“Shqetësim dhe paqartësi”: Kurtit i jepen dy ditë kohë për t'u përgjigjur në kërkesat e ShBA-ve dhe BE-së - NACIONALE

“Shqetësim dhe paqartësi”: Kurtit i jepen dy ditë kohë për t'u përgjigjur në kërkesat e ShBA-ve dhe BE-së

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Takimi i sotëm i emisarëve Escobar e Lajçak me krerët e partive opozitare zbardhi më shumë për takimin që ndodhi mbrëmë në kryeministri dhe që zgjati rreth dy orë. Mes paqartësisë së madhe për atë që ndodhi, e nuk ndodhi, sot po nëpërduket një refuzim tjetër i Kurtit ndaj ShBA-ve dhe BE-së për të cilin emisarët raportohet se i kanë dhënë dy ditë kohë, si atij ashtu edhe presidentit serb Vuçiq.

Megjithëse takimi i mbrëmshëm zgjati rreth dy orë, nuk pati asnjë deklarim se a kishte apo jo dakordim mes palëve.

Kryeministria tha që ishin “shkëmbyer mendime e ide” ndërsa Escobari ishte më i gjatë në fjalët e tij.

Por, ta nisim fillimisht me kërkesat.

Në takimin e zhvilluar në Kishinau të Molldavisë, kryediplomati evropian Josep Borrell pas takimit me presidentin serb Vuçiq dhe presidenten kosovare Osmani, i paraqiti tri kërkesat e qarta: “zgjedhje të reja menjëherë”; “sigurim të pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës”; “fillim të punës për themelimin e Asociacionit”.

Parimisht, edhe Kurti e edhe Osmani kishin dhënë sinjale se zgjedhjet e reja mund të ndodhnin. Por, duket se problemi megjithatë nuk është tejkaluar.

Opozita sot

Të dy krerët opozitarë u shprehën të shqetësuar pas takimit që kishin me Escobarin dhe Lajçakun.

“Po futemi në një situatë bukur shqetësuese për Republikën e Kosovës, dhe për më tepër të paqartë. Shqetësuese për shkak të gjendjes së relacioneve që Kosova i ka me aleatët e saj. Të paqartë për shkak të mungesës së planit dhe gatishmërisë së kryeministrit të Kosovës për dakordim me aleatët tanë.” – tha kryetari i LDK-së, z. Lumir Abdixhiku.

Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, në anën tjetër tha se nuk ishte folur në mënyrë konkrete.

Ndërkohë që Abdixhiku paralajmëroi edhe për pasoja.

“Në këtë fazë, Kosovës, qytetarëve tanë, iu mbetet të shohin pasojat që mund të vijnë nga një relacion i tillë, në radhë të parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Bashkimi Evropian e nga NATO.” – tha ai.

Çka tha mbrëmë Escobari?

Pasi u shpreh se ShBA-ja ishte përkrahëse e madhe e Kosovës, ai filloi të fliste edhe për Asociacionin.

Sipas tij, Asociacioni nuk ishte ‘koncesion’ ndaj Serbisë, por ishte në të mirën e komunitetit serb në Kosovë.

Duke folur për Kurtin, ai i tha këto fjalë:

“Nuk varet nga ai. Kjo nuk është çështje mes Kurtit dhe Serbisë. Kjo është çështje mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Edhe nëse nuk do Kurti, ky Asociacion do të vijë. Pyetja është: a dëshiron Kosova të presë integrimin euroatlantik derisa kryeministri i saj të përmbushë detyrimet e tij ligjore?”

Gjatë ditës së sotme ndërkohë, as Escobar e as Lajçak të paktën deri në këto momente nuk kanë dhënë asnjë deklaratë për medie. Sidoqoftë, në një mbledhje me gazetarë, emisari Escobar ka deklaruar se Kurti i ka vetëm "dy ditë kohë që të përgjigjet në kërkesat" e shtruara nga ShBA-ja dhe BE-ja.

Çka tash?

Kosova tashmë e ka marrë një ndëshkim të rëndë nga ShBA-ja, duke u përjashtuar nga ushtrimi i udhëhequr nga NATO Defender 23. Ambasadori amerikan Hovenier kishte paralajmëruar shqyrtim edhe të pasojave tjera. Ndërkohë që Sekretari Blinken kishte paralajmëruar se veprimet e Kosovës më 26 maj do të kishin pasoja.

Situata është e paqartë edhe për rrugën tutje sa i përket negociatave mbi Asociacionin. Kosova e kishte shkarkuar Ekipin Menaxhues të kryesuar nga Danijela Vujiçiq, i cili e kishte prezantuar draftin e parë të statutit në Bruksel.

Kjo ishte konsideruar “pikënisje” nga ana e emisarit Escobar, duke shkaktur zemërim të madh në Kosovë.

Por, pala tjetër, Serbia, po ashtu ishte shprehur e pakënaqur duke deklaruar se drafti i Ekipit Menaxhues nuk ishte draft i Serbisë por i Kosovës.

Megjithatë, ShBA-ja ka insistuar që Kosova të ofrojë një draf të vetin të statutit të Asociacionit, duke nënkuptuar kësisoj që nuk e merrte draftin e Ekipit Menaxhues si draft të Kosovës.

Lajme të ngjashme