“Shtylla amerikane” e Kurtit për Asociacionin: çfarë po thonë ShBA? - NACIONALE

“Shtylla amerikane” e Kurtit për Asociacionin: çfarë po thonë ShBA?

11 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Më 31 janar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – pati treguar vet – nuk ishte i thirrur nga ambasada amerikane në Prishtinë në takimin e parë për të biseduar rreth Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe. Po atë ditë Këshilltari i Lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe Zëvendë Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Eurazisë, Gabriel Escobar, do të botonin një Op/Ed me titullin “Koha për të themeluar Asociacionin/Zajednicën është tani”. Aty shpjegohej se “çka është” dhe “çka nuk është” ky Asociacion për nga botëvështrimi amerikan. Aty kishin skicuar se si këtij Asociacioni i paramendohej një rol koordinues mes këtyre komunave.

Një a dy muaj më vonë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë vizion të amerikanëve e kishte bërë të tij, natyrisht në heshtje. Në bisedimet maratonëshe të Ohrit ai atë Op/Ed e kishte bërë njërën nga tri shtyllat e tij, krahas kushtetuetshmërisë (2015) dhe garancës së BE’së (2015) të artikuluar në Letrën e Federica Mogherin-it. Ishte vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili të nesërmen në konferencë për media ankohej për këtë qëndrim të Kurtit. “Si mund të jetë një Op/Ed burim i së drejtës?”, pyeste ankueshëm ai në frekuencat kombëtare të televizioneve serbe.

Ishte një kohë kur amerikanët ishin futur seriozisht në lojë për të qendisur një ujdi mes palëve dhe më së hapuri ishte shprehur Derek Chollet. Në një bisedë me Financial Times ai e kishte dhënë paramendimin e tij. Hapi i parë në normalizimin e marrëdhënieve do të ishte “normalizim pa njohje të plotë”, pati thënë ai. “Do thotë njëfarë mënyre për ta vendosur Kosovën në rrugën Euro-Atlantike ku duam ta shohim”.

Derisa serbët eventualisht do të duhej të pranojnë një nivel sovraniteti, Kosova duhet që serbëve etnikë të saj t’u jap autonomi më të gjerë, në veçanti një bashkësi formale për komunat e saj të banuara me shumicë serbe në veri të vendit”.

Edhe Escobar, i angazhuar drejtpërsëdrejti në terren për kohë më të gjatë se Chollet në këtë çështje, kishte artikuluar pikëpamjen amerikane për këtë. Ishte në një intervistë vitin e kaluar në N1 ku ai mbase e kishte përmbledhur të tërën si në vijim.

Le të jemi tejet të qartë. Ato njerëz (serbët) në Kosovë janë qytetarë të dyfishtë: qytetarë edhe të Kosovës edhe të Serbisë. Pra, në këtë aspekt, të drejtat e tyre, në të dyja anët, duhet të jenë të mbrojtura. Si qytetarë të Serbisë ata kanë të drejtë votojnë dhe të marrin pjesë në jetën ekonomike dhe kulturore të Serbisë; por edhe si qytetarë të Kosovës ata kanë të drejtën e tyre të jenë të mbrojtur nga institucionet e Kosovës. Prandaj, ne ngulim në këmbë në këtë. Ne ngulim këmbë që të gjitha të drejtat demokratike të tyre të jenë të mbrojtura”, deklaronte ai.

Muaj më vonë, kur u shpalos Draft-Statuti nga Ekipi Menaxhues, një draft i cili nuk mbante as erë konsiderate për aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kurti doli nga takimi sërish duke u thirrir në “shtyllën amerikane” të artikuluar në Op/Ed-in e 31 janarit. Drafti i 2 majit ishte “në themel anti-kushtetues” dhe “dëshirë e zjarrtë për Republikë Serbe” në Kosovë. Kurti kishte shpaluar një “draft-Vizion” të tij, siç tha ai, të frymëzuar nga “modeli kroat”.

Amerikanët rifshaqen pas 2 majit...

Çfarë thanë Shtetet e Bashkuara, të cilët përbëjnë autoritetin më të madh në dëgjueshmërinë e palëve? Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar pati një vlerësim. Edhe vizioni i palës serbe edhe ai i palës kosovare “ishin serioze”,u tha ai gazetarëve në një konferencë online për media ditë më pas. Por, këtyre vizioneve “serioze” Escobar tha se duhet që edhe seriozisht t’i gjendjet një mes. Andaj, palët “duhet të gdhendin propozimet e tyre” për ta shkrirë në një model të pajtueshëm për të dyja palët, elaboroi ai. Sepse ky Asociacion, u shpreh i bindur Escobar, është edhe nisësi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke konfirmuar atë që pretendonte vetëm Serbia, se ata pa zbatimin e Asociacionit nuk nisin as zbatimin e marrëveshjes.

Në dritë me këtë, Escobar tha se ky Asociacion do të jetë “platformë për serbët etnikë” ndonëse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, (kur ishte kategorikisht dhe absolutisht kundër Asociacionit) shprehej se assesi nuk mund të ketë Asociacion të ndërtuar mbi parim etnike. Kjo platformë, sipas Escobar, do të adresojë “edhe disa prej anktheve – dhe disa prej tyre, do të thoja, janë goxho të arsyeshme – në lidhje me qeverinë qendrore në Kosovë”.

Tashmë situata është kështu, thotë Escobar: “Topi është në oborret e palëve për të nisur të gdhendin propozimet e tyre për t’i bërë më të pajtueshme për palën tjetër dhe të nisin të kërkojnë për një model të bëshëm evropian(...)”. Tash palët do të paraqesin “versionet më të rafinuara” të tyre për këtë Asociacion, sipas Escobar.

Escobar la të kuptojë se Asociacioni si i tillë do të vendoset në rishikim “parlamentar dhe ligjor”, dhe kjo për një arsye kryesore. “Që të sigurohet që ajo (Asociacioni) të bëhet i pakthyeshëm dhe pjesë qendrore e normalizim të marrëdhënieve”.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës janë tepër të përqendruara në sigurimin që kjo marrëveshje, për të cilën kemi punuar shumë, të bëhet realitet. Dhe ky realitet – nis me Asociacionin. Kjo – që normalizimi është i qendërzuar në të drejtat e pakicave, veçnaërisht minoritetit serb, në Kosovë. Prandaj është absolutisht kyçe. Andaj, është edhe pritshmëria jonë dhe do të thoja është kërkesa jon që të shkohet para në këtë”./Nacionale/

Lajme të ngjashme