Si spirrat nga cungu – pse ka kaq shumë parti politike shqiptare në Maqedoni? - NACIONALE

Si spirrat nga cungu – pse ka kaq shumë parti politike shqiptare në Maqedoni?

1 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Nga vjeshta e 1990-s e deri më sot, shqiptarët e Maqedonisë panë me sytë e tyre tek u themeluan e çthemeluan afro 30 parti politike. Mesatarisht i bie se për çdo pesë vjet lindën katër parti të reja. Nga partia amë u krijuan parti bija, e prej tyre partiza mbesa në një proces të pambarimtë faksionalizimi. Figurativisht, organizimet e këtilla politike i ngjajnë një cungu që me sëpatë shkurtohet në drunj e pastaj në spirra. E vajtuar nëpër komentarë e analiza të ndryshme si fatkeqësi e shqiptarëve, e shpesh edhe si përçarje proverbiale, ende deri më sot nuk i është dhënë përgjigjje pyetjes se përse shkapërderdhen partitë politike shqiptare. NACIONALE sjell një vështrim të ri mbi këtë dukuri që duket të jetë më pak alarmuese sesa që duket. Në kompeticionin politik, partitë janë bashkime grupesh e faksionesh të ndryshme. Kurdo që humbet drejtpeshimi i brendshëm mes militantëve dhe oportunistëve, partitë e gjejnë veten mes ngatërresash që prodhojnë parti e partiza të reja.

Col Mehmeti

13 mars 2026 –
Panorama e partive politike shqiptare në Maqedoni të Veriut po ndryshon nga muaji në muaj e nga viti në vit.

Para do dite, Prekazi u përmend si vend simbolik ku do të kryhej rituali i bashkimit të koalicionit VLEN në një parti të vetme.

Por ky prospekt është bërë i zymtë tani kur në tri partitë e besëlidhjes kanë shpërthyer paralelisht përçarje të reja.

Në gazepin më të madh gjendet Lëvizja Besa, parti kjo e njohur për lindshmëri të partizave të reja.

E themeluar më 2014 si parti me nuanca islamiste, ‘besa’ e partiakëve nuk zgjati më shumë se katër vjet.

Pas shamatave të brendshme me kuvende e kundërkuvende, pjesa kryengritëse e partisë e shpalli themelimin e ‘Alternativës’.

Trauma e skizmës nuk është faqe e mbyllur e historisë.

Partia e Bilall Kasamit tani është në hall me Fatmir Limanin, i cili në qeverinë e Mickoskit mban portofolin e ministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

Katër vjet pas largimit nga BDI-ja dhe bashkëngjitjes në radhët e Lëvizjes Besa, veprimtari nga Kërçova është në bela me kreun e partisë, Bilall Kasami.

As partia tjetër e VLEN-it, Lëvizja Demokratike e udhëhequr nga kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, nuk është imune nga dasitë e para.

Disa aktivistë notorë të saj veçse janë dorëhequr këtyre ditëve ose kanë kërcyer te BDI-ja.

Një Aleancë, shumë ‘aleanca’

E bërë pikë e pesë paraqitet Aleanca për Shqiptarët, e cila nga 2024-a u shpërderdh në tri ‘aleanca’ rivale.

Fesati nisi kur Arben Taravari më 2024 filloi flirtin me partitë që po besatoheshin si VLEN.

Skizma mes bashkëpartiakëve krijoi dy parti me emra homonimë, që për t’u dalluar nga njëra-tjetra nisën të quheshin ‘krahu i Ziadin Selës’ dhe ‘krahu i Arben Taravarit’.

Ndërsa zënka e pazgjidhur trokiti në derën e Gjykatës dhe vula zyrtare kaloi herë te njëri taraf e herë te tjetri, Aleanca për Shqiptarët kreu edhe një lindje tjetër.

Një pjesë e saj, në krye me Arben Fetain, nuk deshi të shkëputej nga koalicioni VLEN kur krahu i Taravarit i tha lamtumirë Qeverisë së Mickoskit.

Si dramë serialesh turke

I zënë ne gojë ç’prej vitit të kaluar, bashkimi i tri partive në një parti të vetme, që do të akronimizohej si VLEN, është kthyer në një dramë maskarallëku si në serialet turke.

Shkarkimi i kryesive aktuale të partive dhe formimi i strukturave të njësuara me hise të barabartë nuk duket se po shkon mbarë.

Sado propozimet për kryetarë rotativë duken të bukurtingëllueshme, dera e pakënaqësive po rri e hapur.

Hëpërhë, fati i VLEN-it duket si ecja e pehlivanit në litar.

Shkarkimi i mundshëm i dy ‘rebelëve’ nga portofolet shtetërore – Arben Fetai nga pozita e zëvendëskryeministrit dhe Fatmir Limani nga pozita e ministrit të Politikës Sociale – iu ka dhënë jetë mërmëritjeve se një ose dy parti të reja mund të shfaqen në horizont.

Pse kaq shumë përçarje?

Nëse përçarja politike dhe paqëndrueshmëria e partive politike përbën strumbullarin e pafund shkrimeve dhe komenteve, të pakta janë shkoqitjet shkencore për këtë dukuri në realitetet shqiptare në Maqedoni.

Ç’shtysë e brendshme ose e jashtme ndikon që partitë politike të jenë kaq lehtësisht të eptueshme?

Pse partitë amë lindën parti bija dhe këto të fundit partiza të reja?

Se partitë politike gëlojnë më shumë mosmarrëveshje e përplasje, kjo është thuaja praktikë e gjithëgjendshme.

Lehmann: “Partia është gjithmonë e përçarë”

Duke e pleqëruar këtë çështje, studiuesi gjerman Felix Lehmann e sheh si dukuri gati universale që partitë politike të kenë heterogjenitet, mospajtime e fërkime të brendshme.

Teoritë e gjertanishme, sipas tij, e huqin fillin e problemit meqë e vënë theksin ose te roli i publikut, ose te partitë kundërshtare.

Duke e qortuar bindjen e pathemeltë se partitë janë aktor unitar, Lehmann priret të vramendet më tepër për ndarjet ideologjike.

Në rrethanat shumëdimensionale të kompeticionit partiak, çështjet e papritura e të mprehta, si emigrimi, kanë fuqi sa për të plasaritur radhët e të njejtës parti.

Sipas tij, këto përplasje formësojnë vetë sjelljen e partive në garën e madhe politike.

Për këtë arsye, krerët e partisë gjithçka bëjnë është përpjekja për “ta mbajtur bashkë ekipin”.

T’i mbash ‘robtë e shpís’ nën një çati

Kur ndodh fesati i brendshëm, sipas Lehmannit, strategjia e brendshme e partisë me tahmin do ta ndjekë njërin nga këta sokakë.

Partia mund ta vërë theksin te çështjet që janë me bereqet për anëtarët (“salience theory”); partia i përshtat qëndrimet e saj për të ndjellur votues (“spatial theory”), dhe partia qëllimisht i mban si të turbullta qëndrimet e saj (“blurring/ambiguity theory”).

Dhe kur plasaritjet kanë vraguar pakthyeshëm partinë, atëherë udhëheqja partiake ndodhet kundrejt një udhëkryqi mundësish.

Partia mund t’i shmangë çështjet e ndjeshme gjatë fushatave (“issue avoidance”); mund ta ndryshojë pozicionin e partisë sa për t’i akomoduar e marrë me të mirë faksionet e brendshme (“position change”); apo edhe ta përvijojë një pozicion si të mjegullt vetëm e vetëm që ta shmangë pezmatimin e konfliktit te brendapërbrendshëm.

Oportunistët kundër militantëve dhe militantët kundër oportunistëve

Në këto shina teorizimi afrohet edhe modeli Roemer i garës politike.

Edhe ky model e pranon që partia nuk është një aktor unik, dhe se ajo është e lindur për të qenë me faksione.

Kështu, sipas modelit Roemer, secila parti ka brenda vetes tre tarafe: (1) oportunistët që duan të maksimizojnë votat; (2) militantët që duan paqllëk ideologjik; dhe (3) reformistët që kërkojnë kompromis mes ideologjisë dhe suksesit zgjedhor.

Kësodore, platforma zgjedhore lind kur ka marrëveshje mes tre tarafeve.

Sipas modelit Roemer, partia mbetet stabile sa kohë secili faksion pajtohet që drejtimi i tashëm politik është më i hajrit sesa politikat e tjera – një gjendje kjo që quhet “Party-Unanimity Nash Equilibrium “.

Partia ia heq dhéun vetes nën këmbë vetëm kur përballet me dy gjendje.

Në disa raste, militantët ndjehen të tradhtuar nga partia, me ç’rast ata e braktisin ‘shtëpinë’ ose nisin themelet e një partie me theks ideologjik.

Në të tjera raste, oportunistët braktisin kufizimet ideologjike kur vija militante e zapton drejtimin e partisë.

“Partitë janë koalicione e jo dhe aq përfaqësuese votuesish”

Politologu amerikan, Christopher Baylor i mbahet idesë që partitë politike më së miri kuptohen kur shihen ose si koalicione apo faksione të organizuara, ose si vegla kandidatësh për të fituar zgjedhjet.

Vështruar nga kjo dritë, partitë nuk janë vetëm përfaqësuese votuesish siç mund të mendohet, por koalicione të formuara nëpërmjet faksioneve dhe politikanëve ambiciozë.

Njëra teori e sheh partinë si të formuar prej bashkimeve, organizimeve biznesnore apo grupeve fetare që nuk mund t’i fitojnë dot zgjedhjet me takat të vet, ndaj lidhin aleanca ose themelojnë parti për të nominuar kandidatë.

Tjetra teori e sheh partinë sipas modelit të qendërzuar te kandidati, ku partitë janë veçse vegla në duar politikanësh për të fituar zgjedhje.

Nga PPD-ja deri më sot, afro 30 parti

Sipari i demokratizimit të peizazhit politik në Maqedoni u hap me zgjedhjet e 11 nëntorit 1990, në të cilat shënoi humbje Lidhja e Komunistëve të Maqedonisë dhe sundimi i saj 45-vjeçar.

Me hapjen e kapitullit të pluralizmit, partia e parë shqiptare qe Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) nën prijën e Nevzat Halilit.

Nga kjo parti amë do të përvijëzoheshin plasaritjet e para me krijimin e PPDSh-së (dhe më vonë PDSh-së) nën prijën e Arbën Xhaferit.

Së shpejti, shqiptarët u njohën edhe me Partinë Demokratike Popullore (1990-1997) të udhëhequr nga Iljaz Halimi.

Deri në luftën e 2001-shit, në skenën politike parakaluan edhe parti të tjera më të vogla, si Partia Demokratike Kombëtare e udhëhequr nga Kastriot Haxhirexha; Partia Liberal-Demokrate Shqiptare e udhëhequr nga Hisen Ramadani; Partia Republikane e Unitetit Popullor e Nevzat Halilit; Partia e Aksionit Demokratik; Alternativa Demokratike e udhëhequr nga Asllan Selmani; dhe Partia për Bashkimin Demokratik Shqiptar e udhëhequr nga Besnik Telai.

Kur lindi BDI-ja që i rezistoi kohës

Megjithatë, 5 qershori i vitit 2002 u bë kthesëshënues në rrugëtimin politik të shqiptarëve në Maqedoni.

Asodite në Tetovë u themelua Bashkimi Demokratik për Integrim, në krye të të cilit u vu komandanti i UÇK-së, Ali Ahmeti.

Për nga jetëgjatësia në pushtet, kjo parti është e para në Maqedoninë e pas viteve ’90, duke i tejkaluar edhe rivalet e saj nga kampi maqedonas (VMRO-DPMNE dhe LSDM).

Më 2002, ajo fitoi pjesën më të madhe të votave duke krijuar qeveri koalicioni me LSDM-në.

Më 2006, ajo kaloi në opozitë, ndonëse ishte partia më e votuar shqiptare.

Nga 2008 deri më 2016, BDI-ja vazhdoi të ishte partia fituese në kampin shqiptar duke qenë hisedare në qeveritë e 2008-s, 2011-s dhe 2014-s.

Ajo ishte pjesë e qeverive edhe me LSDM-në nga 2017-a deri më 2024.

Sidoqoftë, edhe BDI-ja nuk kaloi pa skizma.

Në vjeshtën e 2015-s u formua partia ‘Uniteti’ që bëri bashkë Gëzim Ostrenin dhe të tjerë të pakënaqur; kurse më 2023 Izet Mexhiti krijoi Lëvizjen Demokratike.

Shkokëlime

Pas 2001-s pati parakalime edhe të partive të tjera të vogla minimale ose pa ekzistencë parlamentare, si Demokracia e Re e Imer Selmanit (e shkëputur nga PDSh), Rilindja Demokratike Kombëtare e Rufi Osmanit dhe Bashkimi Demokratik Shqiptar i Bardhyl Mahmutit.

Përçarjet më së shumti e goditën PDSh-në e Menduh Thaçit.

Kur kjo parti e përjashtoi nga radhët e saj Ziadin Selën, ky i fundit më 22 mars 2015 e themeloi Lëvizjen për Reforma në PDSh, e cila dy vitë më vonë do të quhej si ‘Aleanca për Shqiptarët’.

E njohur shpesh si parti që bënte së toku eksponentë islamistë e turkofilë, Lëvizja Besa nuk iu shmang dot shkapërderdhjes së radhëve të saj.

Të pakënaqurit e saj në krye me Afrim Gashin krijuan partinë ‘Alternativa’, prej të cilës lindi edhe partia e re ‘Populli’ në krye me Skënder Rexhepi-Zejdi, ashtu sikurse edhe Partia Demokratike Evropiane e Arianit Hoxhës. /Nacionale/

Lajme të ngjashme