Shkurt e shqip: Çka thanë prej Presidentes e deri te Ambasadori i ShBA-ve pas Ohrit? - NACIONALE

Shkurt e shqip: Çka thanë prej Presidentes e deri te Ambasadori i ShBA-ve pas Ohrit?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Duket se bota po ‘refuzon’ që të lëviz pas marrëveshjes së Ohrit. Jo shumë zhvillime, jo shumë fjalë, jo shumë veprime. Megjithatë, fjalë të çuditshme janë thënë gjithandej, e të cilat i mëshojnë paksa konfuzionit të krijuar. Çka thanë akterët kryesorë?

Fjala “vetëmenaxhim” është prej fjalëve më popullore të dy ditëve të fundit në Kosovë. Por, njeriu që vetëqeveris (në kuptimin, i vetëm qeveris gati gjithçka) nuk do të flas deri të enjten për përmbajtjen e marrëveshjes së Ohrit.

Megjithatë, kanë folur të tjerë akterë të rëndësishëm.

Vjosa Osmani: Serbia s’do ta zbatojë

Presidentja e Kosovës në një deklaratë të djeshme u shpreh që nuk priste që Serbia të zbatonte marrëveshjet e dakorduara në Ohër.

“Nga Serbia nuk kam asnjë pritje. Ata do të vazhdojnë të shkelin marrëveshjet e dakorduara, siç kanë bërë këto 12 vjet.” – tha ajo.

Më pas, presidentja Osmani akuzoi edhe Perëndimin për qasje akomoduese ndaj (sic) regjimit të Serbisë.

Glauk Konjufca: As gëk, as mëk

Deri në momentin që është shkruar ky artikull, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca s’ka bërë gëk. As mëk.

Jeff Hovenier: Të zbatojmë bashkë Asociacionin

Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier, ka mirëpritur të dy marrëveshjet e arritura dhe e ka përmendur në mënyrë eksplicite Asociacionin e Komunav eme Shumicë Serbe.

“Ne kemi një kërkesë standarde që kryeministri të punojë me ne për zbatimin e Asociacionit,” – u shpreh ai.

Lumir Abdixhiku: Mashtrim

Edhe pse ShBA-ja shprehu “shqetësim” me retorikën e tij kundër marrëveshjeve, Abdixhiku s’u ndal. 24 pas mesnatës së 18 marsit, ai e quajti “mashtrues” kryeministrin Kurti.

“Një kauzë politike e rreme – që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë – përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjesht u zhbënë.”

William Walker: S’e kuptoj Albinin

Miku i madh i Kosovës, po ashtu e komentoi marrëveshjen.

Në një prononcim, ai tha mes tjerash këto fjalë: “Nuk jam i sigurt që e kuptoj Albinin kur thotë se unë e nënshkruaj kështu siç është, ose dëshiron që ta nënshkruajë. Nëse aty nuk ka njohje, unë e shoh gabim që ai ta nënshkruaj.”

Daniel Serwer: S’ka reciprocitet

Profesori amerikan Daniel Serwer në një opinion të publikuar dje u shpreh i zhgënjyer me marrëveshjen duke thënë se po krijonte shumë konfuzion.

“Nuk ka as ndonjë shenjë të njohjes nga pesë shtetet mos-njohëse të BE-së,” – u shpreh ai, mes kritikash tjera të drejtuara kah BE-ja.

Ai u shpreh edhe se Aneksit i mungonte reciprociteti.

“S’ka reciprocitet. Serbia merr “vetëqeverisjen” e saj për qytetarët e saj në Kosovë por shqiptarët që jetojnë në jug të Serbisë nuk marrin asgjë të krahasueshme.” – shkroi ai.

Marko Gjuriq: Urra!

Në një postim të djeshëm, ambasadori serb në ShBA, shprehu gëzim të madh për marrëveshjen e Ohrit duke e falenderuar shumë presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

“Rezultati i takimit në Ohër siguron interesat jetike të Serbisë në një moment të vështirë historik. Por, edhe më shumë se kaq...” – tha ai.

Lexuesit e Nacionales në Viber: JO

Lexuesit e Nacionales në Viber në mënyrë masive kundërshtuan Aneksin e Zbatimit me të cilin u pajtua Albin Kurti.

Në një sondazh të hapur nga administratori i grupit, 87% u përgjigjën me JO në pyetjen nëse do ta pranonin Aneksin.

Lajme të ngjashme