Si mund ta ndryshojnë luftën tanket e ShBA-së, Gjermanisë e Britanisë? - NACIONALE

Si mund ta ndryshojnë luftën tanket e ShBA-së, Gjermanisë e Britanisë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

A është kjo java, kur lufta u kthye në mënyrë dramatike në favor të Ukrainës? Sigurisht, ishte një moment vendimtar, pasi disa vende perëndimore konfirmuan se përfundimisht janë të gatshme që të ofrojnë tanke për Ukrainën.

Gjermania tha se do të dërgojë tanke “Leopard 2”, ndërsa Shtetet e Bashkuara tanke “M1 Abrams”. Britania e Madhe dhe Polonia tashmë kanë dhënë premtime konkrete dhe pritet që këtë rrugë ta ndjekin edhe disa shtete të tjera. Disa komentues i kanë përshkruar këto veprime si “ndryshuese të lojës” potencialisht.

Por a mjaftojnë tanket për ta fituar luftën?

Ben Barry, anëtar i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, i ka thënë televizionit BBC se tanket perëndimore do të bëjnë një dallim. Megjithatë, ish-pjesëtari i ushtrisë britanike ka paralajmëruar se premtimet e dhëna deri më tani kanë pak gjasa që të dalin vendimtare.

Në luftërat moderne, tanket kanë qenë element kyç për operacionet e sulmit – për t’i goditur vijat e armikut dhe për të rimarrë territore.

Nëse përdoren në mënyrë efektive, tanket ofrojnë fuqi lëvizëse të zjarrit, mbrojtje, tmerr dhe befasi. Kur janë në grumbull, ato mund t’i zhvendosin sistemet mbrojtëse të armikut, por tanket kanë nevojë edhe për përkrahje me artileri për t’i dobësuar së pari ato sisteme dhe pastaj për përkrahjen e këmbësorisë për ta mbajtur nën kontroll territorin që është rimarrë.

Historia tregon se tanket të vetme nuk fitojnë beteja. Britanikët së pari kishin përdorur qindra tanke në Betejën e Cambrai-t në nëntorin e vitit 1917 – për t’i dhënë fund ngërçit të luftës statike nëpër llogore. Fillimisht shënuan avancime të konsiderueshme, por shumë tanke shpejt u prishën dhe një kundërsulm i gjermanëve i shndërroi fitoret britanike në humbje.

Tanket mund të përdoren edhe për t’u mbrojtur. Më 1940, ato u përdorën nga forcat britanike e franceze që po tërhiqeshin në Arras për ta ndalur pushtimin nazist, duke e mundësuar evakuimin e trupave britanike nga Dunkirk-u.

Megjithatë, Ukraina ka bërë të qartë se i dëshrion tanket jo vetëm për të ndalur ndonjë ofensivë të mundshme ruse në pranverë, por edhe për ta rimarrë territorin e vet, pra për të shkuar në sulm.

Si mund t’i përdorë Ukraina tanket?

Nuk do të kishte kuptim që Ukraina t’i shpërndante tanket shtesë përgjatë vijës së frontit që është mbi një mijë kilometra e gjatë. Për ta thyer mbrojtjen ruse, Ukraina duhet t’i përqendrojë forcat e veta – mundësisht në një zonë mes pesë e njëzet kilometrash.

Hamish de Bretton-Gordon, ish-kolonel në Regjimentin Mbretëror të Tankeve të ushtrisë britanike, thotë se për arritje të rëndësishme, numrat kanë peshë. Një brigadë me automjete të blinduara, për një operacion domethënës të ofensivës, normalisht do të kishte nevojë për të paktën 70 tanke. Prandaj më shumë se 100 tanke perëndimore do të mund të bënin një dallim të madh, thotë ai.

Pastaj është përkrahja shtesë që kërkohet për atë që ushtria e quan “manovrim i kombinuar i armëve”. Britania nuk do t’i dërgojë Ukrainës vetëm 14 tanke “Challenger”, por edhe 30 obusë dhe automjete të blinduara për t’i transportuar e mbrojtur ushtarët.

Në pakon e re të përkrahjes ushtarake përfshihen edhe automjete për shpërthimin e minave dhe për vendosjen e urave, me fjalë të tjera, elemente thelbësore për ndonjë operacion ofensive.

Shtetet e Bashkuara do t’i dhurojnë Ukrainës më shumë se 100 automjete të blinduara “Bradley” e “Struker”, ndërsa Gjermania 40 automjete luftarake “Marder” si dhe tanke.

Tanket janë “maja e shigjetës”, të dizajnuara për të lëvizur shpejt në terren të hapur. Tanket “Challenger 2”, “Leopard 2” dhe “M1 Abrams” janë më të shpejta se shumica e tankeve ruse, sepse lëvizin mbi 40 kilometra në orë në terren të vështirë.

Për të marrë terren shpejt, me ndonjë element befasie, me gjasë do të nevojitej shmangia e zonave urbane, ku do të ishin më të rrezikuara nga sulmet. Rusia dëshmoi herët në luftë, gjatë përpjekjes së dështuar për ta rrethuar Kievin, se një kolonë e gjatë e automjeteve të blinduara në rrugë është e lehtë për t’u vënë në shënjestër.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme