllovene për transaksione në vlerë 100 milionë euro, ku ndërlidhet ambasadori Martin Berishaj dhe kryeministri Kurti, Halimi ka thënë se ky pushtet funksionon duke mbuluar një skandal me një skandal tjetër.

“Pas shkrimit në gazetën sllovene, ku flitet për transaksione në vlerë 100 milionë euro, të cilat e ndërlidhin ambasadorin Martin Berishaj me Kurtin, partia në pushtet doli me një video 100-sekondëshe. Qeveria që sillet si opozitë edhe pas gati dy viteve në pushtet, vazhdon të tregojë mjerimin e saj, dështimin spektakolar dhe mungesën e projekteve e rezultateve, përmes videoklipeve të tilla ku fajëson gjithë të tjerët,” ka shkruar Halimi.

Ndër të tjera, Halimi ka thënë se fakti që Kurti nuk e shkarkon ambasadorin në fjalë, tregon për një lidhje ‘krejtësisht të çuditshme’ mes tyre.

Zëdhënësja e LDK-së, po ashtu ka shkruar për çmimet e larta të ushqimeve, duke përmendur faktin se qeveria ka gati një milliard euro në arkë.

Duke komentuar më tej videon e VV-së, Halimi ka thënë se, “nuk ka propagandë të shfrenuar që e mbulon jetesën e rënduar, si pasojë e padijes dhe paaftësisë qeveritare.”

Ajo ka shtuar se ky realitet i hidhur jetohet e përjetohet çdo ditë nga qytetarët, ndërkohë që pushtetarët kanë prioritete të tjera.

Duke e quajtur gjithë situatën një ‘pandjeshmëri njerëzore’ që po i shkakton pasoja të mëdha Kosovës, Halimi ka thënë se qeveria do të marrë ndëshkimin e merituar elektoral.

Lajme të ngjashme