Shkarkime, zgjedhje, anime: Krejt çka ndodhi në Luginë sot, e që prek edhe Prishtinën nesër
Ju duket komplekse politika kosovare? Pritni të shihni politikën e tri komunave me shumicë shqiptare në Serbi, në të cilat sot ndodhi një ndryshim pushteti dhe në të cilin u përfshi edhe kryeministri i Republikës së Kosovës. Çka saktësisht bëri vaki?
Zgjedhjet e Serbisë që i fitoi Aleksandër Vuçiq u bënë mollë sherri edhe për shqiptarët e Komunës së Preshevës ku tri partitë politike atje u bënë pikë e pesë.
Hidhërimi i pamundësoi që të garonin me një listë të përbashkët në zgjedhjet, ku potencialisht do t’i fitonin tri ulëse në Kuvendin e Serbisë, njëjtë si herën e fundit – falë ish zv. ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakajt.
Si rezultat, shqiptarët atje nuk do të përfaqësohen nga asnjë deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë.
Pasi nuk pati rezultat për ta përmbushur egon personale të politikanëve shqiptarë, këta të fundit inatin e nxorën duke prishur koalicionin edhe brenda administratës lokale.
Ende pa i mbushur një vit nga zgjedhja kryetare e Preshevës, shqiptarët e rrëzuan Ardita Sinanin.
Meritori i rrëzimit të Sinanit nga pushteti është Shqiprim Arifi, i cili këtë pozitë tashmë e zuri vetë.
Kuvendi komunal i Preshevës përbëhet nga 38 këshilltarë komunalë. Për ta emëruar apo rrëzuar kryetarin e Komunës, duhen shumica e këtyre votave.
Momentalisht, shqiptarët në Kuvend i kanë pesë parti politike. Ndër to, më së shumti vota ka APN-ja e Shqiprim Arifit me 14 sosh. Pastaj, PDSH-ja me nëntë vota. E treta vjen PVD-ja me shtatë vota. Pastaj, LR-ja me pesë vota dhe UDSH-ja me një votë.
Koalicioni që vitin e kaluar e bëri Ardita Sinanin kryetare të Preshevës, përbëhej nga PDSH, PVD, LR dhe UDSH – 22 vota në total.
Pas zgjedhjeve të 3 prillit në Serbi, ky koalicion u bë pikë e pesë duke mbetur vetëm LR-ja dhe një deputet i pavarur i cili u largua nga PDSH.
Shqiprim Arifi arriti të zgjidhet kryetar me 14 votat e veta, pesë nga Lëvizja për Reformë (LR) dhe një këshilltar i pavarur – i cili u duhej patjetër për ta bërë shumicën.
Derisa këto zhvillime zinin vend, Albin Kurti nuk e la mundësinë pa u përzier pak. Kryeministri mori anë duke kërkuar të mos shkarkohet kryetarja e Preshevës, dhe duke e denoncuar shkarkimin e mundshëm si përpjekje për të përçarë shqiptarët e Luginës.
“Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve, nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, znj. Ardita Sinani”, u tha nga Qeveria.
Ky paragraf specifikisht është shpërndarë, përveç Qeverisë, edhe nga ministret Artane Rizvanolli e Arbërie Nagavci.
Ftesë nga Kurti pati por i pranishëm s’ishte Sami Salihu – kryetari i Kuvendit në Preshevë. Salihu tha se ky takim mund të zhvillohet edhe për ndonjë ditë tjetër, sepse s’ka urgjencë.
“Unë kam vlerësuar se s’duhet të jem prezent në atë takim. Ky takim mund të zhvillohet ndonjë ditë tjetër sepse nuk ka ndonjë urgjencë”.
Për këtë ka reaguar edhe gazetari në Preshevë, Jeton Ismaili, i cili tha se Kurti me veprimin e sotshëm është bërë imitim i zbehtë i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
“Imitim i zbehtë i Aleksandar Vuçiqit. Mënyra se si nga kabineti i kryeministrit Albin Kurti i kanë ftuar në takim përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës, lë të kuptohet se po thirret takimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, shkruan Ismaili.
Pjesëtari i Shoqërisë Civile nga Presheva, z. Driton Hyseni, ka reaguar për një gjë të tillë në rrjetin social Twitter, duke e parë si anim të dëmshëm këtë qëndrim të Qeverisë së Kosovës.
“Një deklaratë e tillë nuk u ndihmon shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Përfaqësuesit politikë shkojnë e vijnë, sikurse fati i ndërrimit të Arditës, mos sot, pas një viti do të vinte. P.sh. Gent Cakaj nuk është dashur të mbajë anë, dhe nuk mbajti”, është shprehur z. Hyseni.
Ish-deputetja e Kosovës, serbja Rada Trajkoviq, në cicërimën e saj e ka akuzuar Kurtin për politikë nacionaliste, duke i thënë se është ‘Vuçiq shqiptar’.
“Vuçiqi shqiptar. Dhe unë mendoja se Kurti ishte kryeministër i një Kosove multietnike dhe jo shqiptare”, përfundoi Trajkoviq.
Tashmë, përçarja e shqiptarëve të Luginës është evidente dhe ka prodhuar pasojat e saj të para. Nëse kryeministri i Kosovës – shtet multietnik – do të jetë pjesë edhe më aktive e politikës ditore të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, për t’i bashkuar ata, mbetet të shihet. Sidoqoftë, deri në këtë pikë, angazhimi i tij vetëm sa e ka distancuar me kryetarin e sapozgjedhur të kësaj komune, Shqiprim Arifin.