Shënjestra e re: Feraj e Hoxha kritikojnë Macronin, i mbajnë ligjërata për histori - NACIONALE

Shënjestra e re: Feraj e Hoxha kritikojnë Macronin, i mbajnë ligjërata për histori

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Hysamedin Feraj dhe Elvis Hoxha janë dy aktivistë të njohur të VV-së nga Shqipëria, ndonëse Feraj është me prejardhje nga Gjakova. Ata shpesh flasin bashkë e janë gati gjithmonë në sinkron me mendime. Njëjtë ngjau edhe këto ditë. Në shënjestrën e dy “ideologëve jozyrtarë” të VV-së ishte hiç më pak se Emmanuel Macron, presidenti i Francës. Pse Feraj e Hoxha e “goditën” Macronin?

Kritika e dyshes Feraj-Hoxha, që me shumë gjasë ka mundur të jetë i koordinuar, erdhi pasi Macroni u takua me Aleksandar Vuçiqin, president i Serbisë, në të cilin takim u njoftua se Serbia mund të pajiset me disa aeroplanë luftarakë francezë. Duke pasur parasyshë sulmin e armatosur në Banjskë, një gjë e tillë ngjalli debat edhe në Kosovë.

Hoxha shkroi se Macroni ka harruar “atë pjesë historie që e ka lexuar vetëm në libra”, duke shtuar se presidenti francez ka harruar se në Serbi nuk ka demokraci.

“Harroi se nuk ka demokraci në Serbi.

Harroi se Vuçiçi dhe sistemi i tij u gjykuan për grabitjen më të lartë të votave ndonjëherë në Serbi.

Harroi se Serbia është shteti i vetëm që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë së Putinit. Harroi se Daçiçi ishte së fundmi në një takim të ngushtë e të dashur me Lavrovin.

Harroi se Vuçiçi është dishepulli i Sheshelit. Harroi se Dodiku është i dërguari i Vuçiçit dhe Putinit për shkatërrimin e Bosnje Herzegovinës.

Harroi se Serbia dhe Rusia kanë nënshkruar marrëveshjen e koordinimit në politikën e jashtme.” – shkroi dje Hoxha.

Madje, në shkrimin e tij, Hoxha në një mënyrë e fajësoi Francën se pse Ballkani ka mbetur një fuqi baruti. Në këtë kontekst, ai i dha edhe një leksion mbi të ardhmen gjeopolitike në mes Francës e Serbisë.

“Por Macroni harroi para se gjithash se Ballkani do të mbetet fuçi baruti për faj të sjellljeve të fuqive si Franca.

Ai harroi edhe një gjë tjetër. Nëse ndodh që Franca i shet avionë lufte Serbisë, në një të ardhme të afërt NATO dhe Franca do të luftojnë kundër avionëve të Francës.” – ka shkruar Hoxha.

Profesori i filozofisë, pra Hoxha, që dikur ishte edhe këshilltar i Kurtit në qeveri, kritikoi disa senatorë francezë e madje edhe kryetaren e Asamblesë së Francës.

“Edhe kryetarja e Asamblesë Franceze paska përfituar për t'i ngritur vlerat vetes duke bërë foto me një nga pjesëtarët e listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit. Sikur perëndimorët të kuptonin njësoj drejtësinë, pavarësisht interesave, nuk do të kishte luftra. Por, përdorin mënyra që nuk i kuptojnë as vetë. Pasatj habiten që janë më vonesë. Habiten që nuk disponojnë armë, por harrojnë që ua kanë shitur më herët armiqve.” – shkroi Hoxha sot.

Ndërsa Feraj, që aktualisht është këshilltar i Kurtit, vlerësoi se Macron po e zëvendëson marrëveshjen franko-gjermane me marrëveshjen franko-serbe.

“Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, po zëvendëson marrëveshjen franko-gjerman me marrëveshjen franko-serbe.

Thuhet se gjithçka ka çmim. Zotimi dhe serioziteti francez e paska çmimin e 12 avionëve "Rafal"?!

Miqësia e blerë dhe miqësia në shtije, po konkurron për zëvendësimin e emrit "schröderizim i politikës"?” – shkroi dje Feraj.

Lajme të ngjashme