“I shpëtuat hebrenjtë”: A po e falënderon ambasadorja Kim qeverinë pro-naziste të Mitrovicës e Devës?
Në secilin përvjetor të përkujtimit të Holokaustit, gjenocidit ndaj hebrenjve, ndërkombëtarët që e njohin historinë e Ballkanit Perëndimor, shkruajnë për shpëtimin e tyre nga ana e shqiptarëve. Të njëjtën gjë së fundmi e ka bërë edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, e cila e ka përmendur edhe besën, kodin e nderit të popullit shqiptar si faktor se pse nuk u dorëzuan hebrenjtë.
Por ajo ka bërë edhe një falënderim për ish-qeverinë e kohës në Shqipëri, e cila ishte nën shërbimin e nazistëve gjermanë e fashistëve italianë, të cilët e pushtuan Shqipërinë, duke e bashkuar aty edhe Kosovën.
Pra ajo e ka falënderuar Qeverinë kuislinge (siç njihet nga historiografia shqiptare) të Rexhep Mitrovicës e Xhafer Devës, ky i fundit një figurë jashtëzakonisht kontraverse e që ngjalli edhe debat në Kosovë kohë më parë, pasi Qeveria Kurti vendosi ta restauronte shtëpinë e tij në Mitrovicë.
Megjithatë, ajo e përmend edhe kohën e paraluftës së Dytë Botërore, duke i dhënë merita për shpëtimin e hebrenjve edhe Ahmet Zogut, mbretit të shqiptarëve, lidershipi i të cilit u dha pasaporta qytetarëve hebrenj, duke u siguruar identitet të ri e që ishte shpëtim nga shfarosja.
Çka shkroi Yuri?
Në një postim në Twitter, zonja Kim shkroi se Qeveria dhe populli i Shqipërisë e bëri atë çka s’e bëri askush tjetër për hebrenjtë, duke e përmendur kontributin e tyre për t'i mbrojtur qytetarët herbrenj që atëbotë përndiqeshin për shkak të përkatësisë etnike të tyre.
“Ndërsa nazistët përndoqën hebrenjtë në Evropë para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, qeveria dhe populli i Shqipërisë bëri atë që askush tjetër nuk e bëri: ata fshehën fqinjët e tyre hebrenj, strehuan hebrenjtë që iknin nga vendet e tjera, lëshuan dokumente që hapën rrugën drejt mbijetesës dhe lirisë për shumë njerëz” – shkroi ambasadorja Kim.
1/2 As the Nazis hounded Jews in Europe before & during World War II, the govt & people of Albania 🇦🇱 did what no one else did: they hid their Jewish neighbors, took in Jews fleeing from other countries, issued documents that opened a path to survival & freedom for many. pic.twitter.com/idn8lMYZD1
— Ambassador Yuri Kim (@USAmbAlbania) January 27, 2023
Shefja e ambasadës së ShBA-së në Tiranë botoi edhe një fotografi, me citatin e Herman Bernsetein-it, ambasador amerikan në Shqipëri dikur, të dhënë në vitin 1934. Aty theksohej edhe çështja e besës, duke shkruar se është “një kod i nderit, shqiptarët myslimanë që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit”.
“Në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, ne kujtojmë miliona që u vranë për asgjë më shumë se besimi dhe kultura e tyre. I kujtojmë gjithashtu guximin dhe nderin e veçantë të popullit shqiptar. Filmi “Besa” e tregon historinë e tyre – dhe një shembull për të gjithë ne” – shkroi tutje ambasadorja.
Kë e falënderoi Yuri?
Ndërmjet viteve 1939-1945, Shqipëria, por edhe viset e tjera të banuara me shqiptarë, përfshirë Kosovën, ishin nën pushtimin, së pari të fashistëve e pastaj të nazistëve të Adolf Hitlerit, diktator i Gjermanisë, përgjegjës për shfarosjen e 6 milionë hebrenjve. Gjatë kësaj kohe, dy personalitete të rëndësishme qenë pjesë e Qeverisë së Shqipërisë nën sundimin gjerman.
Rexhep Mitrovica dhe Xhafer Deva janë dy nga figurat që zgjodhën të bashkëpunonin me nazistët gjermanë. I pari e udhëhoqi Qeverinë e Shqipërisë nën sundimin e Gjermanisë naziste, ndërsa i dyti, pra Deva, ishte ministër i Brendshëm dhe një nga njerëzit më të rëndësishëm në Kosovë. Megjithatë, përgjithësisht vlerësohet se përkundër bashkëpunimit me Gjermaninë naziste, Qeveria e Mitrovicës dhe Devës nuk i dorëzuan hebrenjtë, duke i mbrojtur ata.
Kujtojmë që Deva u rithkye përsëri në Kosovë pas vdekjes. Hiç më larg se vitin e kaluar, Deva u shfaq në skenë, pasi Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ndau 300 mijë euro për ta restauruar shtëpinë e tij në Mitrovicë. Ndaj këtij vendimi të Qeverisë Kurti reaguan shumë ambasada të huaja, përfshirë atë të Gjermanisë, duke e dënuar këtë vendim.
Pas rënies së nazizmit, Deva ishte shpërngulur në ShBA, ku jetoi deri në vdekjen e tij, ndërsa Mitrovica ndërroi jetë në Stamboll.


