Shkyçjet e bizneseve, Oda Ekonomike sot dorëzon padi në Gjykatën Supreme - NACIONALE

Shkyçjet e bizneseve, Oda Ekonomike sot dorëzon padi në Gjykatën Supreme

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, paralajmëroi se sot do të dorëzohet padi në Gjykatën Supreme.

Kjo duke kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për shkyçjen e qindra bizneseve nga rrjeti elektrik.

Ai në intervistë për Ekonomia Online tha se Oda Ekonomike e Kosovës do të përdorë hapësirën ligjore për të mbrojtur bizneset anëtare.

“Si Oda ne sot në emër të anëtarëve të OEK-ut do ta shfrytëzojmë rastin të shkojmë me kërkesë padi në Gjykatën Supreme, lënda është kompletuar, sot do të dorëzohet në administratën e Gjykatës Supreme. Do të kërkojmë të drejtën që na njeh ligji, në emër të bizneseve. Ne si OEK nuk e kemi gëzuar të drejtën për të shkuar në Gjykatë Komerciale në emër të bizneseve, por në Gjykatën Supreme kemi gjetur hapësirë ligjore që mundemi me shkuar,” tha ai.

Rafuna tha se procesi është zhvilluar me veprime të kundërligjshme dhe të padrejta, të cilat sipas tij kanë dëmtuar rëndë ekonominë e vendit.

“Në këtë proces kanë ndodhur shumë veprime të kundërligjshme, shumë veprime të pa menduara mirë dhe jo të drejta. Përveç që të kundërligjshme dhe të dëmshme që i kemi arsyetuar shumë herë, nuk ka qenë e drejtë që energjia elektrike të ndërpritet ditën e shtunë kur është uikend e që biznesi të jetë deri sot pa energji elektrike dhe të mos ketë mundësi të bëjë asgjë. Gjatë uikendit na kanë informuar që me polici ju kanë shkuar, ju kanë krijuar një imazh shumë të keq sikur të jenë biznese kriminale, se jo biznese shumë të ndershme që kanë paguar tatim dhe çka ka pasur të bëhet një shkëputje e energjisë elektrike”, tha Rafuna.

Lajme të ngjashme