Ku është Hysamedin Feraj? Këshilltari i Kurtit duket se ka “mbetur pa mendim” - NACIONALE

Ku është Hysamedin Feraj? Këshilltari i Kurtit duket se ka “mbetur pa mendim”

3 javë më parë

nga NACIONALE

Hysamedin Feraj është këshilltar i Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës. Feraj është edhe aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, i njohur për mendimet e shumta. Feraj pra ka shumë mendim (kjo nuk do të thotë se ka mendim të qëlluar), të cilin nuk ngurron ta shpjegojë e ta shkruajë në profilin e tij në Facebook. Feraj rrallëherë del edhe në televizione, ku i prezanton mendimet e tij.

Këshilltari i Kurtit flet për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut. Nuk heziton të komentoj edhe politikën ndërkombëtare, dialogun mes Kosovës e Serbisë, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Kur është fjala për dialogun, në bazë të shkrimeve, Feraj ka dy persona të parapëlqyer për t’i goditur: Miroslav Lajcakun dhe Aleksandar Vuçiqin.

Nëse do të renditej edhe një emër karshi dy të lartëcekurve, atëherë i treti do të ishte Christopher Hill, ambasadori i ShBA-së në Serbi, i cili ishte cak disa herë i Ferajt.

Mgjithatë, një gjë interesante ka ndodhur javëve të fundit. Feraj nuk ka publikuar asnjë shkrim që nga 23 marsi i këtij viti. Pra Feraj ka “agjëruar” nga mendimi. Megjithatë, nuk dihen arsyet se pse Feraj ka zgjedhur heshtjen si mënyrë për të vërpuar javëve të fundit, përkundër zhvillimeve të shumta politike në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut.

Për herë të fundit kur shkroi, Feraj u mor me çështje të larta, duke shkruar për Kosovën, Rusinë, Putinin e Daçiqin.

“E paska nxjerr kokën:

Se për masakrën në Moskë Putini do të fajësonte Ukrainën, dihej. Por pak kujt i shkoi mendja se do ta përfshinte edhe Kosovën.

Megjithatë mund të pritej, duke pas parasysh fiksimin e tij për Kosovën që kur nisi pushtimin e Ukrainës.

Kjo e bën edhe më të besueshëm dyshimin e arsyeshëm se vrasja e civilëve mund ketë qenë e planifikuar nga FSB dhe u ekzekutua mbas takimit me Putinin ku ndoshta mori miratimin tij.

Ka gjasë t'i kenë thënë Daçiqit për menyrën si do ta implikojnë Kosovën, në prag të pranimit në KE. Të shohim a mundet dhe si mund ta përdor Daçiqi.

Gjithsesi, Zaharova, zëdhënësja e Lavrovit, mbas kapjes së pretenduar të autorëve pranë kufirit me Ukrainën, duke dashur të implikojë qartë këtë, nuk la pa përmendur edhe Kosovën:

"Tani ne e dimë se në cilin vend këta bastardë gjakatarë kishin planifikuar të fshiheshin nga ndjekja- në Ukrainë... I njëjti vend që, në duart e regjimeve liberale perëndimore, është kthyer në qendër të përhapjes së terrorizmit në Evropë për 10 vjet, duke ia kaluar edhe Kosovës në çmenduri ekstremiste”.” – kishte shkruar ai.

Një ditë pas këtij shkrimi, Feraj mori pjesë në një fejesë, duke ngritur një dolli për të fejuarit. Nuk dihet nëse heshtja e Feraj lidhet me gotën e dollisë. Pra nuk dihet nëse në pije kishte ndonjë gjë që ia ka humbur fillin e mendimit Ferajt.

Lajme të ngjashme