Shtyhet reciprociteti, largohen barrikadat – ç’thonë njohësit e sigurisë për ngjarjet në veri - NACIONALE

Shtyhet reciprociteti, largohen barrikadat – ç’thonë njohësit e sigurisë për ngjarjet në veri

4 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Mediat që nga e diela kanë qenë të fokusuara në veriun e Kosovës, ndërkohë që situata tashmë është qetësuar dhe barrikadat janë hequr.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë për media më 1 gusht tha se nëntë barrikada “me persona të armatosur” kanë ndaluar banorët më 31 korrik dhe kanë qëlluar në drejtim të tyre.

“Mbrëmë ka pasur të shtëna në drejtim të Policisë së Kosovës dhe 9 barrikada me njerëz të armatosur të cilët kanë ndaluar qytetarët në automjete e ata këmbësorë. Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale, agresive si rrallë më parë. Nuk është e lehtë për shtetin tonë sepse ato i mbështet i gjithë aparati shtetëror i fqinjit tonë verior”, tha Kurti.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi ditën e djeshme se të nëntë barrikadat e ngritura nga serbët lokalë në veri të vendit u hoqën ditën e parë të këtij muaji.

“Liria e lëvizjes është e plotë dhe pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët”, njoftoi Sveçla.

Gjithë kjo rezultoi që vendosja e reciprocitetit për targa dhe dokumente me Serbinë të shtyhet 30 ditë për shkak të kërkesës së Ambasadës Amerikane drejtuar institucioneve të Kosovës pas trazirave në veri të vendit.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për një muaj ekzekutimin e vendimeve për reciprocitet, si pasojë e rritjes së tensioneve në veri. Kërkesë që u mor parasysh nga Qeveria Kurti.

Reciprociteti dhe barrikadat – çfarë mendojnë njohësit e çështjeve të sigurisë?

Eksperti i sigurisë dhe njohësi i çështjeve politike, Fadil Kajtazi, i tha Nacionales se vendimi për vendosjen e reciprocitetit nuk përbën diskriminim ndaj serbëve të Kosovës, por vendim i detyrueshëm që i kundërvihet sjelljes së shtetit serb ndaj Kosovës.

“Ne dhe askush nuk duhet ta vëmë në dyshim legjitimitetin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin. Së dyti, ky vendim nuk është diskriminues ndaj popullsisë serbe të Kosovës. Është një vendim i cili i kundërvihet një vendimi diskriminues të Qeverisë së Serbisë ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës, e i cili buron nga ideologjia njëqindvjeçare serbe e gjenocidit, përfaqësues i së cilës është Vuçiq”, tha Kajtazi.

Tutje, Kajtazi tha se barrikadat e vendosura në veri të vendit nuk janë kryefjala e problematikës së gjithë kësaj situate, por mënyra se si ka ardhur deri te vendimi për reciprocitet që ka rezultuar në këto pasoja. Ai ka sugjeruar se një vendim i tillë nuk guxon të merret nga Qeveria e Kosovës pa një presion diplomatik paraprakisht.

“Ajo që e komplikon situatën, nuk janë barrikadat, për arsye se ato janë pjesë e skenarit me të cilin shërbimet inteligjente serbe e filluan luftën në Kroaci dhe Bosnje. Problematike është mënyra e marrjes së vendimit, e cila i prodhon këto pasoja. Një vendim i cili ka ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk guxon të ndërmerret pa një aktivitet agresiv diplomatik. Siç po shihet nga reagimet e BE-së dhe SHBA-së, por edhe të Shqipërisë, diplomacia jonë është e përgjumur dhe nuk ka kryer punën e vet”, u shpreh njohësi i çështjeve të sigurisë.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për Nacionalen, vlerëson se gjendja në veri të vendit tregon realitetin e brishtë si shkak-pasojë e grupeve kriminale atje të cilat kanë si prapavijë kryeqytetin serb.

“Situata në veri të vendit që ka kapluar 24-orëshin e fundit tregon edhe një herë faktin që siguria në atë pjesë është e brishtë, duke llogaritur që në atë pjese veprojnë strukturat kriminale si edhe ato paraushtarake të Serbisë, të cilat kanë mbështetjen nga Beogradi”, tha Shala për Nacionale.

Tutje, ai tha se ndonëse ka shtrirje të institucioneve atje, mbetet sfidues kontrollimi i krimit të organizuar.

“Pra, pavarësisht shtrirjes së institucioneve të Kosovës në atë pjesë si në nivel lokal por edhe atij qendror, mbetet prapë sfidë e cila është parë në çdo aksion që ndërmarrin njësitë speciale në atë pjese në luftimin e krimit të organizuar dhe grupeve "terroriste" të cilët kanë adresën e tyre brenda institucioneve të sigurisë së Serbisë”, tha ai.

Më tej eksperti i sigurisë tha se vendimi i qeverisë për të pezulluar masën e reciprocitetin për një muaj përben sinjal ndërkombëtar që shteti i Kosovës mbetet i hapur për zgjidhje nëpërmjet dialogut.

“Vendimi i qeverisë së Kosovës që të tërhiqet masa e reciprocitetit për një periudhë 30-ditore është një sinjal në arenën ndërkombëtare që Kosova kërkon zgjedhje edhe përmes dialogut dhe bisedimeve ku në qendër mbetet njohja e Kosovës nga ana e Serbisë”, cilësoi Shala.

Në lidhje me situatën e krijuar, Shala u shpreh se vlerësimi i rrezikut duhet rikalkuluar kujdesshëm duke marrë si bazë ngjarjet e fundit.

“Por institucionet e sigurisë se Kosovës duhet të rikalkulojnë vlerësimin e rrezikut pas këtij 24-orëshit që lamë pas, duke analizuar informacionet relevante si dhe lëvizjet në terren që janë zhvilluar që nga fillimi i bllokimit të rrugëve, sirenat ne veri të vendit, sulmet me armë zjarri dhe një mori veprimesh të tjera, dhe mbi këto të nxirret një vlerësim dhe qëndrim që të minimizohet rreziku në aksione të tjera që pritet të ndodhin në atë pjese”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Lajme të ngjashme