Shkyçjet e rrymës nëpër biznese: Beteja ligjore shkon në Gjykatën Supreme
Pas Gjykatës Komerciale, tash çështja e liberalizimit të tregut të energjisë pritet të përfundojë edhe në Gjykatën Supreme.
Më saktë, padia pritet të dorëzohet nga Oda Ekonomike e Kosovës, lidhur me shkyçjet e bizneseve nga KEDS-i, me vendim të ZRrE-së.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, paralajmëroi se sot do të dorëzohet padi në Gjykatën Supreme.
Ai në intervistë për Ekonomia Online tha se Oda Ekonomike e Kosovës do të përdorë hapësirën ligjore për të mbrojtur bizneset anëtare.
“Si Oda ne sot në emër të anëtarëve të OEK-ut do ta shfrytëzojmë rastin të shkojmë me kërkesë padi në Gjykatën Supreme, lënda është kompletuar, sot do të dorëzohet në administratën e Gjykatës Supreme. Do të kërkojmë të drejtën që na njeh ligji, në emër të bizneseve. Ne si OEK nuk e kemi gëzuar të drejtën për të shkuar në Gjykatë Komerciale në emër të bizneseve, por në Gjykatën Supreme kemi gjetur hapësirë ligjore që mundemi me shkuar,” tha ai.
Rafuna tha se procesi është zhvilluar me veprime të kundërligjshme dhe të padrejta, të cilat sipas tij kanë dëmtuar rëndë ekonominë e vendit.
“Në këtë proces kanë ndodhur shumë veprime të kundërligjshme, shumë veprime të pa menduara mirë dhe jo të drejta. Përveç që të kundërligjshme dhe të dëmshme që i kemi arsyetuar shumë herë, nuk ka qenë e drejtë që energjia elektrike të ndërpritet ditën e shtunë kur është uikend e që biznesi të jetë deri sot pa energji elektrike dhe të mos ketë mundësi të bëjë asgjë. Gjatë uikendit na kanë informuar që me polici ju kanë shkuar, ju kanë krijuar një imazh shumë të keq sikur të jenë biznese kriminale, se jo biznese shumë të ndershme që kanë paguar tatim dhe çka ka pasur të bëhet një shkëputje e energjisë elektrike”, tha Rafuna.
Fillimisht Gjykata Komerciale kishte vendosur ta aprovojë masën e përkohshme për vendimin rreth liberalizimit të tregut të energjisë.
Më pas, shkalla e dytë e anuloi vendimin, gjë që bëri nisjen e zbatimit pavarësisht kritikave e reagimeve të shumta.
Dëmi për shtetin, sipas Shoqatave të Bizneseve, në rast të padive nëpër gjykata, mund të shkojë në mbi 200 milionë euro.
Njoftimi i kompanisë KEDS se ka filluar shkyçka e bizneseve, nduke u bazuar në vendimin Zyrës së Rregullatorit për Energji, ka nxitur reagime të ashpra në vend.
Shoqatat e bizneseve dhe njohësit e çështjes së ekonomisë kanë bërë me dije se ky është një veprim arbitrar.
Pasojat një veprim i tillë, sipas tyre, mund të jenë të mëdha.
E para që ka reaguar ka qenë Shoqata e Prodhueseve të Kosovës.
Kjo shoqatë i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të mos zbatojë masën e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike për bizneset, duke shtuat se pasojat do të jenë të rënda.
“Ndërprerja e energjisë do të sjellë pasoja të rënda: ndërprerjen e prodhimit, humbjen e vendeve të punës, rritjen e çmimeve për konsumatorët, dëmtimin e kontratave me partnerët ndërkombëtarë, uljen e konkurrueshmërisë së prodhuesve kosovarë në tregjet e huaja”, është thënë në reagimin e Shoqatës së Prodhuesve.
Kjo shoqatë ka kërkuar që ZRRE-ja të gjejë zgjidhje të qëndrueshme që mbron ekonominë e Kosovës.
“Ne nuk jemi kundër liberalizimit të tregut të energjisë, por kërkojmë që ky proces të zbatohet në mënyrë transparente, me konsultime të mirëfillta dhe me çmime të arsyeshme, të krahasueshme me rajonin”, është thënë nder të tjera në reagim.
Edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë e ka quajtur të papërgjegjshëm si veprim fillimin e shkyçjes së bizneseve që nuk kanë arritur marrëveshje për furnizim me energji elektrike.
“Ky veprim arbitrar dhe i papërgjegjshëm, po rritë çmimet e konsumit të dy milionë qytetarëve të vendit dhe po rrezikon largimin nga puna të se paku 22 mijë punëtorëve, duke goditur rëndë familjet e tyre, ekonominë e brendshme dhe stabilitetin social në vend”, është thënë në reagimin e këtij institucioni.
Kompania KEDS ka bërë me dije se sot ka filluar zbatimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për shkyqjen e konsumatorëve komercialë, të cilët nuk kanë lidhur marrëveshjes me një furnizues të licencuar nga ZRrE-ja.
Përmes një komunikate për media, kjo kompani ka treguar se sot ka filluar shkyçjen e mbi 1400 bizneseve.
“Siç kemi informuar para pak ditësh se në respektim të njoftimit-vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji të datës 13 gusht 2025, KEDS-i ligjërisht nuk do të mundë të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për ato kompani që nuk kanë arritur akoma marrëveshje me ndonjërin prej Furnizuesve të licencuar nga ZRRE-ja. Mbi bazën e kësaj dhe në respektim të Legjislacionit në fuqi, ju njoftojmë se sot kemi filluar shkyçjen e mbi 1400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë, të cilët nuk u janë përfillur thirrjeve të vazhdueshme për lidhjen e marrëveshjes me një Furnizues, pavarësisht se i plotësonin kushtet për dalje në treg të hapur të energjisë elektrike”, është thënë në njoftimin e KEDS-it.
Më tej, ka treguar edhe mënyrën e shkyqjës së këtyre bizneseve.
“Po ashtu, ju njoftojmë se në emër të këtyre bizneseve janë identifikuar mbi 1400 njehsorë elektrikë, prej të cilëve mbi 600 janë njehsorë smart që do të shkyçen nga distanca, ndërkaq pjesa tjetër do të shkyçen fizikisht te këto kompani, për çka KEDS-i ka mobilizuar ekipe në terren gjithandej në Kosovë. KEDS vazhdon të inkurajojë këta konsumatorë që sa më parë të lidhin marrëveshje me një Furnizues të licencuar nga ZRRE, lista e të cilëve gjendet në ueb faqen e ZRRE-së, për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike”, është thënë në njoftim.