"Shkelje e sovranitetit", "Shkelje e marrëveshjes": BE përfundimisht heq vizat për pasaportat ilegale serbe në Kosovë
Heqja e regjimit të vizave për në zonën Schengen për kosovarët që nga 1 janari ka qenë shtysë e madhe që serbët e Kosovës të pajisen me pasaporta të Republikës së Kosovës. Tashmë me pasaportën RKS ata do të gëzonin udhëtim të lirë thuajse anekënd kontinentit evropian.
Por, hiç më larg se sot Këshilli Evropian mori vendimin përfundimtar për heqjen e regjimit të vizave për mbajtësit e pasaportave ‘speciale’ të serbëve të Kosovës që lëshohen nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese përbrenda Ministrisë së Brendshme të Serbisë.
“Këshilli vendos heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe. Sot, Këshilli miratoi një rregullore që siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor t'i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke hequr përjashtimin e aplikuar më parë për mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe”, thuhet në Komunikatën e KE-së.
Në sfondin e shpjegimeve rreth vendimit të marrë sot KE shpjegoi se kjo u konkludua si nevojë “për të lejuar të gjithë qytetarët përbrenda Ballkanit Perëndimor të që mund të udhëtojnë pa-viza në zonën Schengen”.
Qeveria e Kosovës qysh me të nisur kjo iniciativë e heqjes së vizave për mbajtësit e pasaportave “speciale” serbe e kishte dhënë për goditje ndaj shtetësisë kosovare por edhe ndaj procesit të integrimit institucional të serbëve të Kosovës: gjë kjo e paraparë sidomos në Marrëveshjen e Parë të Parimeve për Normalizim të Marrrëdhënieve (2013).
“Ky propozim, nuk është diskutuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë”, pati reaguar Zëvendës Kryeministri i Parë për Integrime Evropian, Besnik Bislimi, njëherit edhe në krye të procesit negocitator në dialogun e fascilituar nga BE për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
“Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme. Njohja e këtyre dokumenteve, minon integrimin e komunitetit serb, duke dëmtuar përpjekjet tona në të cilat jemi angazhuar bashkarisht prej vitesh. Gjithashtu, propozimi shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e këtyre strukturave ilegale”.
Ish-krynegociatorja në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, në një përgjigje me shkrim për Nacionalen thotë se ”BE-ja ka shkelur marrëveshjen e Brukselit për lëvizje të lirë duke njohur dokementet e strukturave ilegale serbe qe veprojnë ende në këtë fushë”.
”Me këtë veprim BE nuk e ndihmon normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi ndërsa stimulon ndërhyrjet destabilizuese te Serbisë në Kosovë dhe mbarë rajonin…”, tha ajo.
Gjashtë-shtatë muaj më vonë janë diku rreth 3 mijë e 200 qytetarë të komuniteti serb në veri të Kosovës që janë pajisur me pasaporta RKS si rrjedhojë e liberalizimit të vizave për Kosovën, siç qe konfirmuar javë më parë nga Drejtori i Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj.
“Kërkesat për pajisje me dokumente që nga janari kanë shkuar në ngritje, kështu që këtë vit kemi rritje të kërkesave. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kanë aplikuar diku rreth 125 mijë e 143 qytetarë për letërnjoftime. Ndërsa, për t’u pajisur me pasaporta, diku kanë aplikuar 263 mijë e 850 qytetarë”, shtoi.
Nacionale provoi të merr një përshtypje nga banorët lokalë në veri në lidhje me liberalizimin e vizave për pasaportat e lëshuara nga MPB-ja serbe për serbët e Kosovës; përkatësisht se a bëhet që tash serbët të mos aplikojnë për marrjen e pasaportës kosovare.
Një banor lokal na thotë se “shumë serbë tashmë veçse kanë pasaporta të Kosovës, dhe atë, me mijëra”.
“Kështu që mbase përqindja tash do të varet nga pasaportat serbe, pra, te ata që s’kanë marrë pasaporta të Kosovës”, tha një banor i Mitrovicës së Veriut në një përgjigje për Nacionale.
Reagimi paraprak i Bislimit:
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e saj në lidhje me propozimin e Komisionit Evropian për pasaportat e lëshuara nga e ashtuquajtuara Drejtoria Koordinuese serbe.
Ky propozim, nuk është diskutuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë.
Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme.
Njohja e këtyre dokumenteve, minon integrimin e komunitetit serb, duke dëmtuar përpjekjet tona në të cilat jemi angazhuar bashkarisht prej vitesh.
Gjithashtu, propozimi shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e këtyre strukturave ilegale.
Ne ftojmë BE-në që këto dokumente t'i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel.
Komuniteti serb në Kosovë, nuk ka mbetur pa liberalizim të vizave, pasi ata mund të pajisen me pasaporta të rregullta të lëshuara nga Kosova të cilat mundësojnë udhëtimin pa viza.
Qeveria jonë tashmë ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta. Së fundmi, është parë dhe një interes i lartë e rritje të numrave të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta të Kosovës. Në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 29%.
Mbetemi të përkushtuar që të sigurohemi që të gjitha komunitetet në Kosovë të mund të gëzojnë udhëtimin pa viza me pasaportat e Kosovës.
Këtë kundërshtim në lidhje me propozimin e kemi adresuar drejt instancave më të larta të BE-së. I bëjmë thirrje BE-së që të rishqyrtojë këtë propozim, i cili përmban shkelje të shumëfishta