Shefqet Krasniqi ‘favorit’ për president: Kur do t’u jepet mundësia qytetarëve ta zgjedhin direkt të parin e shtetit? - NACIONALE

Shefqet Krasniqi ‘favorit’ për president: Kur do t’u jepet mundësia qytetarëve ta zgjedhin direkt të parin e shtetit?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kur do ta kenë mundësinë qytetarët që ta zgjedhin direkt presidentin e tyre? Nëse e bëjnë, kush do të ishte pretendenti kryesor? Për pyetjen e parë ju ftojmë të lexoni pjesën e parë të shkrimit, e për të dytën, krejt të fundit kur kryem një testim të shkurtër ku rezultatet janë befasuese.

Ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme ishte përmendur nga kryeministri Albin Kurti, në kohën kur po bllokohej zgjedhja e presidentes Vjosa Osmani. Nga opozita, ky projektligji u pa si shantazh dhe u kërkua që të futej në reformën zgjedhore. Por, mundësia që presidentja të zgjidhej direkt nga qytetarët është përmendur më parë edhe nga Hashim Thaçi dhe figura tjera me peshë.

Tash një vit pas kësaj tendence të Kurtit për ndryshim të Ligjit për zgjedhjet, Kuvendi i Kosovës i ka hapur rrugë propozimit të anëtarëve për Komisionin Ad-hoc për reformën zgjedhore.

Në këtë mbledhje, kryetarët e grupeve parlamentare u pajtuan që në mbledhjen e radhës të Kryesisë, t’i propozojnë emrat e anëtarëve për Komisionin Ad -hoc për reformën zgjedhore, të cilët më pas do të votohen në seancë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

E në këtë reformë është propozuar që zgjedhja e presidentit të vendit të bëhet me votat e qytetarëve, e jo nga votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Besnik Tahiri, Shefi i grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se reforma zgjedhore në Kosovë nga ana e tyre shihet jo vetëm për kah aspekti teknik, por edhe i temave më të mëdha.

Tahiri ka thënë se si temë e parë duhet të shqyrtohet nëse presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejtë me votat e anëtarëve të popullit.

Tema e parë është se a duhet presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt, tema e dytë a do të jetë Kosova një zonë apo shumë zona dhe tema e tretë procesi i numërimit të votave a duhet të bëhet në klasë apo në qendër të vendvotimit, forma elektronike apo fizike dhe po ashtu nëse është një listë e hapur a duhet të jetë një tik apo më shumë tika”, ka thënë Tahiri pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë.

Në anën tjetër, nga Partia Demokratike e Kosovës kanë bërë të ditur se ende nuk është diskutuar në Kryesinë e kësaj partie se a duhet të zgjidhet presidenti me vota të qytetarëve apo me vota të deputetëve.

Kështu ka konfirmuar për Nacionale, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

Ende nuk e kemi diskutuar në PDK”, ka thënë shkurtimisht ajo.

Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, shefi i deputetëve të kësaj partie, Arben Gashi, ka thënë se LDK është e gatshme të diskutojë nëse formohet ndonjë komision për ndryshimin e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Komisioni për reformën zgjedhore që pritet të formohet nuk e ka në objekt të punës zgjedhjen e presidentit. Ajo çështje kërkon ndryshime kushtetuese dhe duhet komision tjetër, komision i cili kërkon konsensus të gjerë politik të cilin ne si LDK jemi të gatshëm ta diskutojmë”, ka thënë Gashi.

E politologu dhe profesori Avdi Smajljaj, ka shpejguar se çfarë pasoja, por edhe të mira ka zgjedhja e presidentit me votat të qytetarëve.

Smajljaj për Nacionalen thotë se zgjedhja e presidentit me votat e qytetarëve mund të jetë ‘deri diku’ më e pavarur se me votat e partive politike.

Mendoj se krahas kësaj, duhet të bëhet e qartë, a nënkupton zgjedhja direkte nga qytetarët e Presidentit edhe në shtimin e pushtetit të Presidentit, krahasuar me pushtetin aktual që ka. Nëse është fjala për të ruajtur substancën parlamentare të demokracisë, atëherë edhe mund të bëhet. Madje edhe mund ta kishte krijuar një mundësi që Presidenti të jetë deri diku më i pavarur nga partitë që tani e votojnë në parlament. Edhe pse, prapë pa mbështetje partiake edhe zgjedhja direkte nuk do të ishte e lehtë”, ka thënë ai.

Më tej, Smajljaj thotë se nëse me zgjedhjen e presidentit me votat e qytetarëve shtohen edhe kompentencat e presidentit, atëherë kjo mund të jetë e rrezkishme për qëndrueshmërinë e demokracisë.

Nëse është ideja që presidenti të zgjedhet direkt, për të shndërruar demokracinë tonë në një sistem presidencial, atëherë për demokracitë e reja kjo është e rrezikshme, shumë lehtë mund të prodhojë president me prirje autoritare, ta injorojë parlamentin, dhe ta rrezikojë edhe vetë qëndrueshmërinë e demokracisë”, ka thënë ai, duke shtuar se “presidencializmi i SHBA-ve është unik, që nuk mund të eksportohet lehtë në vendet tjera me kontekste të ndryshme.

Ndërsa sipas Ligjit për Presidentit, neni 86, Zgjedhja e Presidentit, thuhet se Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

Sipas ligjit aktual, në Kosovë presidenti zgjedhet me votim të fshetë dhe bëhet me dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Mandati i Presidentit është pesë (5) vjet me mundësi të rizgjedhjes edhe vetëm për një mandat.

Kutjomë se reforma zgjedhore në Kosovës ka filluar që nga viti 2011 por deri më tani nuk ka përfunduar akoma.

E K S P E R I M E N T

Por, le ta bëjmë një eksperiment të thjeshtë. Kush do të bëhej president i Kosovës me vota të kosovarëve në bazë të përkrahjes që kanë qytetarët mbi 35 vjeçarë në Facebook.

Shefqet Krasniqi në faqen e tij Dr. Shefqet Krasniqi ka 360 mijë ndjekës, duke qenë më i ndjekur se secili lider i opozitës.

Atij i avitet vetëm Ramush Haradinaj që ka 262 mijë ndjekës. Lumir Abdixhiku, kreu i LDK-së, i ka vetëm 70 mijë, ndërsa Memli Krasniqi, kreu i PDK-së, i ka vetëm 49 mijë.

Pretendent për president mund të bëhet, në bazë të mbështetjes në Facebook, edhe Rexhep Qosja që i ka 114 mijë ndjekës.

Por, dukshëm më i popullarizuar duket Halil Kastrati, i cili i ka 288 mijë ndjekës.

Sidoqoftë, ky i fundit nuk e ka bërë të ditur ambicien për pjesëmarrje në politikë derisa i pari (Shefqet Krasniqi) e ka përmendur në disa raste.

Lajme të ngjashme