Si nxënës shkolle që e kupton se askush s'e do: The Times bisedon me Kurtin, thotë që diplomatët flasin keq për të privatisht
Kryeministri Kurti ka folur edhe me një medium tjetër prestigjioz ndërkombëtar, por ku fatkeqësisht i paraqiten shumë pak fjalë. Artikulli paraqet gati më shumë fjalë të diplomatëve perëndimorë – e të cilat janë shumë të rënda – dhe ku Kurti portretohet në mënyrë mjaft të shëmtuar. Çka thuhet në atë artikull?
“Kryeministri i Kosovës duket i lënduar si një nxënës shkolle që ka menduar se ka bërë gjithçka mirë për t’u përshtatur e megjithatë e kupton se askush s’e do.” – nis artikulli i The Times në intervistën me kryeministrin Albin Kurti.
Ky artikull titullohet "Nuk do t'i kënaq miqtë e Putinit, thotë kryeministri i Kosovës."
Tutje vazhdohet duke treguar se si kryeministri Kurti është “i papenduar” për veprimet e tij, derisa tregohet se si është ndëshkuar nga ShBA-të me përjashtim të FSK-së nga një ushtrim i udhëhequr nga NATO.
“Na vyen ndihma e ShBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së. Por kjo ndihmë nuk duhet të jetë në drejtimin e kënaqjes së autokratëve.” – i ka thënë z. Kurti, kësaj gazete.
Më tutje, shkruhet kjo fjali:
“Por, (kriza e fundit) nuk e ka vënë vetëm Kurtin kundër Vuçiqin, por e ka vënë edhe Kurtin kundër forcave që me intervenimin e tyre ushtarak kundër ish-liderit serb Sllobodan Millosheviq më 1999, çuan drejt pavarësisë së Kosovës.”
Tutje, gazetari përshkruan krejt zhvillimet e fundit në Kosovë, dhe veprimet e kryeministrit Kurti që sipas tij kanë bërë që ai të denoncohet ashpër nga zyrtarët perëndimorë, bile edhe më ashpër se fjalët që i kemi dëgjuar në publik.
“Emisarët e Perëndimit shpërthyen, duke e quajtur Kurtin të papërgjegjshëm, dhe privatisht, edhe më keq.”
Çka "edhe më keq" nuk është treguar!
Por, Kurti duket se ia tha të njëjtat fjalë që i përsërit në Prishtinë edhe gazetarit Richard Spencer në këtë bisedë, duke mos u lëkundur nga qëndrimet e fundit. Por, diplomatët duket se po ashtu janë të rëndë në komente.
“Diplomatët sugjerojnë që Kurti, 48 vjeçar, që garoi me premtimin për anti-korrupsion, po provon ta bëjë veten si Zelenskyin e ri. Ata thonë që Kosova është shumë ndryshe nga Ukraina, enklava serbe më shumë si Irlanda e Veriut se sa si Donbasi. Të kërkosh nga serbët që ta harrojnë Beogradin është njësoj si të kërkosh nga katolikët irlandezoveriorë që ta harrojnë Dublinin.” – shkruan tutje Spencer për The Times.
Por pritni, ka edhe më keq:
“Kurti është në mohim në lidhje me fuqinë e ndjenjave në veri, thonë ata, dhe duke i quajtur bandat që sulmuan zyret komunale si “milici fashiste” ai po i çon serbët e zakontë në radhët e tyre.”
Kurti ditët e fundit ka bërë intervistë për një numër të madhe mediesh prestigjioze, përfshirë BBC, NBC e CNN. Për dallim nga ato intervista, këtë të fundit ai nuk e ka shpërndarë deri tash në profilet e tij në rrjete sociale.

