Shkëlzen Gashi mohon se ka marrë para për projekt nga Ministria e Kulturës - NACIONALE

Shkëlzen Gashi mohon se ka marrë para për projekt nga Ministria e Kulturës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Analisti që përkrah Lëvizjen Vetëvendosje, Shkëlzen Gashi ka demantuar të jetë i përfshirë në projektin e organizatës që e themeloi, e cila fitoi 6 mijë e 890 euro nga Ministria e Kulturës.

Sipas Gashit, ai ka dhënë dorëheqje nga pozita si drejtues ekzekutiv i “Admovere” pasi ishte bërë këshilltar i kryeministrit Albin Kurti dhe më nuk është rikthyer.

“Për më shumë, në projektin me të cilin jam i angazhuar tash sa vite “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, përkundër vështirësive të mëdha financiare, nuk kam pranuar që të aplikoj për fonde as në Ministrinë e Kulturës, meqë e kam mbështetë publikisht dhe e kam votuar Ministrin Hajrullah Çeku, e as në Komunën e Prishtinës, meqë e kam mbështetë publikisht dhe e kam votuar Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama. Madje, edhe sikur të aplikoja për fonde në këto institucione, kjo nuk do të ishte aspak e paligjshme, por këto janë parimet e mia.” – ka shkruar tutje ai.

Postimi i plotë:

DEMANT

Më 21 mars 2017 jam zgjedhë drejtor ekzekutiv në organizatën joqeveritare ADMOVERE, të cilën e kam drejtuar deri më 20 mars 2020, kur kam dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Më 21 mars 2020 jam emëruar këshilltar politik i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Më 25 prill 2020 jam liruar nga kjo pozitë dhe nuk jam kthyer më asnjëherë në pozitën e drejtorit ekzekutiv të ADMOVERE-s.

Në kohën e Qeverisë Hoti, udhëheqësia e re e ADMOVERE-s ka aplikuar në thirrjen publike për mbështetje financiare për OJQ-të, të shpallur nga Ministria e Kulturës që udhëhiqej nga Vlora Dumoshi, dhe e ka fituar projektin “Fuqizimi i të Rinjve nga Komunitetet Romë, Ashkalinj dhe Egjiptianë”, me vlerë 6.890 €.

Me ardhjen e Qeverisë Kurti 2, Ministria e Kulturës, e udhëhequr nga Hajrullah Çeku, i ka shfuqizuar të gjitha thirrjet publike për mbështetjet financiare për OJQ-të të shpallura më parë dhe ka shpallë thirrje të re. Në thirrjen e re, udhëheqësia e re e ADMOVERE-s ka aplikuar sërish dhe është shpallë sërish fituese. Pas përfundimit të projektit, në janar 2022, ADMOVERE ka dorëzuar raportin narrativ dhe financiar, sipas afateve ligjore të specifikuara në thirrjen publike të Ministrisë së Kulturës.

Në këtë projekt, unë, Shkëlzen Gashi, nuk kam qenë fare i angazhuar, e për rrjedhojë nuk e kam marrë as edhe një cent të vetëm. Të vetmet para që kam marrë ndonjëherë nga buxheti i shtetit të Kosovës janë 724 € si këshilltar politik i Kryeministrit të Kosovës.

Për më shumë, në projektin me të cilin jam i angazhuar tash sa vite “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, përkundër vështirësive të mëdha financiare, nuk kam pranuar që të aplikoj për fonde as në Ministrinë e Kulturës, meqë e kam mbështetë publikisht dhe e kam votuar Ministrin Hajrullah Çeku, e as në Komunën e Prishtinës, meqë e kam mbështetë publikisht dhe e kam votuar Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama. Madje, edhe sikur të aplikoja për fonde në këto institucione, kjo nuk do të ishte aspak e paligjshme, por këto janë parimet e mia.

Për fund, më duhet t’ju them se: «këto rrufe që po më drejtohen, ta dini se janë duke më flladitë sepse jam i përgatitur që askush të mos mund të më frikësojë, e as të më blejë».

Nga të gjitha mediumet që e kanë publikuar “lajmin” se paskam marrë para nga Qeveria e Kosovës dhe prandaj po e mbroj, kërkoj që ta botojnë këtë demant, ashtu siç e kërkojnë rregullat e gazetarisë.

Lajme të ngjashme