Shqetësuese: Zgjedhjet në Austri pritet t’i fitojë FPÖ-ja – mike e Serbisë, kundër Kosovës - NACIONALE

Shqetësuese: Zgjedhjet në Austri pritet t’i fitojë FPÖ-ja – mike e Serbisë, kundër Kosovës

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Partia e Lirisë e Austrisë (FPÖ), grup politik konservator me pikëpamje të së djathtës ekstreme e me qëndrime kundër Kosovës, e ka përkrahjen më të madhe para zgjedhjeve të shtatorit, sipas sondazheve atje. Kjo parti tashmë ka marrë më së shumti vota në Austri në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Ajo është ndërlidhur me komunitetin pakicë serb në Austri.

Sipas anketave, FPO-ja është në vend të parë me përkrahje, para Partisë Popullore të kancelarit Karl Nehammer. Megjithatë, edhe nëse i fiton zgjedhjet e përgjithshme në shtator, ajo do të ballafaqohet me pengesa serioze për ta udhëhequr Qeverinë për herë të parë, raporton agjencia “Reuters”.

Tash për tash me 27 për qind përkrahje, FPO-së do t’i nevojitej një partner për të qeverisur. Opsioni i vetëm realist është partia e Nehammerit, por ai e ka përjashtuar punën me kryetarin e FPO-së, Herbert Kickl – ndonëse jo me partinë e tij.

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, ish-udhëheqës i të Gjelbërve, i etur për ta ruajtur unitetin e Bashkimit Evropian për Ukrainën, ka dhënë shenjë se mund ta mbajë pezull pëlqimin e tij që Kickl të bëhet kancelar.

Kundërshtarët e Kickl-it e akuzojnë FPO-në, e cila më 2016 kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me partinë Rusia e Bashkuar të presidentit rus, Vladimir Putin, se i vë në vepër urdhrat e Moskës.

FPO-ja thotë se është e vetmja parti serioze për neutralitetin austriak, i rrënjosur në kushtetutë, të cilin e përdor për t’i sulmuar politikat kundër Rusisë, si një sistem i planifikuar i mbrojtjes raketore që do të shtrihej nga Britania deri në Turqi.

Kjo parti e kombinon retorikën e ashpër kundër emigrantëve dhe Islamit me premtimet për ta zvogëluar atë që e cilëson si ndërhyrje nga Brukseli në çështje të brendshme, përcjell gazeta "Nacionale".

Partia e së djathtës ekstreme ka bërë një aleancë me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, që mund ta thellojë sfidimin e Brukselit dhe ta rrezikojë konsensusin tashmë të brishtë rreth luftës në Ukrainë, nëse ky grup politik vjen në pushtet.

Kundër Kosovës

Në një artikull të 20 shkurtit të vitit 2008, tri ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, gazeta e njohur austriake, “Die Presse”, kryetari i atëhershëm i FPO-së, Heinz-Christian Strache, që në titull quhej “serbofil”.

Strache ka vendosur në dorë një “brojanica”, byzylyk me kryqin e ortodoksëve serbë. “Po, unë jam mik i serbëve” – thoshte kryetari i atëhershëm i FPO-së, raportonte gazeta austriake.

Qëndrimi i FPO-së kundër Kosovës theksohej edhe në një artikull të gazetës tjetër austriake, “Kurier”, publikuar më 1 shkurt 2008, vetëm disa ditë para shpalljes së Pavarësisë. Titulli i artikullit ishte "Miku i Serbëve".

“Ndryshe nga kancelari Gusenbauer, ai është prerazi kundër pavarësisë së Kosovës. Dhe tani Strache mban në dorë një byzylyk të lutjeve ortodokse (Brojanica). Interesi i Straches madje është i regjistruar edhe në qarqet diplomatike serbe. Kryetari i FPO-së ishte politikani i vetëm i rangut të lartë në pritjen e vitit të kaluar në ambasadën serbe në Vjenë” – raportonte më 2008 gazeta “Kurier”.

Në shkurt të vitit 2018, gjatë kohës kur ishte nënkancelar i Austrisë, Strache e kishte vizituar Serbinë, ku ishte takuar me Ivica Daçiqin, atëherë ministër i Punëve të Jashtme.

Strache u kishte thënë gazetarëve se “është realitet që Austria e ka njohur Kosovën, por është gjithashtu realitet që Serbia e sheh Kosovën brenda përbërjes së vet”.

“Ky është një realitet për Serbinë, prandaj ky problem nuk është zgjidhur në aspektin afatgjatë. Është e nevojshme që të dyja palët ta takojnë njëra-tjetrën në gjysmë të rrugës dhe të gjejnë një kompromis” – kishte deklaruar Strache.

Duke folur në Beograd, austriaku kishte thënë se, si nënkancelar, “nuk do të ndërhynte në këtë çështje”, por kishte shtuar se kishte “mirëkuptim për palën serbe dhe për pikëpamjen serbe të problemit” – dhe se një zgjidhje afatgjate për çështjen “nuk mund të jetë e njëanshme”.

Ai gjithashtu kishte sjellë ndër mend se në të kaluarën – para se të bëhej pjesë e pushtetit, e kishte kritikuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Austria, ndërsa Daçiqi kishte thënë se i ishte mirënjohës Strache-s “që nuk është sprapsur nga ky pozicion, as sot”.

“Austria qëndron prapa vendimit të saj për pavarësinë e Kosovës, por unë kam mirëkuptim për pozicionin e serbëve. Serbia nuk është një problem – Serbia është një pjesë e zgjidhjes” – kishte thënë Strache.

Nuk përfundon këtu. Strache ishte edhe kundër transformimit të FSK-së në Ushtri dhe kundër pranimit të Kosovës në Interpol.

Këto qëndrime të tij ishin raportuar në tetor të vitit 2018 nga gazeta austriake, “Salzburger Nachrichten”, e cila shkruante: “Nënkancelari Heinz-Christian Strache (FPO) foli qartazi të premten kundër formimit të një ushtrie në Kosovë dhe gjithashtu kundër anëtarësimit të saj në Interpol tash për tash.”

“Hapa të tillë nuk duhet të merren për aq gjatë sa situata ligjore në vend nuk është qartësuar, tha Strache pas një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministrin Ivica Daçiq në Vjenë” – thuhej më tej në raportimin e gazetës austriake.

Zgjedhjet parlamentare në Austri do të mbahen më 29 shtator të këtij viti. Për shkak të përkrahjes së ulët popullore për qeverinë e tanishme, ishte spekuluar shpesh në media se zgjedhjet mund të mbaheshin në pranverë, por koalicioni qeveritar thoshte se donte ta çonte mandatin deri në fund dhe se zgjedhjet do të mbahen në shtator./Nacionale

Lajme të ngjashme