“Shpifje”, “Po rren trefish”: VV i akuzoi se ‘lobuan’ kundër heqjes së sanksioneve, demantojnë Selimi dhe Nikaj - NACIONALE

“Shpifje”, “Po rren trefish”: VV i akuzoi se ‘lobuan’ kundër heqjes së sanksioneve, demantojnë Selimi dhe Nikaj

1 javë më parë

nga Leonitë Demaku

Në Bruksel e në Prishtinë, Kryetari i Partisë Demokratie të Kosovës, Memli Krasniqi, në takime me zyrtarë evropianë ka qenë vokal duke kërkuar vazhdimisht heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj vendit. Këto deklarime janë publike. Por, këtu pushteti qëndisi një akuzë të padëgjuar gjer më tash.

Në kacafytjen e madhe politike parazgjedhore Vetëvendosja kalibroi sulmin ndaj Partisë Demokratike të Kosovës duke pretenduar se “dy zyrtarë” të saj i kanë kërkuar Brukselit që të mos heqin sanskionet ndaj vendit.

Këtë akuzë të një deputeteje të VV-së të quajtur Arbëreshë Kryeziu e çoi në oktava më të larta deputeti Dimal Basha, duke thënë se “kanë lobuar” për mos-heqje të sanksioneve.

Fjalën e patën: për Bernard Nikajn dhe Petrit Selimin (ky i fundit që nga 2016 s’është pjesë e PDK-së).

Arbëresha Kryeziu: “Këta dy zyrtarë kanë reagu vetë…janë z.Nikaj dhe Petrit Selimi. Këta janë dy persona, zyrtarë të PDK-së, që kanë bërë thirrje që Kosovës mos t’i hiqen masat”, tha ajo në Debat Plus.

Dimal Basha:Dy zyrtarë të PDK-së kanë shku me lobu në Bruksel që Kosovës mos t’i hiqen masat! Soji i njejtë që paguanin për ndarjen e Kosovës. Ju kam thënë që ia shtinë flakën Kosovën me ditë që i bje një gacë Albinit!”.

Nacionale ka kontaktuar Nikajn dhe Selimin për të marrë përgjigje pas këtyre akuzave të farkëtuara nga Vetëvendosja.

Nikaj s’ishte në dispozicion në ditë feste dhe jemi në një përgjigje të plotë nga ana e tij: por, tha fare shkurtazi se “gjithçka është shpifje”.

Selimi në anën tjetër, kishte mjaftueshëm shumë për të thënë.

“Dimali po gënjen trefish” – ka thënë një përgjigje për Nacionalen, ish-kryediplomati Selimi. Ai ka mohuar të ketë ndonjë funksion në Partinë Demokratike të Kosovës.

Mes tjerash, ai ka thënë se këtë vit s’e ka vizituar Brukselin as si turist, derisa përmendi deklaratat e tij publike për “paarsyeshmërinë e sanksioneve”. Selimi ka pasur edhe një porosi për Bashën, që të fokusohet në “dështimet e partisë së tij”.

Dimali po gënjen trefish. Nuk jam zyrtar dhe s’kam asnje funksion në PDK prej 2016. Nuk kam shkuar në Bruksel këtë vit as si turist, e leje ma per PDK. Gënjeshtra e tretë eshte qe pasna lobu per me ja mbajt sanksionet Kosoves. Kam qendrime te shumta publike për paarsyeshmerine e sanksioneve”.

Mirë është Dimali mu fokusu në dështimet tragjike te partisë së vet në ekonomi e diplomaci përfshi shkatërrimin total të marrëdhenieve tona me shtete kyçe aleate, se sa që mundohet me mashtrime te kërcënon e njollos zëra kritik nga pejsazhi qytetar.” – na tha Selimi.

Para disa javësh, Selimi në rrjetin social “X” ndërkohë, i quante këto masa të padrejta dhe shkruante se ato mund të hiqen së shpejti.

Dëgjoj në Bruksel se sanksionet ndaj Kosovës mund të hiqen së shpejti, rezultat i mendimit të ri të Kallasit. Ato janë vënë në mënyrë të padrejtë ndaj qeverisë së Kosovës, kur merren parasysh aktet e çmendura që Serbia ka kryer dhe ka kaluar pa asnjë pasojë. Pra, kjo mund të jetë një qasje e re”, ka thënë Selimi.

Lajme të ngjashme