Shkëmbimi i territoreve dikur mbështetej nga Konjufca, tash përplas Osmanin e Çitakun
Pas vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e shiut, ka shpërthyer edhe një debat mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit dhe nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitakut për territoret e vendit.
Mollë sherri i përplasjes mes dy zonjave veterane të politikës kosovare u bë ideja e shkëmbimit të territoreve.
E gjatë ditës së sotme në debat u përfshi edhe deputetja nga radhët e Guxo, Jeta Statovci.
Statovci përmes një postimi në Facebook, e ka quajtur nënkryetaren e PDK-së Çitaku si ambasadore të ndarjes së Kosovës.
“E dëgjuam edhe ambasadoren e ndarjes teksa na mbajti fjalë për kufijtë e Republikës së Kosovës. "Presidentja Osmani i ka gjetë të gatshëm kufijtë e Republikës. E po kjo qartazi fsheh pas vetës bindjen se Vlora, na e paska një farë të drejte që t'i ngushtojë këta kufijë kur e vlerëson ajo. Mbase këtu e gjejmë edhe shkakun e gjithë atij angazhimi të Vlorës në Ëashington sa ishte ambasadore, për të ja cunguar kufijtë Kosovës apo siç atëherë thuhej, për t’ja kthyer dhuratat Rankoviçit", paska thënë Vlora”- ka shkruar deputetja.
Por një ide e tillë për shkëmbim territoresh, fillimisht kishte ardhur nga vetë Vetëvendosja, më të cilën sot Lista Guxo është në koalicion.
Përplasja
Për shkëmbimin e territoreve kishte folur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila së fundmi ka dhënë një intervistë për një gazetë italiane, “Il fatto quotidiano”
Në opinionin e komandantes supreme, ideja e shkëmbimit të territoreve, që dikur përkrahej nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është një skenar i çmendur.
“Asnjëherë shkëmbim territoresh, asnjëherë cedim i një cope të Kosovës te Serbia, këta janë skenarë të çmendur dhe të palogjikshëm. Nuk do t'u japim as një pëllëmbë tokë atyre që bënë gjenocid në Ballkan.” – komentoi shefja e shtetit.
Ndaj intervistës së presidentes Osmani kishte reaguar nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, duke thënë se "kufijtë e Kosovës i ka larë me gjak UÇK-ja."
“Kufijtë e Kosovës i ka larë me gjak UÇK-ja, ndërsa unë i kam përshkuar me këmbë si një vajzë e re gjatë luftës. Për Kosovën dhe Republikën që e gëzojmë sot kemi dhënë djersë, gjak, familijarë e të afërm.” – ka thënë ajo.
Mes tjerash, ish-ambasadorja ka shkruar se Kosovën e pavarur, “presidentja e ka trashëguar”.
“Kosovën e pavarur e sovrane Presidentja e tanishme e ka trashëgu. Ndërkohë, Presidentja paska gjetur kohë të mirret me mua, e jo me problemin e ngritur nga unë. Njerëzit e mëdhenj mirren me ide e kauza. Të vegjëlit mirren me njerëzit e tjerë.” – tha ajo.
2011
Kryetari i Kuvendit dhe njëherit nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në një intervistë në vitin 2011, kishte sqaruar se Vetëvendosje mbeshtetë idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, duke e quajtur komunën e Zveçanit si komunë të Milloshevqit.
“Për shkëmbim të territoreve, duhet me sqaru edhe këtë pjesë Lëvizja Vetëvendosje sepse ne mendojmë që shkuarja drejtë asaj pune natyrisht hapet edhe Lugina e Preshevës dhe rregullohen të drejtat e shqiptarëve atje, pra çështja e bashkimit kombëtar i bijën nëpërmjet sovranitetit të Kosovës qanej është udha, po pa u bo Kosova sovrane nuk mundet mu bo as kjo dhe ne e shohim këtë si kurorëzim të sovranitetit të Kosovës. Pastaj ne mendojnë se puna e tri komunave veriut është shumë problematike. Pse? Se Zveçani për shembull është komunë e Millosheviqit. Zveçani dhe Zubin Potoku janë komuna të viti 1991.” – Glauk Konjufca në vitin 2005.


