Si (s’)po ia kuptojnë amerikanët Kurtit “sundimin e ligjit”
“Do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë...kompromis me sundimin e ligjit dhe kushtetuetshmërinë nuk bëjmë”.
Me këtë frazë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do ta përkufizonte dhe reduktonte qëndrimin e tij refuzues dhe shpërfillës ndaj planit tre-pikësh për shtensionim në veri hiç më larg se dje pas konfirmimit të nisjes së masave ndëshkuese – për herë të parë në histori të shtetit – nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Sundim i ligjit”, është bërë tashmë fjalia me të cilin ai deflekton çdo propozim, qoftë amerikan e qoftë evropian. Me stërpërsëritjen e kësaj fraze, e cila gjithsesi se duhet të jetë e nënkuptuar sikur se “të gjithë beqarët janë të pamartuar”, amerikanët u shfaqën të pakënaqur.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta shihnin me dyshim tejet të madh këtë; sepse sipas tyre, sundimi i ligjit te kryeministri kosovar del të jetë i përzgjedhur e selektiv për çka dhe kur.
“Kemi dëgjuar mjaft nga kryeministri Kurti për sundim të ligjit”, tha javë më parë Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Eurazisë, Gabriel Escobar, në një konferencë online me gazetarë.
Këtu ai nisi të numëronte disa aspekte të sundimit të ligjit të cilat Kurti nuk i zbaton dhe në rend të parë ai numëronte Asociacionin.
“Nëse dëshiron të flasësh për sundimin e ligjit, themelimi i Asociacionit është sundim i ligjit”, do ta shtjellonte ai logjikën përfundimtare të “sundimit të ligjit” nëse “sundimi i ligjit” është gjithçka për Kurtin.
Por, jo vetëm këto. Escobar vazhdoi të numëronte aspekte të “sundimit të ligjit”, të cilat sipas tij, nuk janë zbatuar. Do të niste me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat/tokat e Manastirit të Deçanit, në atë se një shtet i së drejtës zbaton dhe nuk i diskuton vendimet e Gjykatës së saj Kushtetuese, dhe në veçanti kur e citon aq shumë vendimin e Gjykatës Kushtetuese si justifikim për mosthemelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe. Me këtë, Escobar do të prodhonte “përgënjeshtrimin” ndaj Kurtit se krejt çfarë po bën është sundim i ligjit.
Tjetra, që Escobar numëroi si aspket të sundimit (të pazbatuar) të ligjit ishin Rekomandimet e Komisionit Evropian dhe të Komisionit të Venecias në lidhje me shpronësimet e kohëve të fundit në pjesën veriore të vendit, përkatësisht në zonat Dren dhe Leshak të Komunës së Leposaviqit, ku kishte urdhëruar ministritë përkatëse të nisnin proceset e shpronësimeve rreth shpalljes së atyre zonave si “të interesit publik” me ç’rast synohej ndërtimi i një stacioni të ri policor-kufitar. Për këto shpronësime Qeveria e Kosovës do të kritikohej ashpër edhe nga mbështetës të mëdhenj të tij si Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.
Aspekti tjetër i sundimit të ligjit që do ta merrte vëmendjen e Gabriel Escobar-it ishte përdorimi kushtetues i gjuhëve, në këtë rast përdorimi i gjuhës serbe, e cila, sipas tij, nuk po zbatohej.
Por, Escobar, kryepremisë për “sundim të ligjit” do ta kthente sërish Asociacionin. Dhe atë duke qenë se është marrëveshje kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, si marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.
“Duke e refuzuar këtë obligim, Kosova po e refuzon obligim evropian sepse është marrëveshje edhe mes Kosovës dhe BE-së. Nuk po i kërkojmë të bëjë diçka që nuk duhet ta bëjë, po i kërkojmë ta bëjë brenda kornizave. Çfarë nuk kuptojmë është se pse Qeveria e Kosovës refuzon të pranojë obligimet e saj ligjore. E kemi dëgjuar Kurtin të thotë se do vetëm sundimin e ligjit. Nëse duam të flasim për sundim të ligjit Asociacioni është pjesë e tij”, ka thënë ai.

