“Shtet i kapur; 200 euro gjobë”: Opozita e shoqëria civile e kritikon vendim ndaj Rozeta Hajdarit
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është dënuar me 200 euro për goditjen me makinë të një vajzeje të mitur vitin e kaluar. Ky vendim është kumtuar sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Avokati i palës së dëmtuar, Florim Shefqeti, i tha Nacionales se kanë kërkuar nga gjykata që ministres Hajdari t’i konfiskohet patent-shoferi. Mirëpo, ky vendim kanë gjallë reagime të opozitës dhe shoqërisë civile. Çka thanë ata?
Juristi e analisti, Arton Demhasaj ka reaguar pas shpalljes së dënimit të ministres Hajdari, ku ka thënë se në Kosovë dënohesh 200 euro për tejkalim në vijë të plotë.
“Për tejkalim ne vije te plote dënohesh 200 euro, për shkelje të një fëmije dënohesh 200 euro. Shtet hajgare... Po ti ishin në opozitë do kishin thanë shteti i kapur, tash qele guri gojën!” – ka shkruar Demhasaj në profilin e tij në Facebook.
Gazetari Parim Olluri ka komentuar vendimi e ulet të gjykatës ndaj ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari.
Olluri ka ironizuar me vendimin, duke thënë se është në pritje të kritikave të kryeministrit Albin Kurti për gjyqësorin, që ka shqiptuar dënim aq të ulet.
“Ne pritje te postimeve të Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Armend Mujes, Kusari-Liles e të tjerëve që e kritikojnë gjyqësorin për dënimin e lehtë prej afro 200 eurosh ndaj Rozeta Hajdarit. Hajdeni kritikojeni vendimin dhe rirërsëriteni se pse është i nevojshëm Vettingu.” - ka shkruar Olluri.
Nga ana tjetër ka reaguar edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Besian Mustafa, që sipas tij kaq vlerë ka për ta një fëmija, ku ka shtuar se dorëheqja e kësaj ministreje nuk mjafton, duke i quajtur pushtetarët të pafytyrë.
“Shumari n’mal me t’nxan me dru’ të dënon ma shumë! Ministrja e shkelë me veturë një vajzë 9 vjeçare, dënohet 200 euro. Kaq ka vlerë për ta një fëmi, 200 euro. E këta të flasin për kapje të shtetit e të gjykatësve. Këta të flasin për korrupsion. Vet janë të korruptuar edhe shpirtërisht! Plagosin fëmijë, e gjykatësit e kapur i dënojnë 200 euro! Dorëheqja e kësaj ministreje nuk mjafton! Jeni mbuluar kokë e këmbë në turp! Të pafytyrë!” – ka shkruar Olluri.
Çka tha avokati i palës së dëmtuar?
Me gjobën prej 200 eurosh është i pakënaqur avokati i familjes së vajzës e cila ishte viktimë e aksidentit. Avokati Florim Shefqeti ka thënë për Nacionalen se ata kanë kërkuar që ministres Hajdari t’i konfiskohet patent-shoferi.
“Na kemi kërkuar me ia marrë patent-shoferin, normalisht në ankesën që kemi me drejtu e kemi pikën bazë. Sepse ajo ka thanë që instinktivisht ka reaguar, dhe mbi këto rrethana kemi kërkuar me ia marrë lejen sepse del që nuk e ka pasur kujdesin në kuptim të ndërmarrjes së veprimeve.” -ka thënë Shefqeti.
Ai ka bërë të ditur se do të ankohen në Gjykatën e Apelit ndaj këtij vendimi, duke mos komentuar më shumë pasi nuk e ka parë vendimin.
Çfarë vendosi Gjykata Themelore në Prishtinë?
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 200 euro gjobë për ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdari
Kjo për shkak të aksidentit të vitit të kaluar ku ministrja e kishte aksidentuar një vajzë të mitur.
Lajmin e ka bërë të ditur Gjykata Themelore në Prishtinë me një komunikatë për media.
“Prishtinë, 24 tetor 2023 - Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni i Kundërvajtjes në procedurën kundërvajtëse, ka vendosur lidhur me çështjen kundër të pandehurës R.H, për shkak të aksidentit në komunikacion të kundërvajtjes nga neni 53 paragrafi 1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor e ndërlidhur me nenin 255 paragrafi 2 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, në bazë të nenit 55 paragrafi 2 dhe nenit 77, 86, 119, 124, 127 të Ligjit për Kundërvajtje, si dhe në bazë të nenit 289 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Repulikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
“Gjykata duke vendosur ne bazë të neneve 3,7,8,9,17 paragrafi 1 pika 1.2,1.5.31 dhe te nenit 35 të Ligjit për Kundërvajtje me nr.05/L-087, të pandehures R.H i shqipton dënim me gjobë në shumën prej dyqind euro (200) €, obligohet e pandehura që gjobën e shqiptuar të paguajë në afat prej 15 dite, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, bëhet e ditur më tutje.
Rozeta Hajdari është obliguar që të paguajë edhe 100 euro për mendimin e ekspertit, dhe 900 euro për super-ekspertizën.
“E pandehura R.H obligohet që të paguajë shumën prej njëqind (100) € për mendimin e ekspertit të komunikacionit, po ashtu obligohet të paguajë shumën prej nëntëqind (900)€ për super ekspertizë dhe për ekspertizë mjeko - ligjore të paguajë shumën prej 50 €. Nëse e pandehura nuk e kryen pagesën e gjobës në afatin e paraparë me ligj, si dhe shpenzimet e procedurës kundërvajtëse, në të kundërtën ekzekutimi do te bëhet sipas dispozitave të Ligjit të Procedurës Përmbarimore”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.
“Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pronësore – juridike udhëzohet në kontest civil. Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, Divizioni i Kundërvajtjes, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, përfundon komunikata.
Ndryshe, familja e vajzës së mitur vazhdimisht kishte pasur ankesa për trajtimin e këtij rasti.
Super-ekspertiza kishte gjetur se Hajdari nuk ka frenuar me kohë.
“Drejtuesja e automjetit ‘Ford Fiesta’ për shpejtësinë e lejuar të lëvizjes prej 50 kilometra me frenim të vrullshëm nuk ka pasur mundësi teknike për evitimin e aksidentit”, thuhet në super-ekspertizë.
Po ashtu sipas super-ekspertizës, ministrja Hajdari do duhej të ishte “më e kujdesshme” gjatë ngasjes së veturës në një zonë urbane dhe se ka frenuar me vonesë.
“Drejtuesja e automjetit duke lëvizur në zonë urbane është dashur të ketë kujdes të shtuar ndaj pranisë së këmbësorëve në lëvizje në atë pjesë. Drejtuesja e automjetit ka reaguar me vonesë në ndërmarrjen e veprimit të frenimit të vrullshëm me qëllim të evitimit të aksidentit”.
Në anën tjetër, Hajdari duke u munduar të shfajësohet, pati dal sqarim në llogarinë e saj në Facebook, ku thoshte se nuk ishte ajo që goditi fëmijën, por e kundërta ishte e vërtetë.
“Fëmija u përplas me makinën time”, pati thënë ajo.


