Shefi i NATO-s deklarohet pas takimit: Situata në Kosovë e vështirë, përmbahuni nga veprimet - NACIONALE

Shefi i NATO-s deklarohet pas takimit: Situata në Kosovë e vështirë, përmbahuni nga veprimet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se në takimin e sotëm të ministrave të Mbrojtjes është diskutuar edhe situata në Kosovë. Ai përmes një konference për media e bëri të qartë se mandati i KFOR-it do të vazhdojë, dhe se NATO ka përgjegjësi veçanërisht në Kosovë.

Sipas Stoltenbergut, nuk ka indikacione se mandati i KFOR-it do të ndryshojë.

“Ne kemi një mandat të qartë në Kosovë, dhe në vazhdojmë ta ndjekim këtë mandat, dhe nuk ka indikacione se ky mandat do të ndryshojë. Ne kemi një përgjegjësi në Ballkanin Perëndimor, dhe sidomos në Kosovë.” – u shpreh ai.

Stoltenberg përmendi rritjen e trupave të NATO-s në Kosovë, derisa theksoi se situata është e vështirë.

“Ne kemi rritur prezencën tonë të trupave në Kosovë, nga Rumania, nga Bullgaria, po ashtu nga Britania e Madhe, si pjesë e prezencës së NATO-s në Kosovë. Ka një situatë të vështirë, po e ndjekim për së afërmi, kemi rritur przencën në veri.” – tha ai.

Shefi i NATO-s bëri thirrje te Prishtina dhe Beogradi që të përmbahen nga veprimet që mund të rrisin tensionet më shumë.

“Prishtina dhe Beogradi duhet të përmbahen nga veprimet që mund ta eskalojnë situatën dhe të rrisin tensionet. Prishtina dhe Beogradi duhet të përfshihen në dialog, ky ishte edhe një prej mesazheve nga takimi sot, BE-ja dhe NATO po punojnë dorë për dorë.” – deklaroi ai.

Paralajmërimi i Kurtit

Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka ngritur alarmin rreth dyshimeve të institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës për inskenime të mundshme të sulmeve të dhunshme nga strukturat kriminale të Serbisë.

“Institucionet e sigurisë së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturave të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim në tavan. Nuk do të zgjedhin mjet. Mbështetja e grupit terrorist që ka marrë nga Serbia në njërën anë duke i trajtuar si heronj, në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë pranë kufirit me Kosovën vetëm sa i inkurajuar ata.” – deklaroi Kurti.

Në fjalën e tij, Kurti deklaroi se organizimet paramilitare tentuan të keqpërdorin dallimet etnike, përfshirë keqpërdorimin e Manastirit të Banjskës. Sipas Kurtit, nuk ia dolën.

“Deshën ta ndryshojnë realitetin në terren përmes organizimeve paramilitare, nuk ia arritën. Provuan ta keqpërdorën Manastirin e Banjskës, nuk ia arritën. Tani formacionet kriminale të sponsorizuara nga fqinji ynë verior në skenarin e tyre destabilizues, ka shumë të ngjarë që dallimet etnike t’i keqpërdorin për synime politike. Javën që lamë pas u shënua 23-vjetori i rrëzimit të Millosheviqit, 23 vjet pas asnjëherë më parë nuk i ka ngjarë më së shumti Serbisë së Millosheviqit ky pushtet në Serbi, në botëkuptime, në metoda, në sjellje e në veprime.” - deklaroi Kurti.

Shefi i ekzekutivit foli edhe për komunitetin serb në Kosovë, duke iu bërë thirrje atyre për vetëpërmbajtje.

“Andaj ju bëjë thirrje serbëve që ditëve të fundit të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet dhe aktet e dhunës dashakeqe. Në Kosovë, jemi të gjithë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe demokratik. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Të raportoni sjelljen e dyshimta në komunitetet tuaja, t’i përcjellni njoftimet e institucioneve, të ruani qetësinë në çdo situatë dhe të mos bini pre e dezinformatave.” - shtoi Kurti.

Lajme të ngjashme