Shqipëria e Maqedonia duan anëtarësim në BE, në Serbi jo
3 shtator 2025 – Shqipëria del e para për nga shkalla e mbështetjes së brendshme për anëtarësim në BE, kurse Serbia e fundit në nivel rajonal.
Sipas një sondazhi të ri të kryer nga Komisioni Evropian, vetëm 33 për qind e respodentëve në Serbi janë shprehur në mbështetje të bashkëngjitjes në BE.
Sipas Eurobarometerit, kjo përqindje është larg më e ulët krahasuar me Shqipërinë ku 91 për qind e të pyeturve janë për anëtarësim në BE, ose 69 për qind në Maqedoninë e Veriut.
BE-ja del të ketë humbur besueshmërinë edhe në mesin e serbëve me prirje liberale e properëndimore, të cilët njëherë e një kohë besonin se anëtarësimi do të ishte garanci qëndrueshmërie e mirëqenie.
Sipas kritikëve, Brukseli e ka toleruar presidentin Vuçiq që ta zaptojë pushtetin duke e anashnxjerrur opozitën.
Megjithëse blloku mbetet si partneri më i madh i Serbisë në çështje tregtare e investimesh, Beogradi është përpjekur të kultivojë marrëdhënie me Moskën dhe Pekinin.
Përndryshe, në rajon, i marrë si një i tërë, Shqipëria dhe Mali i Zi shihen si kryesues në procesin e anëtarësimit, çka edhe shpjegon shkallën e lartë të mbështetjes publike për t’u bërë pjesë e bllokut. Maqedonia e Veriut ka ngecur vazhdimisht, fillimisht nga fesati me Greqinë për sa i përket emrit, e pastaj edhe me Bullgarinë për çështje gjuhe e identiteti.
Kosova e Bosnja, në anën tjetër, mbeten në fazë fillestare të bisedimeve për anëtarësim.
Kurse sa i përket BE-së, gjithnjë sipas sondazhit, rreth dy të tretat e respodentëve të moshave 15 dhe 39 mbështesin zgjerimin, duke cituar sigurinë, konkurrueshmërinë dhe ndikimin global si arsye për një gjë të tillë.