Washington Post shkruan për tensionet në veri të Kosovës: Denoncohet Putini e Vuçiqi - NACIONALE

Washington Post shkruan për tensionet në veri të Kosovës: Denoncohet Putini e Vuçiqi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkrim i përkthyer nga The Washington Post

ISHAN THAROOR

Disa muaj pasi Rusia bëri invazion në Ukrainë, presidenti Vladimir Putin provoi të justifikonte luftën e tij duke bërë me gisht kah Ballkani Perëndimor. Në një takim me Sekretarin Gjeneral të OKB-së, Antonio Guterres, Putini përmendi trashëgiminë e intervenimit të NATO-s në ish Jugosllavi më 1999, një fushatë bombarduese që goditi shënjestrat në atë që ishte dikur Serbia dhe Mali i Zi në mënyrë që të ndalte sulmet serbe kundër shqiptarëve etnikë që po luftonin për autonomi (liri). Lufta e shkurtër dhe operacioni pasues paqeruajtës çoi në daljen e shtetit të pavarur të Kosovës.

Veprimet e aleancës Perëndimore, atëherë – nënkuptonte Putini – nuk ishin të ndryshme nga veprimet e forcave të tij që po provonin të garantonin pavarësinë e dy entiteteve separatiste të pro-Kremlinit në rajonin lindor të Ukrainës të njohur si Donbas. “Shumë shtete të Perëndimin e njohën (Kosovën) si një shtet të pavarur,” – i tha Putini Guterresit. “Ne e bëmë të njëjtën sa i përket republikave të Donbasit,”

Ka shumë arsye për të mos e marrë parasysh këtë analogji, jo vetëm për shkak se Rusia nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës dhe që me shumë potere qortoi luftën e NATO-s kundër aleatit të saj, Serbisë. Sulmet e NATO-s çuan në shumë civilë serbë të vrarë, por ato po ashtu ndihmuan në mënjanimin e spastrimeve tjera etnike të dhunshme në Ballkan dhe në stabilizimin e një krize që veçse kishte parë mijëra të vrarë dhe qindra mijëra njerëz të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Invazioni i Putinit, ndërkohë, është i definuar nga retorika gjenocidale e Kremlinit e po ashtu edhe nga raportimet për mizori të kryera nga trupat ruse. Miliona ukrainas po ashtu kanë ikur nga shtëpitë e tyre.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e sheh një paralele tjetër. Fitorja e luftëtarëve të Kosovës e mundësuar nga NATO-ja ndaj regjimit të ish presidentit serb Sllobodan Millosheviq ishte pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të drejta të njeriut, sundim të ligjit dhe parime demokratike. “Njëzet e tri vjet më parë këto vlera ishin në rrezik në Kosovë dhe përtej,” më kishte thënë Osmani gjatë një interviste në Washington të enjten. “Njëzet e tri vjet më vonë, është e njëjta gjë – këto vlera janë në rrezik në Ukrainë.”

Fushata e Rusisë ndaj Ukrainës nuk meriton asnjë cipë të legjitimitetit ndërkombëtar. Kjo pasqyron, sipas Osmanit, “prirjet e sëmura imperialiste” të presidentit të Rusisë.

Osmani ishte në Washington këtë javë bashkë me kryeministrin, Albin Kurti. Ata kishin takime me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, dhe e nënshkruan një marrëveshje investimesh me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit, që do t’i jepte infrastrukturës së energjisë në Kosovë 237 milionë dollarë.

Por në bisedën e saj me Today’s WorldView, Osmani po ashtu paralajmëroi për rreziqe më të gjera që po kaplojnë rajonin, ku influenca ruse historikisht ka luajtur rol të madh.

“Qëllimi i Putinit është të zgjerojë konfliktin në pjesë të tjera të botës,” – tha ajo. “Meqë qëllimi i tij ishte vazhdimisht destabilizimi i Evropës, ne mund të presim që një prej shënjestrave të tij do të jetë Ballkani Perëndimor.”

Menjëherë në këtë fundjavë, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u ndezën. Serbët etnikë në komunat me shumicë veriore në Kosovë bllokuan rrugët dhe u përleshën me Policinë si përgjegje ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës.

Mosmarrëveshja burokratike zgjoi tensionet shumë të mëdha që ziheshin në brendi. Top zyrtarët u përfshinë në luftë fjalësh. Kurti akuzoi Vuçiqin për nxitje të dhunës. Vuçiqi tha se dy palët “kurrë nuk kishin qenë në një situatë më komplekse se sot” por u zotua për një fitore serbe. Misioni i vogël i NATO-s në Kosovë u detyrua të lëshonte një komunikatë, ku thoshte se “ishte i përgatitur për të intervenuar nëse stabiliteti rrezikohet.”

Po ashtu, shqetësim të menjëhershëm përbën edhe situata në Bosnje - aranzhimi kompleks politik që mban bashkë boshnjakët, kroatët e serbët – po luhatet më shumë se kurrë. Analistët besojnë se Milorad Dodiku po kërkon një largim që mund të çojë në trazira të reja në rajon. Përpjekjet e tij kanë mbështetje të madhe në Moskë dhe Beograd.

Serbia është, në fund të fundit, një aleat historik i Rusisë, dhe sipas Osmanit “tokë pjellore” për operacionte e Putinit për influencë politike. Ndërkohë që shumica e liderëve të Evropës kanë ndjekur masa armiqësore kundër Kremlinit, Vuçiqi nuk po e bën këtë gjë. Ai ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër regjimit në Rusi. Ai nënshkroi një marrëveshje marramendëse të gazit me Moskën gjatë kësaj vere edhe pse pjesa tjetër e kontinentit po provon të reduktojë eksportet ruse të energjisë. Dhe ashtu si regjimi i tij nacionalist ka çuar drejt erozionit të demokracisë serbe, Vuçiqi po ashtu ka lejuar propagandën ruse që të mbetet operative në Serbi. Kjo propagandë luan një rol domethënës në ushqyerjen e polarizimit në rajon.

Analistët përmendim një sëmundje më të gjerë. “Në vend të një vizioni paqësor e prosperues evropian, ka rritje të sensit të stagnimit në të cilin secila prej ankesave historike rritet... dhe mundësia e një konflikti nxitet,” – shkruhej në raportin e fundit nga Grupi për Kriza Ndërkombëtare.

Osmani e sheh sjelljen e Vuçiqit si atë të një autokrati që nuk duhet të përkëdhelet. Përtej pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës, ajo përmend atë që ka bërë Beogradi për të provokuar jostabilitet në Bosnje e po ashtu edhe përpjekjet pro-Kremlin për të bërë puç në Mal të Zi në vitin 2016 për të penguar hyrjen e këtij vendi në NATO. Zgjatimet e vizioneve për “Serbinë e Madhe” gjallërojnë lëvizjen e Vuçiqit.

Të dielen, një anëtar i partisë së Vuçiqit madje edhe postoi në Twitter se Serbia mund të “detyrohej të niste denazifikimin e Ballkanit,” duke përdorur të njëjtën arsye që kishte përdorur Putini për pushtimin e Ukrainës. Vuçiqi “shikon vendet tona si vene të përkohshme dhe provon të mohojë vetë ekzistencën tonë,” kishte thënë Osmani.

Është “thjesht mënyra se si Putini e shikon Ukrainën, Moldavinë dhe shtetet tjera. Është ekzaktësisht e njëjta strategji.”

Serbia, për dallim nga Rusia, është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe zë një vend shumë më të komplikuar brenda Evropës. Por, gjeopolitika e re e nxitur nga invazioni rus në Ukrainë kanë vënë Vuçiqin me shpatulla pas murit.

“Ata kanë zgjedhur rrugën e tyre,” tha Osmani. “Në këtë kohë, rruga e Putinit dhe rruga e Bashkimit Evropian janë dy rrugë krejt të ndryshme që kurrë s’kanë qenë më lar, prandaj s’mund të ecni në të dyjat.”

Kosova, nëdrkohë, e di se cilin drejtim dëshiron ta ndjekë, por e ka një rrugë të komplikuar përpara. Asaj i mungon njohja e OKB-së; vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit mbetet një pengesë fondamentale; dhe ka ende një pjesë të madhe të komunitetit ndërkombëtar që nuk e ka njohur ende statusin e saj si komb të pavarur e sovran – përfshirë pesë vendet brenda Bashkimit Evropian.

Osmani beson që kjo mund të ndërrojë me zhvillimet aktuale.

Lajme të ngjashme