Shqipëria po i bën detyrat drejt anëtarësimit ne BE, Costa: Inkurajuese
Shqipëria sot hap edhe një grup-kapitujsh të tjerë rreth anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kryeministri Edi Rama, për këtë, dhe për të organizuar Samitin e Komunitetit Politikan Europian që mbahet më 16 maj në Tiranë, ka takuar në Bruksel presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Në deklaratë për gazetarë, Costa tha se mirëqenia, paqja dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor, është anëtarësimi në BE.
Ai tha se ‘është inkurajues progresi që ka bërë Shqipëria’.
“Është kënaqësi të takohemi të flasim dhe të shkëmbejmë biseda me Edi Ramën. Zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor, është një përparësi e qartë për BE-në dhe është investimi më i rëndësishëm gjeostrategjik për paqen dhe begatinë dhe stabilitetin e kontinentit tonë.
Është inkurajuese të shohësh progresin që ka bërë Shqipëria në këtë rrugëtim.
Sot po çelim një grup-kapitujsh të tjerë dhe ambicia jonë është të çelim kapituj tjerë sepse kemi një calendar të ngjeshur.
Mënyra më e mirë për të garantuar mirëqenien dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është me Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në të”, tha Costa.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se Shqipëria do të vazhdojë të punojë në kalendarin e saj, me të gjithë kapitujt e paraparë në të, në rrugën e anëtarësimit në BE.
“Jam shumë i kënaqur që gjendem me presidentin e Këshillit Evropian i cili me mençuri e vëmendje i ndau vendit dhe rajonit tonë diçka që e vlerësoj shumë.
Sot çelim kapituj të tjerë ndërkohë që me presidentin jam shumë mirënjohës për kohën që më ka kushtuar për të zhvilluar një bisedë rreth përparimit në këtë proces pastaj për Samitin e ardhshëm të Komitetit Evropian, i cili ka një rëndësi të posaçme në këtë kohë.
Do të flasim për rajonin, ndaj të cilit, presidenti është veçanërisht i përkushtuar.
Jam shumë i inkurajuar nga këto zhvillime. Jemi të përkushtuar të përmbushim të gjitha detyrat e kalendarit për të përmbushur obligimet tona”, tha Rama në Bruksel.